Turkofobia

Arkivi | admin | 09.04.11 | 07:45

 

Turkofobia është investim politik kundër shqiptarëve

 
 Gazeta Sot  
E ejte 08 Prill 2011                                  Turkofobia
 
Nga Selim GOKAJ
 
Ndër vizitorët e panumërt që mbushën pavijonet e panairit të prodhimit të mallrave turke dhe që është i pesti në llojin e tij i cili hapet përvitshëm në Tiranë, ishte edhe kreu i ekzekutivit shqiptar, Z. Sali Berisha. Përballë mediave, që e intervistuan,
 
Berisha deklaroi se popullin shqiptar dhe popullin turk i lidhin mijra fije gjatë historisë së tyre dhe se këto dy kombe kanë qeverisur një nga perandoritë më të mëdha të njerëzimit. Duke zbritur më poshtë historisë në kohë, Berisha theksoi se sot në Stamboll jetojnë më shumë shqiptarë se në Tiranë dhe se investimet turke në Shqipëri, dy vitet e fundit, janë rritur 5 herë, ndërsa shkëmbimet tregtare në mes të dy shteteve i kanë kaluar një miliard dollarë. Kryeministri e mbylli fjalën e tij me shprehjen superlative, se marrëdhëniet në mes të Turqisë dhe të Shqipërisë sot janë të shkëlqyera. Kaq tha kryeministri shqiptar për raportet e vërteta në mes të shtetit shqiptar dhe atij turk, gjë që ishte e mjaftueshme për t’i bërë turkofobët në Shqipëri që të flasin me vehte. Dhe turkofobët, për fat të keq nuk janë pak në Shqipëri. Ata i kanë fillimet e tyre tek ideologjia sllavo-komuniste, e cila u bëri një portret të njëanshëm dhe të rremë raporteve të Perandorisë Osmane me shqiptarët, duke i tejmbushur tekstet me figura turqish, që sipas tyre, paskan shkatërruar çdo vlerë humane, kulturore dhe ekonomike në Shqipëri, duke mbjellur kështu një urrejtje patologjike tek shqiptarët kundër turqve, dhe duke harruar qëllimisht t’u kujtojnë shqiptareve fqinjët e tyre serbë, malazezë, grekë dhe italianë që, për ato vite, kur ushtritë e tyre vërshuan në Shqipëri, shkatërrimet, vrasjet dhe përdhunimet ndaj shqiptarëve nga këto fqinjë as që mund të krahasohen me atë që bënë turqit në 500 vite pushtim. Edit Durhan, studiuesja e njohur britanike e çështjeve ballkanike, në kujtimet e veta për Ballkanin, do të shkruante: “Tani që serbët erdhën në Ohër (viti 1913) dhe grekët në Korçë, fillova ta ndiej vehten fajtore që dikur kisha uruar që turku të largohej nga Evropa, sepse, sa ishte turku aty, shpresat nuk ishin shuar. Kurse, këta pushtues “të krishterë” ishin 100 herë më të këqij se turqit”. Ideologjia sllavo- komuniste krijoi në mendjen e shqiptarëve idenë se ata luftuan 500 vjet kundër turqve, në një kohë që ish- drejtori i arkivave të shtetit, Shaban Sinani, do të deklaronte në media se nuk është e vërtetë që shqiptarët kanë luftuar gjithmonë kundër turqve, sepse ka pasur periudha të gjata qetësie, kur të dy palët kanë qeverisur së bashku Perandorinë Osmane. Historia dëshmon së janë 37 kryeministra shqiptarë, ata që kanë qeverisur në ato vite Perandorinë Osmane dhe se vetëm në Perandorinë Osmane shqiptarëve u janë krijuar mundësitë për të treguar aftësitë e tyre, duke i dhënë kësaj perandorie nëpunës të tjerë të lartë në fushën politike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore. Por, nuk duhet harruar se turkofobët në Shqipëri janë pjesë e turkofobisë evropiane e cila ia ka mbyllur dyert Turqisë gjigande drejt anëtarësimit në BE, në një kohë që i ka hapur dyert për shtete “buburreca”, si: Bullgaria dhe Rumania. Por, nuk duhet të anashkalohet fakti se turkofobia në Shqipëri, ashtu si turkofobia evropiane, është pjesë e rrezikshme e islamofobisë që është dukuri e theksuar e portretit real të Evropës sot, e cila duket se e meriton akuzën e politikës së sotme turke që e quan Bashkimin Evropian “një klub i krishterë”. Turkofobia në Shqipëri merr sa pamje komike, aq edhe tragjike, duke cënuar edhe historinë e popullit shqiptar. Analistë të krisur, qe kanë vuajtur dhe janë gjymtuar në burgjet komuniste , arrijnë deri atje sa deklarojnë në media se shqiptarët janë dembele dhe se këtë dembelizëm e kanë dhuratë nga Perandoria Osmane, në një kohë që turqit dhe shqiptarët nuk njihen si popuj dembelë. Sot, Turqia është fuqia e 16 ekonomike e botës, arritje e cila ka brenda mundin dhe djersën e popullit turk. Kurse turkofobë të tjerë në Shqipëri bëjnë thirrje që të fshihen nga faqja e historisë sonë 500 vitet, kur tek ne sundonte Perandoria Osmane. Turkofobia tek shqiptarët u intereson në mënyrë absolute fqinjëve tanë, pa u lakuar emrat, sepse ata janë në një linjë me njeri tjetrin, duke synuar gjithmonë që të nxisin urrejtjen ndër shqiptarë kundër Turqisë. Dhe për të realizuar një gjë të tillë, ata u nxjerrin shqiptarëve në çdo sekondë para syve portretin e rremë të Perandorisë Osmane që ka marrë pamjen e një gogoli me të cilin shqiptarët mund të trembin edhe fëmijët, kur nuk i zë gjumi në mbrëmje. Duhet ditur se turkofobët nuk janë njerëz të rëndomtë që janë të abonuar nëpër kafene dhe sillen rrugëve pa ditur se ku shkojnë .Ata janë për fat të keq pjesë e mediave, analistë, që pa u shqetësuar diskutojnë në media për libra që nuk i kanë lexuar kurrë, janë pjesë të politikës shqiptare që pranojnë vetëm t’i binden “shkopit të dirigjentit” dhe nuk janë kurrë origjinale dhe me personalitet të pavarur politik dhe publik. Turkofobët janë shumë të shqetësuar nga pritja madhështore që u është rezervuar nga populli shqiptar udhëheqësve më të lartë të shtetit turk që kanë realizuar vizita zyrtare në Shqipëri dhe në Kosovë. Ata duhet ta kenë të qartë se shqiptarët në Shqipëri nuk mund ta harrojnë mbështetjen vendimtare të qeverisë turke, kur territori ynë u rrezikua të cënohej nga forcat ushtarake greke në ngjarjet e rënda të vitit 1967 të cilat i patëm “dhuratë” nga “miqtë tanë ndërkombëtare” që monitorojnë jetën politike, ekonomike dhe ushtarake në të gjithë planetin. Po ashtu, shqiptaret e Kosovës i janë mirënjohëse Turqisë që njohu e para pavarësinë e Kosovës, pa harruar se ishte Turqia ajo që kundërshtoi ndalimin e përkohshëm të bombardimeve mbi Serbi, i cili do t’i krijonte mundësinë serbëve për të populluar Kosovën me serbë të Kroacisë, pasi i deboi shqiptarët e Kosovës nga trojet e tyre, gjë që do të sillte ndalimin e bombardimeve mbi Kosovë. Ish- kryeministri shqiptar i atyre viteve, Pandeli Majko, do të deklaronte në një emision televiziv se ne do ta sulmonim Serbinë, nëse ndaleshin bombardimet dhe se mbështetje për këtë sulm do të kishim një vend të fuqishëm dhe shumë mik të Shqipërisë. Majko nuk e deklaroi emrin e atij shteti mik, por teleshikuesit e kishin të qartë se bëhej fjalë për Turqinë. Është mirë të njihen fakte të vërteta për të bërë një portret të saktë të marrëdhënieve historike të shqiptarëve me Perandorinë Osmane që t’u hiqet maska turkofobëve në hapësirat shqiptare të cilët bëjnë përpjekje për t’i shkëputur shqiptarët nga miqtë e tyre të vërtetë dhe shekullorë. Turkofobët shqiptarë duhet të mos harrojnë se para shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1912 nga Perandoria Osmane, shqiptarët jetonin në një sipërfaqe prej 75 km katrore. Kurse sot, shqiptarët jetojnë vetëm në një sipërfaqe prej 45 mijë km. katrorë. Komenti besoj se është i tepërt, sepse këto 30 mijë kilometra katrorë nuk ia shkëputen Shqipërisë as turqit, as arabët, por Evropa “e qytetëruar” dhe “demokratike”. Prandaj, këngëtari i njohur kosovar, Ilir Shaqiri, është bërë i famshëm në të gjitha trojet shqiptare me këngën drejtuar Evropës “Kthema borxhin” (kthemi trojet që më grabite). Janë pikërisht këto turkofobë që sulmojnë dhe penalizojnë investimet turke në Shqipëri, kujtojmë zhurmën e pafund kundër shitjes së Albtelekomit, penalizimin e telefonisë celulare Eagle mobile, sulmet kundër shoqërisë “Kurum” në Elbasan, investime këto që realisht i kanë dhënë një impuls të fuqishëm ekonomisë shqiptarë që nuk mund të kontestohet. Ishin turkofobët shqiptarë të parët që u ngritën në këmbë të tërbuar, kur partia e politikanëve Erdogan dhe Gyl fitoi zgjedhjet në Turqi, duke sulmuar edhe gratë e tyre muslimane që ishin të mbuluara me shami të cilat, sipas tyre, do ta kishin të pamundur të shoqëronin bashkëshortët e tyre në pritjet dhe ceremonitë zyrtare, sepse nuk do të ishin të mirëpritura nga se ishin të mbuluara me shami, sikur shamia muslimane të ishte helmetë naziste. Ishin turkobofët, të cilët janë të strehuar në mediat shqiptare, ata që, vizitës së fundit të presidentit Gyl në Shqipëri, i lejuan hapësira mikroskopike në disa media të shkruara, sikur ai të ishte një politikan hije që kishte ardhur në Shqipëri për afera të dyshimta. Kaq i kanë hapësirat për të vepruar sot turkofobët shqiptarë që përpiqen të minojnë marrëdhëniet mes të popullit shqiptar dhe atij turk. Por, arma, që turkofobët përdorin ashpër kundër Turqisë për të nxjerrë jashtë loje lidhjen shekullore të Turqisë me Shqipërinë, është akuza e trilluar se Perandoria Osmane na paska larguar nga feja e të parëve të krishterë, duke na bërë muslimanë që, sipas këtyre turkofobëve maniakë e fanatikë, është fatkeqësia më e madhe që u ka ndodhur “shqiptarëve të shkretë”. Dhe mjeti për të konvertuar shqiptarët në muslimanë, sipas turkofobëve, paska qenë dajaku dhe shpata e turkut. Pa hyrë në detaje, islamizimi nuk është fatkeqësi për shqiptarët, sepse islami është fe hyjnore dhe praktikohet thuajse nga 2 miliard njerëz në botë dhe secila fe është vlerë për njeriun, duke qenë pjesë e edukatës së tij. Muslimanët i luten zotit, ashtu si i lutën Zotit edhe të krishterët. Shqiptarët e zgjodhën fenë islame për të shpëtuar nga asimilimi sllav, gjë që solli mbijetesën e popullit shqiptar. Perandoria Osmane është e njohur për modelin e saj tolerant dhe janë të njohura dëshmitë e personaliteteve politike dhe historike të kohës dhe më vonë, që e vlerësojnë këtë tolerancë. Është gjithashtu i dokumentuar fakti se vetëm 4% e popullsisë së Perandorisë Osmane është konvertuar në fenë islame, në një kohë që, vetëm më pak përpjekje dhe më pak “shpatë” të turkut, nuk do të kishte mbetur këmbë e krishteri në këtë perandori. Prandaj, akuza për dhunë të përdorur nga Perandoria Osmane për të konvertuar shqiptarët në muslimanë është vetëm një përrallë që mund t’u tregohet fëmijëve në një natë dimri Kjo për faktin se popullata dhe kombe të tëra në Perandorinë Osmane, duke përfshirë edhe fqinjët tanë grekë dhe serbë, nuk u konvertuan në fenë islame, sepse nuk ishte dhuna mjeti për të konvertuar qytetarët e kësaj perandorie në myslimanë. Përpjekjeve të mashtruesve dhe fanatikëve turkofobë që përpiqen për të manipuluar të vërtetën për marrëdhëniet historike të shqiptarëve me Perandorinë Osmane, ua ka dhënë përgjigjen kryeministri turk, z.Taip Rexhep Erdogan, gjatë vizitave të tij në Shqipëri duke deklaruar në mediat shqiptare se e vërteta e këtyre marrëdhënieve është në arkivat turke duke përfshirë këtu edhe të vërtetën për figurën e Skëndërbeut. Prandaj, turkofobët shqiptarë është mirë të lexojnë më shumë, të zhvishen nga fanatizmi dhe tërbimi kundër turqve që u ka errur sytë dhe ta njohin të vërtetën, sepse ndryshe do të bien viktimë e sloganit zgjedhor: “Fajin e ka Saliu” alias “Fajin e ka turku”. Por, për turkofobët nuk është e lehtë që të rrisin numrin e fansave të tyre në Shqipëri, sepse shqiptarët e dinë mirë se turkofobia ka prapavijë të theksuar fetare, e thënë pa dorëza, penalizimi i turqve dhe i Perandorisë Osmane bëhet për arsye të përkatësisë se tyre fetare që është Islami. Ky është thelbi i problemit. Të tjerat janë vetëm derivate dhe pjesë e një perdeje tymi me të cilën turkofobët duan t’u mbyllin sytë shqiptarëve që ata të mos e njohin të vërtetën për marrëdhëniet e shqiptarëve me turqit gjatë historisë që, për pesë shekuj, ata e patën të përbashkët. Përballë turkofobisë, shqiptarët njohin edhe një të vërtetë tjetër e cila është e pasqyruar tek vazhdimësia e një miqësie vëllazërore në mes të popullit turk dhe atij shqiptar, e cila funksionon në mënyrë të shkëlqyer edhe në ditët e sotme. Shqiptarët kanë patur mundësi që ta njohin madhështinë dhe forcën e mbështetjes së popullit turk për popullin shqiptar. Politikanët turq i kanë garantuar mbështetje Shqipërisë, pavarësisht, nga spektri politik që është në pushtet. Ata janë dëshmitarë të pritjeve madhështore që u është bërë si Sali Berishës, ashtu edhe Fatos Nanos, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës, kur ata kanë bërë vizita zyrtare në Turqi… Në kujtimet e tij, mbreti i shqiptarëve, Ahmet Zogu, pranonte si gabimin e vetëm të jetës së tij atë që nuk u vendos në Turqi, kur ishte në mërgim, por bëri ecejake nëpër Evropë, ku njohu mashtrimin dhe mospërfiljen ndaj tij dhe ndaj te gjithë shqiptarëve të cilëve Evropa po ua përgatiste lakun komunist për t’ia vendosur në qafë në fund-vitin e 1944. Megjithëse sot, turkofobët kanë në dispozicion hapësira politike ekonomike dhe financiare, misioni i tyre ka arritje minimale, sepse politika shqiptare në të gjitha trojet shqiptare e ka pranuar partneritetin me Turqinë në të gjitha fushat ku spikasin ato ekonomike dhe ushtarake, pa harruar edhe partneritetin politik i cili shkëlqeu tek mbështetja e jashtëzakonshme e Turqisë për anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Turkofobët, në hapësirat shqiptare, duhet t’i heqin syzet antiturke me të cilat i shohin marrëdhëniet historike në mes të shqiptarëve dhe turqve dhe të pranojnë fakte nga e kaluara historike dhe nga realiteti i sotëm i këtyre marrëdhënieve që i bëjnë popullin shqiptar dhe popullin turk një simbiozë historike e cila u ka bërë ballë shekujve duke qenë gjithmonë një investim i fuqishëm për të ardhmen e popullit shqiptar dhe popullit turk.
 
 
 
http://www.sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=43208:turkofobia-eshte-investim-politik-kunder-shqiptareve&catid=55:komente&Itemid=69  
 
 
 
 
  

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen