“Portreti fizik dhe personaliteti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu”.

Histori & Fakte | Zef Prenka | 18.03.19 | 15:44

Nga Paulni Z.Zefi

*Përshkrimet e ndryshme, që na ofrojnë biografët e shumtë të Heroit tonë Kombëtar në lidhje me portretin fizik, personalitetin, karakterin dhe intelektin e tij, janë kryesisht pjellë e fantazisë së këtyre autorëve dhe të vetmit që bëjnë përjashtim janë bashkëkohësit e vet, Dh.Frangu, M.Segoni, M.Barleti dhe G.Pontano. Pavarësisht se të gjithë autorët e mëvonshëm e kanë portretizuar Prijësin arbër, duke u bazuar kryesisht tek vepra e M.Barletit, në fakt, Dh.Frangu, është i vetmi nga biografët dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, i cili përcjell të dhëna shumë interesante për Gjergj Kastriotin si njeri nga pikëpamja fizike, morale dhe ajo intelektuale. Sipas Dhimitër Frangut (1443-1525), Heroi jonë Kombëtar kishte zakon të hante vetëm një herë në ditë, porse tryeza e duhej plot e përplot(1). Më tej vijon se: kushdo që shihte shtatin e tij, në tërë kompleksitetin e vet, ushtrimet që bënte si dhe dietën, kuptonte qartë se kurrë nuk ngrihej prej tryezës i ngopur, por tregohej i kujdesshëm për të mbajtur fuqinë(2). Ai ishte në gjëndje shumë të mirë fizike, i pashëm dhe i përpjestuar në përmasat trupore, kishte një trup të gjatë e fort të shkëlqyer, në gjëndje të duronte si të nxehtin, ashtu edhe të ftohtin si dhe të gjitha llojet e mundimeve (3). Humanisti shkodran Marin Barleti (1450-1512/1513) e portretizon Gjergj Kastriotin që në moshë të re: me krahë viganë, i cili përballonte detyra të vështira edhe për një burrë të fuqishëm, duronte urinë, etjen, të ftohtit, vapën, pagjumësinë dhe me këto gjëra, duke u stërvitur pa prerë, u përgatit shumë mirë dhe brenda një kohe të shkurtër, për çdo fushatë ushtarake (4). Gjatë përshkrimit të dyluftimit me Skithasin në qytetin e Adrianopojës, M.Barleti shkruan: „Mosha, bukuria e trupit dhe hijeshia e gjymtyrëve, që kishin para syve, zgjoi shumë dhembje dhe simpati për të. Shtati i tij i lartë e i hedhur; krahët që s’ishin parë më të bukura tek njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e athletëve; gjerësia e supeve e admirueshme; ngyra e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm; shikimi i syve as i egër, as i fjetur, por shumë këndëshëm. Këto ja rritshin shumë virtytet e tjera dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore“, (5). Ndërsa gjatë përballjes me luftëtarët e shquar persianë, Jahja dhe Zampsa, në qytetin e Bursës, M.Barleti thekson se sulltan Murati II ia dinte mirë krenarinë dhe guximin e pazakontë, e quan atë trim i trimave dhe e nxit princin arbër që të tregojë rininë e tij të shënuar dhe të djathtën e tij të pamposhtur (6). Një përshkrim fizik shumë i vlefshëm i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu gjendet edhe te vepra „De Bello Neapolitano“ e historianit dhe humanistit të shquar italian Giovanni Giovano Pontano (1426–1503), i cili ka shumë mundësi ta ketë njohur personalisht Heroin tonë Kombëtar kur zbriste në Barleta për t’i ardhur në ndihmë mbretit napoletan Ferrante I, me 3 shtator 1461. G.Pontano shkruan se ai ishte „pasardhës fisnikësh dhe plot virtyte, e mbi të gjitha mirënjohje të pakrahasueshme, [prandaj] do të bëja një gabim të pariparueshëm në qoftë se do e kaloja në heshtje këtë gjë“(7). Po ashtu, G.Pontano, duke i thurur elozhe pa kursim, nënvizon faktin se ai ishte i mahnitshëm jo vetëm falë forcës e bukurisë fizike, por edhe asaj shpirtërore, prandaj miqtë e adhuronin dhe armiqtë ia kishin frikën, si rezultat i aftësive të tij (8). Historiani i njohur osman Hoxha Sad’ed’Din (1536-1599) në veprën e tij me titull „Tâc-üt-Tevârih (Kurora e historive)“ e botuar në vitin 1575, duke shfrytëzuar veprat historike të kronikanëve para’ardhës, shkruan se; „Sundimtari i arbërve (Gjon Kastrioti- P.Z.) kishte një djalë të pashëm që quhej Iskender, figura trupore e të cilit frymëzonte dashurinë, ndërsa fytyra e tij tërheqëse ishte shprehëse e bukurisë dhe e hirësisë“ (9). Po ashtu, Ipeshkëvi italian i Nocera, historiani, biografi, koleksionisti i madh dhe një figurë e shquar e Rilindjes Italiane, Paolo Giovio, në „Lavdërimet e tij“ në adresë të „Georgii Castrioti Scanderbechi Epiri Principis“ shkruan se ai „kishte një shtat tepër të lartë, muskuloz, me gjymtyrë të fuqishme, hundë të spikatur pak kërrutë (hundëshqiponjë- P.Z.) dhe paraqiste pa dyshim, portretin e një heroi shumë të madh. Këtë pamje po e shohim që e kanë akoma pinjollët e familjes së tij, të cilët u vendosën në Puglia, po ashtu siç mund të shihet edhe në portretin që ruajmë në Muze (koleksioni personal i P.Giovio- P.Z.); sidomos atij i ngjason Ferdinandi, stërnipi i tij, markezi i Monte Sant’Angello në Gargano, i cili e gjeti vdekjen në luftën e Ticinos nga dora mbretërore“ (10). Një portret fizik i shkëlqyer i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu është skicuar edhe nga historiani tirolez (gjermano-austriak) Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861) në veprën e tij me titull „Das Albanesische Element in Griechenland (Elementi shqiptar në Greqi)“. J.P.Fallmerayer thotë se: të flasësh për mjeshtërinë e tij në të gjitha artet luftarake dhe ushtrimet kalorsiake, për trimërinë e tij të natyrshme dhe për instiktin e luftës të këtij nxënësi të turqve, do të ishte po aq e tepërt, sa do të ishte e padobishme të lavdëroje forcën fizike, shtatin e lartë dhe simetrinë e mrekullueshme të ndërtimit të trupit, mençurinë e natyrshme, vështrimin e shpejtë dhe pjekurinë e parakohshme, mendjemprehtësinë dhe vendosmërinë e më të madhit e më të famshmit nga të gjithë shqiptarët (11). Sipas dëshmive të njëzëshme të atyre njerëzve që kanë jetuar bashkë me të, „Gjergj Kastrioti ishte një nga shfaqjet më të bukura të shekullit të tij“ dhe që në moshën e djalërisë, çdo tipar i fytyrës, çdo lëvizje e tij tregonte birin e mbretit dhe burrin e bëmave që po piqej (12). Një bashkëkohës i tij, i cili e njihte personalisht dhe që shërbente bashkë me të në ushtri, dëshmon se gjatë luftimit ai përvishte mëngët për të treguar krahun e fuqishëm dhe për t’i dhënë edhe më shumë vrull topuzit ose damaskinës (lloj shpate e prodhuar në Damask- P.Z.) së përkulur (13). J.P.Fallmerayer shton se: ndërtimi trupor madhështor, mesa duket, ishte diçka e trashëguar në familjen e Kastriotëve, sepse edhe te prindërit e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, M.Barleti mburr shtatin e tyre të bukur dhe njëkohësisht thekson se, ndër sundimtarët, një paraqitje e mirë trupore nuk ishte një epërsi që mund të përbuzej (14). Shkrimtari italian dhe biografi i Heroit tonë Kombëtar, Angiolo Biancotti, në veprën e tij me titull „Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg“ jep një përshkrim fizik shumë interesant. A.Biancotti, duke trajtuar dinamikën e zhvillimit të ballafaqimit të parë ushtarak midis Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe kondotierit të famshëm italian Giacopo Piccinino, në Puglia (1461), ndërprerjes së betejës dhe takimit të parë me njëri-tjetrin shkruan se: „Kur G.Piccinino, shtatshkurtër dhe me përmasa modeste u gjend përpara kundërshtarit të frikshëm me strukturë fizike gjigande dhe me një pamje prej kreshniku, me muskulin e krahut të djathtë të zhveshur dhe jashtëzakonisht të madh, i veshur me uniformë lindore dhe me një fytyrë, e cila shprehte energji dhe vendosmëri të jashtëzakonshme; u hutua dhe ruajti heshtjen për disa çaste. Por hutimi i tij u shtua, po ashtu edhe ushtarët e vet u befasuan atëherë kur Skënderbeu, duke u afruar në këmbë ndërsa G.Piccinino qëndronte mbi kalë, ai gjoja e përqafoi“(15). Ndërkohë, shton A.Biancotti, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e hoqi G.Piccinino-n nga shala e kalit, e mbajti atë pezull në ajër për disa çaste dhe pasi e puthi në ballë, e zbriti në tokë me një farë kujdesi sikur të ishte ndonjë gjë shumë delikate, e cila mund të thyhej (16). Nga ky përshkrim impresionues dalim në konkluzionin se përmasat fizike të Heroit tonë Kombëtar ishin prej një „Gjigandi“ shtatlartë dhe shumë të fuqishëm, i cili ishte në gjëndje ta ngrinte pezull në ajër një kalorës, i cili qëndronte mbi kurrizin e kalit dhe ndërkohë që ai vetë ndodhej pranë tij me këmbë në tokë. Për të potencuar dhe vërtetuar variantet e lartpërmendura na vjen në ndihmë një dokument shumë i çmuar që mban datën 8 korrik 1457 (dokumenti përmban 26 fletë, gjendet në Regjistrin Nr.6 dhe ruhet në Arkivin Shtetëror të Venecias) nëpërmjet të cilit historianët kanë arritur të përllogarisin përafërsisht gjatësinë e trupit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe këtë përllogaritje e ka bërë fillimisht albonologu dhe kleriku italian, At Giussepe Valentini (1900-1979), në një artikull të botuar më 1971, në revistën “Shejzat, Nr. 1-3, 1971”. Dokumenti në fjalë është një kërkesë, që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i dërgonte Senatit Venecian nëpërmjet përfaqësuesit të vet diplomatik fuqiplotë, Gjergj Pelini, abat i Shën Marisë së Rotecit, pranë Tivarit. Sipas asaj që shkruan G.Valentini, kërkesa e dokumentuar është e dyta midis 9 kapitujve të dërgesës dhe është e formuluar përpikmërisht kështu: „Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç iu janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje, e aq jepmëni; Sidoqoftë bëni çka t’i pëlqejë Zotërisë Suaj, në lidhje me rrobat që më duhen (17). Përgjigjia e Senatit Venecian ndaj kërkesës së Prijësit arbër ishte: „Et si capitulum sit clarum et aperte loquatur [Kërkesa nuk është shumë e qartë] (18)“. Për autoritetet shtetërore veneciane, 8 krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar. Atëherë, le ta marrim si gjatësi mesatare lartësinë trupore prej 1.75 m dhe nëse Gjergj Kastriotit-Skënderbeu nuk i mjaftonin 8 krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 m. Përderisa ai ka kërkuar më shumë ose qoftë edhe vetëm një krah rroba më tepër sesa standardi i kohës, rezulton që ai ka qenë njeri shtatlartë në raport me të gjithë sundimtarët e tjerë. Përpjestueshmërisht, shkruan G.Valentini, kur për një trup me lartësi 1.75 m. nevojiten vetëm 8 krahë rroba, atëherë lartësia së cilës i nevojiten 9 krahë rroba është 1.98 m. (19). Pra, kjo do të thotë që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 m. i gjatë. Në fund, mund të konkludojmë se, përderisa 1 krah rroba (stof) venecian ishte 0.58 m, 9 krahë bëjnë 5.22 m dhe rrjedhimisht i bie që trupi i Prijësit arbër, të mbulohej me dy veshje të ndryshme, të bëra nga 18 krahë rroba ose 10.44 m stof në total (0.58 x 9 = 5.22; 5.22 x 2 = 10.44). Një masë e tillë, pra 5.22 m, sipas G.Valentini-t, është sa dyfishi i asaj që do të nevojitej për të bërë një pardesy komode; mirëpo, këtu duhet të kujtojmë se veshja e Mesjetës së vonë ishte jo vetëm më e gjatë, por edhe shumë më e bollshme dhe me mëngë të lirshme e jashtëzakonisht të gjera (20). Sidoqoftë, kur analizojmë fjalët e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu drejtuar Senatit Venecian: „zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje, e aq jepmëni“, dhe më pas atij iu dërgua një krah rroba më shumë për veshjet që kërkonte, kjo do të thotë se i nevojiteshin pikërisht 9 krahë rroba, si rezultat i „shtatlartësisë së tij prej 1.98 m“. Teza qesharake e hedhur dhe e trumbetuar gjatë viteve të fundit mbi „shtatlartësinë hipotetike prej 1.73 m“, duke u bazuar vetëm mbi një vëzhgim të thjeshtë të Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Mano dhe Janaq Paço, që është vendosur në qendër të Tiranës në vitin 1968 me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, është „kulmi i marrëzisë dhe i sharlatanizmit“!… Me këtë lloj arsyetimi, i bie që çdo vepër arti e konceptuar dhe realizuar nga piktorët dhe skulptorët e Epokës moderne dhe postmoderne, të merret si dëshmi historike që përcakton portretin fizik të një figure historike që ka jetuar në Mesjetë apo në Antikitet. Të gjitha portretet e pafundme artistike të punuara në pikturë, gravurë dhe në skulpturë janë shumë të vona dhe si të tilla, nuk kanë ndonjë rol përcaktues në portretizimin objektiv të imazhit real që ka patur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përfytyrimet janë aq të shumta sa akoma deri më sot nuk është botuar një album i plotë, i cili mundet t’i paraqesë të gjitha këto punime që gjenden të ruajtura dhe të ekspozuara në shumë qytete të Europës. Po ashtu, janë me dhjetëra e qindra portrete të Heroit tonë Kombërar që zbukurojnë botimet e vjetra biografike kushtuar atij. Sipas At Vinçenc Malaj, O.F.M., nëpër koleksione botërore, shtetërore dhe private, është ruajtur një numër i madh i portreteve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, por mjerisht vjetërsia dhe kualiteti i tyre artistik është mjaft i dobët, janë të gjitha kopje, ose kopje të kopjeve të shumta të fundit të shek. XVI, të shek.XVII dhe XVIII (21). Portreti i Heroit tonë Kombëtar i punuar në pikturë, i cili është më i njohuri dhe që konsiderohet si origjinal dhe autentik është ai që sot ruhet në „Galleria degli Uffizi“ në qytetin magjepsës të Firences. Ky portret është i ekspozuar në korridorin monumental të „Galleria degli Uffizi“ me etiketën: „Tavola 1.2. Il ritratto di GEORGIUS SCANDER:BEK, Olio su tela; 60 x 45 cm. Numero dell’inventario 16 (C.P.p 215, Nr 249). La cornice in legno di noce, verniciatura d’oro. Galleria Degli Uffizi. Attribuito a Cristofano dell’Altissimo (1525-1605)“. Portreti i punuar me vaj në kanavacë mendohet se është realizuar në vitin 1466, por duke qenë se „autori zyrtar“ i tij konsiderohet Cristofano Dell’Altissimo, i cili ka lindur në vitin 1530, pra 62 vjet pas vdekjes të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, do të thotë se është kopje e një portreti tjetër, të realizuar në vitin 1466 kur Prijësi arbër ishte 61 vjeç. Në këtë portret, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu paraqitet në profil, me kokën e kthyer djathtas, me mjekër të gjatë, të thinjtë dhe të dallgëzuar (mjekër profetike), e cila i rrëshqet hijshëm mbi kraharor; me hundën e madhe e pak të përkulur; musteqet e bardha e të gjata i mbulojnë buzën e sipërme; buza e poshtme e spikatur dhe pak e shpërvjelur ose kacavjerrur. Në kokë mban një kësulë/beretë prej skarlati të kuq, të ashtuquajtur „alla Carmagnola“, për të cilën flet Dh.Frangu. Poshtë saj rrëshqet një copë astari ose pecetë me ngjyrë të bardhë, që padyshim, përveç funksionit estetik ajo do të ketë shërbyer për të thithur djersët. Balli i gjerë e pak i rrudhosur është i mbuluar deri në gjysëm nga „alla Carmagnola“; faqja jepet me mollëza të gjera; vetullat janë të pakta; qepallat qëndrojnë të tendosura lehtë ose gjysmë të lëshuara; ngjyra e syve është kafe e errët; shikimi është mjaft i thellë dhe i mprehtë, por më tepër i ëmbël se sa i vrazhdë. Mban veshur një mantel të kuq prej mëndafshi, të rrethuar në pjesën e përparme dhe më pak në atë të pasme me një rrip gëzofi me ngjyrë të zezë, e ndërsa në qafë duket qartë një qafore/jakë e kuqe, nën të cilën bie në sy një astar i bardhë i qendisur ose ndoshta bëhet fjalë për qaforen e një veshje të brëndshme. Flokët janë të prera shkurt, por në këtë portret dallohen qartë: „qafa e fuqishme dhe e përkulur, si e athletëve“ dhe „ngyra (e lëkurës) e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm“, pikërisht ashtu siç e përshkruan M.Barleti. Ndërsa, në optikën e studiuesit N.Flamuri, një element shumë i rëndësishëm që zbulon portretin origjinal të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, janë edhe vrragat ose shenjat e plagës me topuz të paraqitura në tëmth. Sipas tij, kur shihet mënyra skulpturale e dydimensionale e portretit, që është madje aq e thelluar dhe që e tregon në tëmth varrën (plagën) e topuzit, në syrin e majtë, atëherë lind pyetja: E zëmë sikur të ishte shpikje, pse duhej të ishte patjetër ky detaj ashtu si i djegur dhe të pasqyrohej me këmbëgulje nga piktori që ka realizuar këtë portret (22). Sidoqoftë, pjesa më e madhe e biografëve të vonë të Heroit tonë Kombëtar së bashku me specialistët më të njohur të Historisë së Artit, edhe pse me mjaft rezerva, ata e kanë pranuar si të mirëqenë faktin se portreti origjinal dhe autentik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu është pikërisht ai që sot ruhet në „Galleria degli Uffizi“ në Firenze, i punuar nga Gentile Belini, më pas i riprodhuar me besnikëri nga Cristofano Dell’Altissimo si pjesë e koleksionit të pasur të humanistit e shkrimtarit erudit Paolo Giovio në Como. Sipas studiuesit L.Alia, portreti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu fillimisht ndodhej në Palazzo Vecchio, që ishte rezidenca e fisnikëve Medici, më pas e transferuan në Palazzo Pitti, ndërsa në vitin 1568, Duka i Toskanës Cozimo I Medici, urdhëroi ta vendosin në sallën Mappamondo të muzeut Palazzo Vecchio (23). Ndërsa në vitin 1587, për mungesë hapësire ekspozimi në Villa Medici, Granduka i Toskanës, Ferdinandi I Medici, urdhëroi transferimin e portretit në korridoret monumentale të Galleria degli Uffizi, ku ndodhet aktualisht, i ekspozuar dhe i kataloguar si vepër e piktorit fiorentin Cristofano di Papi Dell’Altissimo (24). Për sa u përket veçorive mendore të Gjergj Kastriotit-Skënderbru, Dh.Frangu rrëfen se ai ishte i mençur, shumë i matur dhe jashtëzakonisht shpirtgjerë, plot sjellje të natyrshme dhe i mirësjellshëm, njeri i fjalës dhe i veprës, trim, por edhe i mëshirshëm, i aftë të falte gabimet, në rast se i duhej të falte (25). Ai qe armik i përbetuar i të gjitha veseve dhe veçanërisht i atyre të Gomorrës, pra i çdo lloj veprimi të papranueshëm nga Doktrina e Krishterë, e sidomos nga normat morale të popullit arbër dhe e drejta e tyre zakonore. Nuk lejoi kurrë që ushtarët arbër të vrisnin dhe të keqtrajtonin gratë dhe fëmijët e armikut gjatë zhvillimit të ekspeditave apo inkursioneve në thellësi të tokave armike. Po ashtu, ai nuk krenohej kurrë për mirëqënien e tij dhe as shkurajohej në rast mjerimi (26). Ai iu përmbajt gjithmonë zakoneve të sjelljes, për aq sa ishte e mundur në një kamp ushtarak, po aq rreptësisht dhe mund të hamendësohet me po aq sukses, sa edhe mbreti i Suedisë, Gustav Adolfi, gjatë zhvillimit të luftës tridhjetëvjeçare (27). Dhe me të vërtetë, në kampin e tij ushtarak, shkruan M.Barleti, nuk të zinte syri „as gra të përdalura ushtrie, as ndonjë shënjë tjetër, siç ndodh zakonisht, fëlligështie të tillë; përkundrazi, atje ruhej një farë disipline e lashtë ndërmjet njerëzve dhe një frikë perëndie e admirueshme me fjalë e me vepra“ (28). Në sajë të këtyre virtyteve të rralla dhe si rezultat i përvojës së tij luftarake, ushtarët që ai komandonte nuk e njohën kurrë disfatën, e veçanërisht kur ata e dinin se ky udhëheqës i jashtëzakonshëm ndodhej midis tyre. Kur ndodhej në fushim, nuk shtrihej kurrë pa patur pranë vetes parzmoren dhe armët (29). Sipas Dh.Frangut, i cili ka jetuar për një kohë të gjatë pranë tij, gjatë qëndrimit në kamp, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu flinte gjithmonë shtruar përtokë sipër një qilimi (30). Ky veprim fisnik na kujton një ndër figurat historike më emblematike në historinë e njerëzimit, Jul Çezarin (100-44 p.k.), i cili kishte qenë gjithnjë gjenerali i parapëlqyer i njerëzve të thjeshtë. Jul Çezari dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu bashkëndanin gjithçka me ushtarët e tyre, hanin, pinin, flinin dhe stërviteshin në të njëjtat kushte me ta dhe pikërisht për këtë arsye marshimi i tyre kundër forcave armike shndërrohej gjithmonë në një ortek të papërballueshëm, sepse ashtu si legjionarët romakë në shek.I p.k. edhe luftëtarët arbër të shek. XV, luftonin me vetëmohim dhe si një trup i vetëm, duke ndjekur shembullin e udhëheqësit të tyre karizmatik. Sipas Dh.Frangut, pesë orë gjumë qenë më se të mjaftueshme për Arbnorin e Madh dhe në fillim të betejës ai nuk u drejtohej ushtarëve me fjalët “O burra, o shokë”, por pasi bënte shenjën e kryqit përmbi gjoks, vringëllonte shpatën, vërsulej vetë i pari dhe gjithmonë thërriste “Pas meje (31)“. Përpara zhvillimit të çdo beteje e kishte kthyer në zakon që menjëherë pas mobilizimit të ushtrisë, të kremtohej një Meshë e Shenjtë, e cila kulmonte me ritualin e bekimit të armëve që ushtria do të fuste në përdorim për sfidën e rradhës. Zakonisht bekimi i armëve kryhej në Katedralen e Krujës, por sipas gojëdhënave rezulton se ky ritual i rëndësisë së veçantë është praktikuar edhe në Kishën katolike të Shën Kiarës (Santa Chiara) në Arrameras (Fushë-Krujë). Forca fizike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu ishte e pashterrshme ndaj çdo lodhjeje e mundimi, ndërsa shpejtësia e lëvizjeve të tij ushtarake mund të krahasohej me „incredibilis celeritas (shpejtësi e pabesueshme)“ të një Çezari ose me vezullimin e rrezeve të diellit (32). Prandaj i kishin vënë nofkat „Tέρας (Përbindësh- P.Z.)“ dhe „Yildirim (Rrufe- P.Z.)“, sepse të padurueshme për Prijësin arbër ishin vetëm qetësia dhe prehja (33). Ashtu si Aleksandri i Madh i Maqedonisë, ai ishte i pari në sulm dhe i fundit në tërheqje. M.Barleti rrëfen se, kur kishte ndër mënd t’ia fillonte ndonjë beteje apo kur ndodhej në kulmin e përleshjes, „përveç shenjave të tjera të mrekullueshme të fytyrës që i ndërronte“, ai kishte zakon të kërcëlliste dhëmbët dhe për këtë arsye i çahej buza e poshtme, e cila i mbushej plot me gjak (34). Ky detaj ishte vënë re shpesh jo vetëm në rastet kur zhvillohej ndonjë betejë, por edhe në çështjet civile, kur ai nxehej përtej masës (35). Pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhej, ai rrallë herë e humbiste gjakftohtësinë, por gjithmonë tregohej shumë i matur. Kurrë nuk i braktiste ushtarët e vet të plagosur në fushën e betejës, por gjithmonë kujdesej për ta dhe monitoronte vazhdimisht procesin e mjekimit të plagëve pas përfundimit të çdo beteje. Dh.Frangu rrëfen se ushtarët arbër qenë gjithmonë të stolisur me ar dhe argjend, kurse ai vetë vishej me rroba të thjeshta, me përjashtim të festave, sepse në raste të tilla vishej me shumë sqimë (36). Edhe J.P.Fallmerayer thekson se në të veshur ishte i thjeshtë si Hanibali e Napoleoni, por ai donte me gjithë qejf që luftëtarët e tij t’i shihte të veshur me ar dhe mëndafsh, të ushqyer mjaftyeshëm dhe të paguar mirë (37). Që në fillim të kryengritjes antiosmane në Arbëri (1443), mendimi i përgjithshëm, duke u dhënë me shpirt pas Gjergj Kastriotit-Skënderbeu kishte shkuar aq larg saqë, sipas përfytyrimit të popullit, me personin e tij nuk kishte ardhur djali i Gjon Kastriotit, një i vdekshëm i zakonshëm, por një qënie e një lloji më të lartë, një shpëtimtar, një çlirimtar (38). Prandaj nuk është për t’u habitur, thotë J.P.Fallmerayer, që, në vrullin romantik të epokës, bashkëkohësit e tij e kanë krahasuar me Numen e Romulin, e kanë quajtur „luftëtarin më të madh të botës“ dhe së fundi, të mbetur pa mend nga fati i pashpjegueshëm që e shoqëronte në të gjitha ndërmarrjet e tij, edhe vetë turqit së bashku me arbërit e të krishterët e tjerë kanë njohur te ai një mishërim mbinjerëzor (39). Sipas M.Segonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, gjatë zhvillimit të betejave ka vrarë me dorën e vet mbi 2.000 ushtarë turq (40), pa llogaritur këtu edhe me qindra-mijëra të tjerë, si: persianë, arabë, selxhukë, bizantinë, serbë, hungarezë, bullgarë dhe grekë në kohën kur shërbente pranë sulltan Muratit II, ose venecianë e dalmatë gjatë Luftës shqiptaro-veneciane (1447-1448), italianë dhe francezë gjatë Ekspeditës ushtarake në Italinë e jugut (1461-1462), por edhe shumë tradhëtarë e renegatë arbër që guxuan të ngrihen kundër tij dhe Arbërisë së lirë. Në një kundërsulm të udhëhequr për mbrotjen e kështjellës së Krujës gjatë Rrethimit të parë (14 maj – 26 tetor 1450), Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u hodh në mes të forcave armike dhe pasi u gjend i rrethuar prej tyre, bashkëluftëtarët e vet e menduan të vdekur! Për habinë e të gjithëve, ai u kthye në kampin e vet ushtarak me 50 kalorës dhe i mbuluar me gjak jo vetëm tek shpata, por në të gjitha pjesët e uniformës ushtarake. Mburoja ishte shpuar në të gjitha anët, kurse ai ishte shpërfytyruar deri në atë shkallë aq sa nuk njihej më prej njerëzve të vet, por duke qenë se në trup nuk kishte marrë asnjë plagë; kjo i bëri luftëtarët arbër të besojnë se ai ishte i paprekshëm (41). M.Barleti shkruan se: „të gjithë besonin e thonin se trupi i tij ishte hyjnor dhe i pacënueshëm, që si qasej as hekuri, as ndonjë goditje tjetër njerëzore“(42), dhe me të vërtetë, rezulton të jetë plagosur vetëm një herë gjatë luftimeve dhe kjo ka ndodhur në Betejën e Sfetigradit në muajin korrik të vitit 1465. Kur po çante me shpatë dhe krejt i vetëm midis rradhëve të ngjeshura të ushtrisë osmane, kali i tij u ça nën të dhe më pas ai ra përtokë dhe u përplas mbi trungun e një peme të copëtuar, u vra keq në krahun e djathtë dhe nuk mundte ta lëvizte (43). Pra, kjo ishte hera e parë në të gjithë ato beteja të përgjakshme që ai plagosej dhe jo nga ndonjë goditje e trupave armike, por kjo gjë ndodhi aksidentalisht, dhe aq më tepër, thotë G.Francione, pikërisht pasi ishte përhapur besimi i përgjithshëm se ai ruhej nga ndonjë fuqi magjike (44). Besimi te e mrekullishmja dhe të një ndërhyrje personale e vetë Zotit në rrjedhën e punëve të kësaj bote ka qenë një karakteristikë e dobësisë njerëzore jo vetëm në shek.XV, por ky besim ka qenë dhe është në të gjitha kohët, një nevojë e pakundërshtueshme (45). J.P.Fallmerayer konkludon se: njeriu mund ta kuptonte më lehtë apoteozën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu nga bashkëkohësit e tij, në qoftë se, pa përmendur Aleksandrin e Madh e Jul Çezarin, dhe vetë luftëtari i shek. XIX ka dhënë të kuptohet mjaft qartë se edhe ai e konsideronte vetem si një rrezatim të forcës hyjnore (46). Duke analizuar me vëmendje të gjitha ato që u thanë më sipër, ne, ashtu si J.P.Fallmerayer, i cili u referohet dëshmive të njëzëshme të atyre njerëzve që kanë jetuar bashkë me Heroin tonë Kombëtar, mund të arrijmë në përfundimin se: „Gjergj Kastrioti ishte një nga shfaqjet më të bukura të shekullit të tij“.

BIBLIOGRAFIA:

1)Dh.Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f.83.

2)Dh.Frangu, Po aty, f.83.

3)Dh.Frangu, Po aty, f.83.

4)M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f.57.

5)M.Barleti, vep. cit. f.59.

6)M.Barleti, Po aty, f.60.

7)G.Pontano, De Bello Neapolitano, f.23; Shih edhe G.Pontano, Historia della Gverra di Napoli, f.136.

8)G.Pontano, De Bello Neapolitano, f. 23-24; Krahaso me G.Pontano, Historia della Gverra di Napoli, f.138.

9)S.Pulaha, Lufta shqiptaro-turke, f.234.

10)P.Jovius, Sub Effigie Georgii Castrioti Scanderbechi Epiri Principis. Në: Pavli Iovii novocomensis episcopi nucerini Elogia virorum bellica virtute illustrium veris imaginibus supposita : quæ apud musæum spectantur. Volumen digestum est in septem libros, Florentiae, In officina Laurentii Torrentini DVCALIS Typographi, M.D.L.I. (1551), f.131.

11)J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.198.

12)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.198.

13)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.198.

14)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.198-199.

15)A.Biancotti, vep. cit. f.154.

16)A.Biancotti, Giorgio Castriota detto lo Scanderbeg, f.154.

17)M.Sciambra, G.Valentini & I.Parrino, Papa Kalisti III, Skënderbeu, Shqipëria dhe Kryqëzata (1455-1458), f.37.

18)M.Sciambra, G.Valentini & I.Parrino, Po aty, f.37.

19)M.Sciambra, G.Valentini & I.Parrino, Po aty, f.39.

20)M.Sciambra, G.Valentini & I.Parrino, Po aty, f.39.

21)V.Malaj, Përfytyrimi i Skanderbegut dhe authenticiteti i tij: Gjergj Kastrioti “Athleta Christi” (Përzgjedhje studimesh të Klerikëve Katolikë), f.33.

22)N.Flamuri, Plaga në syrin e djathtë zbulon portretin origjinal të Skënderbeut, Në: Shqiptarja.com, 29 mars 2018 (http://shqiptarja.com/lajm/plaga-ne-syrin-e-djathte-zbulon-portretin-origjinal-te-skenderbeut).

23)L.Alia, Portreti i Gjergj Kastriotit në Galerinë „Uffizi“- Firence, (https://kurbini.info/2018/06/23/portreti-i-gjergj-kastriotit-ne-galerine-uffizi-firence-nga-lutfi-alia/).

24)L.Alia, Portreti i Gjergj Kastriotit në Galerinë „Uffizi“- Firence, (https://kurbini.info/2018/06/23/portreti-i-gjergj-kastriotit-ne-galerine-uffizi-firence-nga-lutfi-alia/).

25)Dh.Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f.83.

26)Dh.Frangu, Po aty, f.83.

27)J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.202.

28)M.Barleti, vep. cit. f.358.

29)Dh.Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f.84.

30)Dh.Frangu, Po aty, f.84.

31)Dh.Frangu, Po aty, f.13 & f.84.

32)J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.201-202.

33)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.202.

34)M.Barleti, Historia e Skënderbeut, f.333.

35)M.Barleti, Po aty, f.333.

36)Dh.Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f.84.

37)J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.201.

38)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.204.

39)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.204.

40)A.Pertusi, Martino Segono, f.144-145.

41)A.Gegaj, Arbëria dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu 1405-1468, f.74.

42)M.Barleti, vep. cit. f.344.

43)Dh.Frangu, Komentar i luftërave të turqve kundër Skënderbeut, f.54; Shih edhe J.Lavardin, Histoire de Georges Castriot Surnomé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, f.428; R.Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.397; J.C.L. Simonde De Sismondi, Storia delle Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Vol. IX, f.216-217.

44)G.Francione, Skënderbeu, një hero multimedial, f.176.

45)J.P.Fallmerayer, Elementi shqiptar në Greqi, f.205.

46)J.P.Fallmerayer, Po aty, f.205.

Nga: Paulin Zefi.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen