Me rastin e 85-vjetorit të ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit

Histori & Fakte | Zef Prenka | 18.07.15 | 12:17

Me rastin e 85-vjetorit të ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (1866-1930), u mbajt dje simpoziumi përkujtimor “A.Z.Çajupi Tomorri i poezisë shqipe”, në Muzeun Historik Kombëtar

Çajupi në veprat e tij shprehu shpirtin e popullit

Valeria Dedaj

85-vjetori i ndarjes nga jeta i Andon Zako Çajupit u përkujtua  në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Akademikët Jorgo Bulo dhe Floresha Dado sollën edhe një herë në vëmendje kontributin e këtij autori në letërsinë shqipe. Tema e trajtuar nga profesor Bulo, “Çajupi midis të shkuarës dhe së ardhmes”, prezanton kapërcimet që ka bërë ky autor nga romantizmi në realizëm. Ndër të tjera profesori u shpreh se: “Ky është viti i Çajupit, sepse vetëm pak kohë më parë, u nderua me titullin ‘Nderi i Kombit’, dhe se sot (dje) ka 85-vjetorin e ndarjes nga jeta. 85-vjet pa poetin që me penën e tij solli në erë të re poetike”.

Bulo shpjegon më tej se, Çajupi është shkrimtari që jetën e tij e jetoi në kapërcyell të dy kohëve, nga njëra ishte koha historike e rilindjes, koha historike e fillimeve të shtetit të pavarur shqiptar, edhe nga ana tjetër koha letrare e romantizmit, fillimi i realizmit të letrave shqipe. “Krijimtaria e shkrimtarëve që jetojnë me një këmbë në të kaluarën edhe me tjetrën në të ardhmen, kërcënohet nga rreziku që të mbetet e mangët, si një jehonë e vonuar dhe e zbehtë…”. Ai shton më tej se, këtë rrezik e kapërcejnë ata talente, që me penën e tyre bëjnë sintezën e krijuesve, që shprehin bindjet e reja të epokës historike dhe artistike që vjen.

“Një nga këto talente është Çajupi, i cili pas shqyrtimeve poetike në një kohë kur lindën yje të tjera të letrave shqipe, nuk ngeli në hije as në të parën, edhe as në të dytën”. Nëpërmjet një vështrimi retrospektiv që profesori bën për veprën e tij del në pah vendi i veçantë i Çajupit, i cili themeloi dhe krijoi një traditë të re. “Vepra e tij nuk është thjesht një hallk që lidh epokën letrare të rilindjes me atë që erdhi më pas, por faktor i progresit artistik të letërsisë shqiptare, gjatë fazës së kapërcimit nga romantizmi në realizëm, edhe gjatë fazës së kapërcimit romantik me pathosin social, krijimin”.

Ky ishte një hap i madh që integronte letërsinë shqiptare në rrjedhat moderne të zhvillimit të saj. Sipas profesorit, vendi i Çajupit në historinë e kulturës shqiptare, si shkrimtar që nga një anë shprehu mendësinë e rilindjes dhe nga ana tjetër e tejkaloi atë, lidhet dhe me një aspekt tjetër të veprës, me personalitetin e tij. “Me Çajupin nis të shfaqet në jetën letrare shqiptare filli i poetit qytetar, që ndjen nga të parët, bashkë me Konicën edhe ndonjë tjetër krizën e idealeve të rilindjes, edhe pse me to e lidhnin mijëra zgjidhje.

Mund të ishte kjo një pozitë tragjike për një krijues, mbi të cilin bënin si trysni dy palë forca, ato që e mbanin në vend dhe ato që e tërhiqnin përpara…, por ai shikonte përpara sepse kishte kurajë…”. Profesori shpjegon se në duelin mes vijës romantike dhe asaj kritike, te Çajupi fitonte kjo e fundit, fitore kjo që i hapte udhën realizmit në letërsinë shqiptare të shekullit të kaluar. Kështu ndryshoi drejt një drejtimi të ri, drejt një stili të ri. “Kjo nuk është një meritë e vogël për një krijues dhe nuk përbën një episod të zakonshëm në ambientet normale të një letërsie politike dhe historike të zhvillimit të saj.

Poezia e Çajupit është një përsiatje liriko-filozofike për pasojat e qytetërimit modern, për jetën e individit dhe të shoqërisë. Dhunimi i lirisë së individit me mjete moderne dhe fati i integritetit të personalitetit të tij, dilemat morale të njeriut përballë mundimeve për realitetin, përdhosja e realitetit të dashurisë dhe njerëzisë në mortalitetin e kohës, fantazma therëse dhe propaganda falëse, trajtoheshin në disa prej poezive të tij”. Më pas, nisi të shfaqej dhe profili i poetit popullor. “Çajupi në veprën e tij shprehu shpirtin e popullit të tij.

Kanë kaluar breza dhe epoka në shoqërinë shqiptare, por vepra e tij ka mbetur e gjallë dhe është bërë pjesë e mendjes historike dhe estetike shqiptare. Ajo ka qëndruar pjesë e lëvizjeve historike-kulturore, me përmbajtjen e saj humane, atdhetare dhe demokratike, me magjinë e saj…”. Profesori e përfundon trajtimin e temës duke thënë se, Çajupi është nga ata njerëz të mëdhenj, që nuk kanë lënë vetëm një kujtim, por dhe një vepër. “Kjo e bën atë të jetë i pranishëm në jetën tonë dhe në jetën e brezave që do të vijnë”. Dje të pranishëm gjatë simpoziumit ishin dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, nëndrejtori i muzeut, Dorian Koçi, Ermir Nika dhe specialisti i muzeut Spiro Nika etj.

Çajupi nuk njihej publikisht si fabulist

Akademikja Floresha Dado trajtoi kumtesën “Çajupi fabulist”. Ajo e konsideron Çajupin si një poet të madh, tregimtar, komedian dhe profesionist, përsa i përket përshtatjes së fabulave. “Marrëdhëniet poetike me fabulat pak të lëvruara, është befasia më e këndshme në të gjithë krijimtarinë e Çajupit. Puna e pasionuar që bëri për të futur në gjuhën shqipe një pjesë të mirë të përrallave nga fabulisti i madh La Fonten ishte padyshim, jo vetëm kontribut për pasurimin e mjedisit letrar të kohës, por dhe zbulim i individualitetit poetik të Çajupit, në një aspekt krejt të veçantë”.

Sipas profesoreshës Dado, Çajupi është autori i poezive të fuqishme patriotike dhe i lirikave erotike të vrullshme, është dramaturgu i komedive të brendshme dhe i tragjedisë së plotë, është publicist me logjikë të mbrehtë, që papritur shfaqet edhe si mjeshtër në përshtatje fabulash, madje edhe si krijues i tyre. “Me një stil vetjak, sa serioz aq edhe të hareshëm, duke qenë i ndërgjegjshëm se i kishte hyrë një rruge jo fort të lehtë, por që ishte punë e dobishme për literaturën, ai krijoi në traditë të vlefshme në të gjithë letërsinë tonë”.

Dado tregon se, përcaktimi i individualitetit të Çajupit në të gjithë krijimtarinë e tij, si fabulist origjinal apo përshtatës, nuk ka tërhequr sa duhet studiuesit tanë. “Për herë të parë këtë problem e ka prekur Dhimitër Shuteriqi, i cili bëri një kategorizim të përgjithshëm, por të paplotë për veçorit e procesit krijues në fushën e fabulës. “Poeti ynë pati siguri vetëm nga La Fonteni, prej të cilit mori vetëm 112 fabula, afro gjysmën e tyre nga 242, që përmblidheshin në 12 libra të botuar për La Fontenin”.

Valeria Dedaj

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen