Komunat me shumë shkelje

OP-ED | admin | 14.02.12 | 21:49

Në të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të Gjakovës, janë gjetur shkelje nga më të ndryshmet gjatë monitorimit që u është bërë prej Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal për vitin 2011. 

rrezore.comRaporti i publikuar nga MAPL në fund të muajit janar shpalos gjetjet e secilës komunë veç e veç, ku shkeljet e tyre kryesisht janë identifikuar me themelimin e ndërmarrjeve publike në kundërshtim me ligjin, me bartjen e pronave shoqërore në pronësi komunale, me dhënien e pronave komunale në shfrytëzim pa respektuar dispozitat ligjore, e shkelje tjera të ndryshme.

Komuna e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Isa Mustafa, është kritikuar që ka mbyllur për publikun mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa, duke shkelur Ligjin për vetëqeverisje lokale.

Ndërsa komuna e Pejës, e cila udhëhiqet nga Ali Berisha, kritikohet se ka bërë shkelje ligjore me rastin e nxjerrjes së vendimit, ku të gjitha pronat shoqërore në emër të ish- kooperativave bujqësore të cilat gjenden në këtë komunë të barten në emër të Kuvendit të Komunës së Pejës.

“Peja ka bërë shkelje edhe me rastin e këmbimit të pronës së ishKombinatit të Drurit në Pejë me pronë private”, thuhet në raportin e MAPL.

Por Ali Berisha, kryetar i Pejës, e arsyeton veprimin e tij lidhur me pronat shoqërore. Këto prona kanë qenë të Komunës, por u janë dhënë në shfrytëzim ish-kooperativave bujqësore, të cilat kanë falimentuar gjatë viteve të 90-ta, dhe prej atëherë ato kanë mbetur nën menaxhimin e askujt, dhe i janë nënshtruar një procesi të uzurpimeve. Prandaj, Komuna e Pejës, bazuar në ligjet në fuqi, ka menduar që ka të drejtë që ato prona që janë në menaxhim të askujt, prapë të kalojnë në menaxhim të Komunës”, tha Berisha.

Edhe komuna e Rahovecit, që udhëhiqet nga Smajl Latifi, ka bërë shkelje me rastin e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim pa kompensim dhe pa respektuar procedurat ligjore. “Po ashtu Rahoveci është kritikuar nga ICO për rastin e zgjerimit të rrugës në pronën e Manastirit të Zoqishtës, me ç’rast MAPL ka konstatuar se Komuna nuk ka respektuar procedurat që kërkohen sipas Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura” citohet në raport.

Vitia ka bërë shkelje ligjore me rastin e këmbimit të pronës së paluajtshme të Komunës pa respektuar procedurat që kërkohen me ligj për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme komunale, është njëra prej shkeljeve të evidentuara në këtë komunë.

Shkeljeve nuk iu ka shpëtuar as komuna e vogël e Hanit të Elezit. Kjo komunë ka bërë shkelje me rastin e nxjerrjes së vendimit për themelimin e Ndërmarrjes Publike Komunale.

Njëjtë vazhdohet edhe me të gjitha komunat tjera, si Ferizaj, Gjilani, Juniku, Istogu, Lipjani. E vetmja komunë, sipas MAPL-së, që i ka respektuar të gjitha dispozitat ligjore në fuqi, është ajo e Gjakovës.

Përndryshe kryetarët tjerë, nga disa prej të cilëve gazeta ka insistuar të marrë përgjigje, uk kanë preferuar të flasin. Në raport të MAPL-së po ashtu ceket se asnjëra prej komunave nuk i ka marrë seriozisht vërejtjet që i janë dhënë.

Përndryshe, ministri i MAPL, Sllobodan Petroviq, në një mënyrë arsyeton shkeljet e bëra nëpër komuna. “Vazhdon të mbetet sfidë e komunave respektimi i plotë i kornizës ligjore në fuqi, që shpeshherë vjen si pasojë e kufizimeve buxhetore për të përmbushur detyrimet përballë ligjit dhe qytetarëve. Mirëpo, mbetemi të përkushtuar që të mbështesim në vazhdimësi komunat, në mënyrë që të ndërtojmë një qeverisje lokale të qëndrueshme”, është përgjigjja e ministrit të MAPL, Sllobodan Petroviq.

Burimi: Lajmi 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen