Si u krijua Republika e Mirditës, kush ishin ministrat dhe deputetët…

Histori & Fakte | Zef Prenka | 04.07.17 | 22:49

Nga: LEON MOLLA

Mirdita si Krahinë autonome po ashtu dhe Principatë, që nga viti i largët 1491 mbeti e lirë dhe me drejta të plota. Mirdita si Principatë shpeshherë ka marrë nën mbrojtje Shalë, Shosh, Han, Hot, Grudë, Malsi, Kelmend, Prizren, Shkup, Kurbin, Lezhë.

Vështirësitë më të mëdha politike, Mirdita do t’i kalonte në vitin 1919 e më vonë, pasi Malsorët e Shkodrës me pagesë të Serbisë vranë në afërsi të Lezhës Princin e Mirditës, Preng Bib Dodën (Gjomarkaj), dhe në shenjë hakmarrjeje disa mirditorë që ndodheshin në Shkodër kryen vrasje dhe masakra te banorët shkodranë në shenjë hakmarrjeje për Princin e tyre.

Në Mirditë u mblodhën dhe u bënë gati 740 luftëtarë për të sulmuar Shkodrën me qëllim hakmarrjen e vrasjes në pabesi të Princit. Menjëherë Konsulli Francez në Shkodër thirri në një takim urgjent Marka Gjonin (Gjomarkaj) dhe i kërkoi që të ndërhynte e të qetësonte popullin, kjo u arrit, Marka Gjoni (Gjomarkaj) i kthu mbrapsht forcat mirditore që i ishin afruar Naraçit. Në vitin 1920 qeveria e Tiranës kishte planifikuar shpërbërjen e Mirditës duke e coptuar dhe ndarë në tri pjesë (prefektura).

Kjo lojë e Tiranës irritoi derën e Gjomarkaj dhe mbarë Mirditën, kështu që dera princërore e Mirditës thirri në një mbledhje urgjente 12 bajraktarët dhe të gjithë kryetarët e fiseve për një mbledhje për të vendosur përfundimisht mbi fatin e Mirditës. Mbarë populli doli malit dhe u pozicionuan afër kufijve që ndante me Shkodrën, Lezhën, Kurbinin, Matin, Dibrën dhe Kukësin. Tashmë në gjithë vendin ishte shpallur gjendje e jashtëzakonshme. Dera princërore dhe krerët e Mirditës diskutuan dhe vendosën përfundimisht që Mirdita të shpallej REPUBLIKA E MIRDITËS me president, kushtetutë, dhe administratë.

Gjithashtu u nisën telegramet e tyre shteteve perëndimore, duke kërkuar që ta njihnin si Republikë, në një kohë shumë të shkurtër. Republikën e Mirditës e para e njohu Franca, pasi lidhjet e Mirditës me Francën ishin prej kohësh, sepse Princi i Mirditës, Preng Bib Doda (Gjomarkaj), ishte Kumbarë i Napoleon Bonapartit III dhe Franca ishte garantuesja në diplomacinë evropiane që të mbronte paprekshmërinë e Mirditës. Fill pas Francës, Republikën e Mirditës e njohën Austria, Hungaria, Gjermania, Italia, Spanja dhe Vatikani. Mirdita u shpall Republikë më 21 Korrik 1921.

President i Republikës së Mirditë: Gjon Marka Gjoni (Gjomarkaj). Ministër i Punëve të Jashtme: Andon Ashiku. Ministri i Luftës: Prenk Lleshi. Ministri i Punëve të Brendshme: Zef Ndoci. 12 deputetë të Republikës së Mirditës ishin 12 bajraktarët e Mirditës. Pas këtij lajmi që Mirdita shpallet Republikë, e cila u njoh nga shtetet perëndimore, menjëherë forcat e qeverisë së Tiranës nisin ofensivën ushtarake drejt Mirditës, ku u bë një luftë titanike e cila u pasqyrua nga mbarë mediat ndërkombëtare me kryetitujt: “Republika e Shqipërisë sulmon ushtarakisht Republikën e Mirditës”, pra tregohej qartë që Republika e Mirditës u njoh në Perëndim si qeveri, flamurë, vulë, pulla postare etj., por kjo nuk do zgjaste shumë, pasi Presidenti i Republikës së Mirditës, Gjon Marka Gjoni (Gjomarkaj), kërkoi që Mirdita të ndërpriste luftën, sepse sipas tij kishte si qëllim që mos të derdhej gjak vëllazëror.

Përfundimisht, në historinë evropiane u njoh Republika e Mirditës sikur u njoh më parë principatë e paprekur për 500 vjet me radhë, kurse “intelektualët” nga Shqipëria, siç e sulmuan baballarët e tyre ushtarakisht, e sulmojnë dhe sot me penë, duke i mohuar historinë dhe faktin e të qenët dikur Mirdita Republikë.

/Konica.al/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen