Reformë të sistemit arsimor apo grevë?

OP-ED | Rrezore | 04.02.19 | 22:44

Reforma nuk është një fasad e gjendjes së tanishme, duhet të ishte shumë më e thellë.

Sindikat e arsimit nuk do të duhej të hyn në grevë për rritje të pagave. Pagat nuk janë të vogla siq pretendohet. Për orën e punës mësuesit paguhen mbi 5 euro, kundrejt mjekut specialist i cili për një orë pune paguhet nën 4 euro. Greva do të duhej të organizohej në kërkim të reformave të
mirëfillta të arsimit kosovar, me theks të veqanët që reformën ta udhëheqin mësuesit, prindërit dhe nxënësit.

Klasa politike nuk mund të jetë bartëse e reformimit në arsimin e Kosovës, sepse janë me vetveten në konflikt. Ky konflikt personal zhvillohet mes asaj se çka dëshirojnë të arrijnë me këtë reformë dhe sa janë të përgatitur për ta bërë. Çelësi i ndryshimeve pozitive në arsim duhet të jenë arsimtarët, prindërit dhe nxënësit.

Klasa politike nuk është në gjendje, që së pari të diskutojë për problemet në arsim, e posaçërisht për atë të mesmin dhe të lartin. Është gjithnjë e më e mbyllur në paraqitjen e gjendjes reale në këtë segment më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare, si për të tashmen, e mbi të gjitha për të ardhmen tonë. E që është e nevojshme që të hapet një debat domethënës e gjithëpërfshirës për arsimin në Kosovë, më së miri e dëshmon fakti që ne jemi të betonuar në fund të ranglistave për kualitetin e arsimit, jo vetëm në regjion e Evropë, por edhe në botë.

E nëse flasim për universitet publike (numër rekord bazuar në numrin e banorëve), programet e studimit rifreskohen ngadalë dhe në mënyrë kozmetike, e që kurrë nuk e arrijnë një përformancë të kënaqshme.

Ata, të cilët nuk pajtohen me këto konstatime, fajin për këtë gjendje ia faturojnë gjendjes së pasluftës, asaj ekonomike, prioriteteve që i ka Qeveria, etj. Mirëpo, nëse dëshirojmë të kemi një të ardhme më të mirë, ne duhet të shfrytëzojmë përvojat e të tjerëve. Mund të marrim shembull Finlandën, e cila në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar ka qenë një shtet i varfër me një arsim të dështuar dhe për 50 vite ka arritur që të jetë shteti me mirëqenien më të lartë të të jetuarit në botë, me GJDP prej 50.000 dollarë amerikanë për kokë banori.

Dhe, këtë ndryshim e arritën pasi që e reformuan sistemin arsimor të tyre. Prandaj, mendoj se ne duhet të “ndryshojmë kursin” të zgjohemi dhe ta kuptojmë sa e rëndësishme është të bëhet reforma sa nuk është vonë për ne dhe gjeneratat e ardhshme. E çelësi i ndryshimeve në Finlandë kanë qenë arsimtarët, të cilët janë mirë të paguar, të çmuar në shoqëri, e të cilët i kanë kushtet më të mira pedagogjike që dijen ta përcjellin tek nxënësit. Pra, nëse në një reformë të sistemit arsimor, akterë do të ishin arsimtarët, nxënësit dhe prindërit, problemi do të ishte zgjidhur për 10 vite dhe do të ishim në një rrugëtim të sigurt drejt standardeve finlandeze.

Në këtë kohë të mosmarrëveshjeve të mëdha mes klasës politike të Kosovës, në kohën e prezencës në parlament të deputetëve injorantë e të pashkollë, në kohën e ndonjë ministri sharlatan që postin e blen me pare, nuk na mbetet asgjë tjetër, vetëm të lëshojmë një klithmë drejt disa politikanëve të cilët kanë integritet, e t’u themi “politikanë hapeni zemrën, le të rrahë për rininë kosovare, për arsimimin e mirëfilltë të tyre”. Arsimimi më i mirë i tyre është garanci për një të ardhme më të mirë të Kosovës.

Arsimimi, dija, shkenca dhe zhvillimi sa më i mirë i tyre, është themeli i çdo shoqërie të suksesshme. Çdo shoqëri dhe ekonomia e saj duhet të bazohen në shfrytëzimin e të dhënave të sakta, fakteve shkencore dhe mendimeve profesionale. Dhe, ato shtete që këtë e kanë kuptuar me
kohë, përparojnë. Qeveritë me integritet nuk bien vendime për shkak të interesave politike, grupeve të interesit, zgjatjes jetëshkurtër të mandatit në pozita udhëheqëse, por për shkak të politikave dhe drejtimeve afatgjata.

Ku është plaga e sistemit arsimor të Kosovës? Te ne në Kosovë vlen mendimi që forca e shoqërisë rrjedh nga forca e politikës, e që është tërësisht gabim. Çka do të bëhej nëse nesër vdesin 5, 10 apo 15 “liderë” të klasës politike në Kosovë? Cili do të ishte impakti afatshkurtër i kësaj tragjedie?

Atdhedashuria e vërtetë (jo patriotizmi folklorik i yni), kërkon që forca e shoqërisë të rrjedhë dhe bazohet nga forca e secilit individ të saj dhe e cila do të ishte proporcionale me forcën e shtetit tonë. Prandaj, edhe në reformën e arsimit do të duhej të ishte aktiv secili individ, e jo një grup i ngushtë i interesit.

Arsimi nuk do të duhej të jetë çështje e lobit politik, interesave politike, por vetëm i dijes dhe këtë duhet ta implementojmë në Kosovë, në mënyrë që të ngritet standardi i shkollimit. Në këtë proces, njëri faktor duhet të jenë profesionistët dhe arsimtarët, sepse pa ta nuk ka arsimim kualitativ, e në anën tjetër, duhet të jetë opinioni publik: prindërit, nxënësit dhe të gjitha ata që ja duan të mirën Kosovës. E në fund fare, të kyçet politika, sepse politikanët nuk e kuptojnë arsimin (sidomos tanët), dhe janë afatshkurtër. Ne kemi arsimtarë të mirë, të cilët janë të kufizuar nga politika, nga të “fortët”, si dhe faktorët tjerë. Për afër 20 vite, ende nuk e patëm një kryeministër, apo ministër, i cili e ka kuptuar se çka do të thotë reforma në arsim dhe investimi në të. Ata e planifikojnë buxhetin, e pastaj i “lejojnë” profesionistët të angazhohen. Vlen të theksohet se në bazë të raporteve të Bankës Botërore për vitin 2015, për arsim i kanë ndarë: Indonezia 20 %, Brazili 16 %, Pakistani 13.2 %, Turqia 12.4 % të buxhetit shtetëror, e Kosova ???????? Por, prapë po kthehemi të reforma, sepse për buxhetin nuk kemi çka flasim.

Paramendoni që asnjëri nuk e ka filluar reformën në baza të qëndrueshme, e që do të ishte jetëgjatë. Çdo qeveri ka ardhur me idetë e veta, të cilat janë harruar në mandatin e qeverisë që e ka pasuar. Sikur mos të kishte ndodhur kjo, Kosova do të ishte më e zhvilluar. Mos të harrojmë se së shpejti do të dalin gjeneratat e para të të diplomuarve në fakultete, të cilët kanë lindur pas lufte. E cili është niveli i dijes së tyre, sa janë konkurrent në rajon, e mos të flasim më gjerë, çka ju kemi ofruar ne atyre, apo më mirë të themi çka iu ka ofruar klasa politike përmes sistemit
arsimor.

Asgjë, fatkeqësisht! Pse janë të tilla politikat? Së pari, sepse nuk e kuptojnë sistemin arsimor (ka nga ata që nuk kanë kaluar nëpër të), pastaj janë afatshkurtër në pozita (maksimumi katër vjet). Ata shikojnë vetëm në afatin e skadencës. Janë gjithnjë nën ethet e shkarkimit dhe duhet të bëjnë diçka të shpejtë që të “sigurohen”, janë shumë të ndjeshëm në kritika, këshillat për ta janë trup i huaj, pastaj në kabinete nuk kanë profesionistë të arsimit, por vetëm militantë të partisë.

Pra, politika për arsimin në Kosovë është kancer dhe motot e fushatave parazgjedhore se “arsimi do të jetë prioritet i yni”, nuk janë asgjë tjetër veçse mbledhje e votave. Fatkeqësisht, në Kosovë lulëzon klientelizmi e nepotizmi, të cilat e stimulojnë mediokritetin, ku të paarsimuarit bëhen
deputetë e ministra.

Edhe një herë po apeloj: lejoni profesionistët të angazhohen! Kyçni në reformë edhe nxënësit e prindërit. Ndryshimet nuk ndodhin vetvetiu. Politikanët nuk janë ndryshuar për 25 vite dhe nuk do të ndryshohen kurrë. I rëndësishëm është zëri i popullit, sepse politikanët duhet t’u shërbejnë atyre. Çdo gjë varet nga motivimi i arsimtarëve, nxënësve e studentëve. Pastaj, do të vijnë kohëra më të mira.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen