Peticion kundër rishikimit të historisë

Histori & Fakte | admin | 27.03.13 | 12:56

Një grup intelektualësh shqiptarë e kanë iniciuar një peticion kundër rishikimit të historisë nën mbikëqyrjen e autoriteteve shtetërore turke. Peticionin e ka nënshkruar edhe shkrimtari Ismail Kadare.

Një peticion i nënshkruar nga një numër i madh intelektualësh shqiptarë, midis të cilëve edhe shkrimtari Ismail Kadare, u është dërguar udhëheqësve të dy shteteve shqiptare. Në të kërkohet që udhëheqësit shtetërorë të anulojnë punën e komisionit të përbashkët ndërshtetëror për rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe të lejojnë historianët të bëjnë punën e tyre të pavarur shkencore, sipas parimeve dhe metodologjisë së shkencës historike dhe jo sipas interesave, urdhrave dhe vullneteve politikë të qeverisë së sotme të Turqisë.

Në peticion thuhet se pushtimi osman shkaktoi një gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar.

“Ai e ndërpreu procesin normal historik të zhvillimit të kombit tonë. Ky pushtim i shkëputi me dhunë shqiptarët nga Europa dhe shkaktoi tragjedi dhe drama të pashlyeshme në kujtesën historike të kombit. Nuk mund të pajtohemi kurrë dhe dënojmë përpjekjet e disa pseudohistorianëve dhe të segmenteve të caktuara politike, të cilat përpiqen që shekujt e gjatë të pushtimit osman t’i paraqesin si kohë të bashkëjetesës paqësore dhe të suksesshme”, thuhet në peticion, shkruan Express.

Madje aty theksohet se pashallarët, ushtarakët, zyrtarët apo shtetarët e lartë të Perandorisë Osmane, qofshin këta edhe kryeministra që i kanë shërbyer Portës së Madhe, pavarësisht nga origjina e tyre shqiptare nuk kanë vlerë për historinë tonë kombëtare.

Hartuesit e peticionit sqarojnë se historia e Shqipërisë nuk është një histori renegatësh dhe as histori shërbëtorësh, por histori qëndrese me në krye Gjergj Kastriotin.

“Është histori kryengritjesh e luftërash për liri, histori përpjekjesh për ruajtjen e gjuhës, të kulturës e të identitetit. Është histori e përpjekjeve titanike për Rilindje Kombëtare, për shkrimin shqip, histori e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta për liri, pavarësi dhe sovranitet kombëtar. Është histori e përpjekjes së pandalur të shqiptarëve për të jetuar të lirë me shtetin, kulturën dhe identitetin e tyre si të gjithë popujt e tjerë të qytetëruar të Europës”, thuhet në peticion.

Po aty shkruan se përpjekjet që interpretimi i historisë të bëhet në funksion të pushtetit dhe jo në funksion të së vërtetës, janë të rrezikshme dhe vënë në pikëpyetje të ardhmen tonë. Ndërsa, shtohet se të njëjtën kërkesë mund ta bëjë pas disa vitesh edhe Serbia.

“Ndryshimi i historisë në formë arbitrare, duke i ardhur rreth oreksit të diplomacisë turke, krijon një precedent të rrezikshëm: pas disa vitesh edhe Serbia mund të kërkojë të shpallet vetëm një administratore në Kosovë dhe ajo të vlerësohet pozitivisht për lirinë, pavarësinë, kulturën dhe identitetin tonë”, thuhet po aty.

Tutje në peticion shkruan se pushtimi pesëshekullor turk ka qenë i dhunshëm dhe përgjatë asaj periudhe të gjatë, ka pasur vrasje, shfarosje, dhunë të vazhdueshme, ndërkohë që shqiptarët ishin populli më i persekutuar i Perandorisë.

“Të mos harrojmë faktin se nga të gjitha gjuhët e të gjithë popujve të pushtuar nga osmanët, gjuha shqipe u ndalua në mënyrë të veçantë e me forcë. Mjafton vetëm ky fakt për të treguar gjenocidin e Perandorisë osmane kundër shqiptareve, kundër kulturës dhe identitetit të tyre. Ne nuk mund t’i fshehim te vërtetat historike. Mjafton të kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e panumërta të Rilindësve shqiptarë për të parën shkollë shqipe laike, e cila u arrit të hapej vetëm me 7 mars 1887 në Korçë”, vazhdon peticioni.

Po aty thuhet se ndryshimet e historisë, që synojnë rehabilitimin e pushtimit osman, përbëjnë një lojë të rrezikshme që hap një plagë të thellë në ndërgjegjen tonë kombëtare.

“Ndryshimet e historisë me ekspertë turq përbëjnë një agresion kulturor që godet shtyllën kurrizore të kombit, ato janë një fyerje e papranueshme për shqiptarët dhe me pasoja për të ardhmen dhe identitetin e tyre. Të gjithë tashmë e dimë se çdo ndërhyrje në histori sipas skenarëve të paracaktuar politikë cenon ADN-në e kombit shqiptar.”, thuhet po aty.

Nënshkrimet e tyre në këtë peticion i kanë dhënë mbi 100 shkrimtarë, historianë, akademikë, publicistë, gazetarë dhe studiues të fushave të ndryshme. /Telegrafi/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen