Nga zgjedhjet e lira varet e ardhmja e Kosovës

OP-ED | Zef Prenka | 24.05.13 | 18:13

Komunikatë për media e PSHDK-së

Republika e Kosovës ndodhet në një fazë tepër delikate dhe në këtë situatë kur vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare është kah ne, të gjitha institucionet përgjegjëse të vendit dhe partitë politike, si përgjegjëse për mbarëvajtjen e jetës politike dhe institucionale, duhet të reflektojnë me shumë maturi dhe përgjegjësi përpara sfidave që kemi përpara. Në kohën kur kanë filluar ethet parazgjedhore, shohim se si ka një përpjekje, që ne e vlerësojmë të qëllimshme, të disa partive politike në vend, për të mos ecur përpara me reformën zgjedhore.

Për Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), kjo ngecje e qëllimshme, e cenon rëndë demokracinë në vendin tonë dhe krijon parakushte që edhe njëherë Kosova mos të mbaj zgjedhje të lira, sipas standardeve të kërkuara demokratike perëndimore. Ndërkaq mosmbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve të mirëfillta demokratike, po ashtu është edhe një goditje në brishtësinë e shtetit të Kosovës, sepse zgjedhjet e tilla do të prodhojnë institucione të brishta, të cilat nuk do të mund të jenë gjë tjetër veçse sinonim i korrupsionit, abuzimeve dhe interesave të ngushta. E Kosova nuk ka nevojë për këso institucionesh, por ka nevojë për institucione me legjitimitet të plotë, që do të mund t’i jepnin shtetit të Kosovës një dinamikë të re dhe të vihen në shërbim të së mirës së përgjithshme të qytetarëve të vendit.

Po ashtu mosmbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike, si dhe çdo tendencë për abuzime, pengon përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të Kosovës. E vendi ynë, sot më shumë se për çdo gjë, ka nevojë për një imazh të mirë ndërkombëtar, prej të cilit varen jo vetëm njohjet e reja që duhet t’i vijnë vendit, por edhe investimet ekonomike.

Pikërisht për këtë, ne vlerësojmë se në procesin politik në të cilin jemi, asgjë nuk mund ta përmirësojë më mirë imazhin e vendit tonë, se sa një proces zgjedhor demokratik e i lirë, ku partitë do të angazhoheshin maksimalisht që procesi të jetë fer, transparent dhe zgjedhjet të përfundojnë sipas standardeve të dëshirueshme demokratike. Për këtë, natyrisht kërkohet që partitë të heqin dorë nga qëllimet e tyre të ngushta dhe të vënë interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Pikërisht për këtë, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), kërkon nga të gjitha partitë përgjegjëse për reformën zgjedhore, të mos bëhen bllokuese të procesit të reformës zgjedhore dhe mos të vejnë interesat e tyre të ngushta para interesave të Republikës së Kosovës, që lidhen drejtpërdrejtë me të ardhmen e vendit tonë. Ne vlerësojmë se nga ky proces demokratik, do të varet shumë e ardhmja e këtij vendi dhe sidomos imazhi ndërkombëtar i shtetit tonë.

Po ashtu, në kërkojmë që Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në bazë të kompetencave kushtetuese që ka, të caktojë sa më parë datën e zgjedhjeve lokale, që partitë të jenë të përgatitura për një proces zgjedhor të lirë, demokratik, konkurrues dhe transparent.

Dr. Ukë Berisha,
Kryetar i PSHDK-së

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen