Dr. Riza Sadiku: Mërgata shqiptaro – amerikane për Kosovën, Prishtinë 2011

OP-ED | Mikel Gojani | 12.11.11 | 23:00

Recension

Libër që pasqyron ndërkombëtarizimin dhe sensibilizimin e çështjes së kosovës nga mërgata shqiptare në amerikë

Historiani dhe studiuesi i mirënjohur , dr. Riza Sadiku, autor i shumë veprave studimore historike, po ashtu edhe i shumë publikimeve shkencore, këto ditë ka botuar librin mjaft voluminoz të titulluar, “Mërgata shqiptaro-amerikane për Kosovën”.

Thelbi kryesor që përvijohet në librin e studiuesit Sadiku është pikërisht lidhja shpirtërore e mërgatës sonë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Amerikë, me atdheun/kombin e tyre, e cila lidhje që më tepër që një shekull pa u ndalë veproi si një trung i vetëm dhe gjithnjë duke i dalë zot atdheut/vendit të të parëve.

Libri është i shkruar në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Librit i paraprin një parathënie e autorit, i cili jep disa të dhëna rreth rrugëtimit historik të shqiptarëve, përkatësisht mërgimit të këtij komuniteti nëpër dallgët e kohërave për në “tokën e ëndërrimeve të mëdha”.

Autori Sadiku, po ashtu në libër ngërthen veprimtaritë dhe angazhimet e kësaj “dege të ndarë nga trungu amë”, tejoqeanit. Duke gjurmuar të kaluarën shqiptare në Amerikë që nga thellësitë e dekadave të veprimit të tyre, gjejmë kontributin e shumë misionarëve të shquar, qysh në kohërat e hershme dhe deri në ditët tona. Po ashtu, në libër gjejmë edhe rolin dhe kontributin e çmueshëm që kanë dhënë në ruajtjen e identitetit dhe të përhapjes së dijes dhe kulturës shoqatat dhe gazetat e kohës, që nga “Vatra”, “Besa Besën, “Dielli” etj. edhe sot këto shoqata dhe gazeta luajnë një rol tejet të rëndësishëm në jetën kulturore, politike dhe shoqërore në Amerikë. Një argument i rëndësishëm të cilin nuk duhet harruar për asnjë çast këtij komuniteti është edhe kontributi dhe angazhimi i tyre në ndërkombëtarizimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi tek qarqet me relevante politike në Amerikë, por edhe në vendet të tjera të botës demokratike, deri më çlirimin e tokës së Kosovës, në qershorin e vitit 1999.

Në vijim autori prezanton edhe emrat (me biografi të shkurtra), të të gjithë kryetarëve të Amerikës, që nga Xhorxh Uashingtoni (kryetar i parë i SHBA-ve) dhe deri të Barak Obama, president i fundit, i cili gjendet edhe aktualisht në krye të Shtetit Amerikan.

Cilitdo lexues që lexon këtë libër monografik, në fillim të tij i bie në sy, po ashtu edhe mesazhi i mikut dhe ish-kryetarit të SHBA-ve, T. Ruzvelt, për popullin shqiptar, dhënë Nolit më 25 korrik 1918, gjatë një interviste, të cilën më 26 korrik 1918 e boton gazeta “Dielli”. Në të, veç tjerash thuhet: “Shqiptarët i dua dhe i admiroj, se janë një racë e vjetër dhe trime, që meriton të shpëtohet dhe të vetëqeveriset. Di që në shumë raste turqit, grekët dhe serbët bashkoheshin dhe lidheshin me tyre për t’u bënin ballë shqiptarëve. Di pastaj se shqiptarët janë besnikë dhe të ndershëm dhe kur japin fjalën e mbajnë si burrat…” Në vazhdim të intervistës, kryetari i atëhershëm, T. Ruzvelt, shqiptarëve po ashtu u jep këtë porosi: “Thuaju shqiptarëve që dëshiroj ta shoh Shqipërinë intependente, dhe që independenca e tyre duhet të sigurohet nën mbrojtjen dhe garancinë e Fuqive Aleate, të Amerikës, Inglizit dhe Francës. Nga ana ime do të bëj ç’të më vijë dorës për të drejtat e racës shqiptare”, thuhet në mesazhin e kryetarit Ruzvelt.

Sipas autorit Sadiku, me rritjen e numrit të mërgimtarëve shqiptarë, në fillim të shekullit XX në Amerikë filluan të themeloheshin shoqëritë kulturore, po ashtu edhe botimi i gazetave. Në këtë drejtim, në këtë kohë në themelimin e këtyre shoqërive dhe hapjen e këtyre gazetave kontributin më të madh kanë dhënë intelektualët dhe personalitetet të kohës, si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kristo Floqi, Paskal Aleksi e shumë të tjerë. Në fokus të këtij angazhimi dhe aktiviteti autori pasqyron Federatën Panshqiptare “Vatra”, e cila prej themelimit më 1912, e deri më sot ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kultivimin e traditave kombëtare dhe ndërgjegjësimin kombëtar. Edhe gazeta “Dielli”, organ i kësaj shoqate gjatë gjitha periudhave ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në fushën e informimit dhe të publicistikës.

Libri i studiuesit Sadiku, është i konceptuar në disa kapituj, që janë renditur kronologjikisht, pra kapituj këta, që paraqesin një kontinuitet të rrugëtimit historik të këtij komuniteti dhe të veprimtarive të tij gjatë këtij rrugëtimi.

Në kapitullin “Shpërngulja e shqiptarëve në SHBA pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe veprimtaria e tyre kombëtare”, autori pasqyron migrimin e shqiptarëve në Amerikë gjatë kësaj periudhe, po ashtu edhe kontributin dhe angazhimin e tyre në të mirë të çështjes kombëtare. Në këtë kapitull autori vë në pah themelimin dhe organizimin e disa shoqatave dhe komiteteve shqiptare të cilat funksionin e tyre e kanë zhvilluar krejt në shërbim të kauzës. Këtu potencohet roli dhe kontributi i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, në krye të Mid’hat Frashërit më 1948, që ishte themeluar më 1948, mirëpo ky Komitet kishte paraparë që selinë ta ketë në Nju Jork, mirëpo për shkak të vdekjes së hershme të kryetarit të këtij komiteti, Mid’hat Frashëri, ajo mbetet në Paris.

Në vijim të kapitullit “Lidhja kosovare”, autori trajton themelimin dhe kontributin politik të “Lidhjes kosovare”, që lindi si kërkesë e kohës më 1949, për t’i përfaqësuar drejtpërdrejt, në mënyrë legjitime dhe institucionale interesat e popullit shqiptar të Kosovës, prej Manastirit deri në Tivar, në organizatën e bashkimit Federal të Grupeve Etnike të Evropës, në administratën amerikane dhe tek organizatat të tjera ndërkombëtare. Në themelimin dhe veprimin e kësaj lidhjeje kontribut të veçantë kanë dhënë Mid’hat Frashëri, i cili njëherësh ishte edhe ideator i këtij komiteti, pastaj, personalitetet e kohës, si Ing. Nexhat Mitrovica, Prof. Luan Gashi, Hafëz Jusuf Azemi, Ing. Adem Gllavica, prof. Ibrahim Kelmendi, Prof. Hysni Hoxha, Ing. Ejup Binaku dhe Avdyl Henci. Kurse, si organ i kësaj Lidhjeje ka qenë gazeta “Përpjekja kosovare”, kontributi i secilës është e jashtëzakonshme.

Kapitujt në vijim, “Shënimi i javës së Kombeve të Robëruara në SHBA dhe rëndësia politike në afirmimin e çështjes kombëtare – Kosovës”, po ashtu edhe “Rëndësia politike e shënimit të Ditës së Flamurit Kombëtar në SHBA”, paraqesin ngjarje të rëndësishme të aktivitetit dhe angazhimit të komunitetin shqiptar në Amerikë.

Po ashtu, interes të veçantë në këtë libër paraqet edhe kapitulli “Kontributi i mërgatës shqiptare në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës përmes demonstratave në SHBA”, ku autori pasqyron rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë gjatë gjitha periudhave të veçanta historike, që përmes organizimit të protestave dhe demonstratave të bëjë afirmimin dhe sensibilizimin e çështjes shqiptare. Sipas autorit organizimi i këtyre demonstratave dhe protestave të shqiptarëve nëpër të gjitha vendet të Amerikës janë zhvilluar gjatë zhvilluar gjatë gjitha periudhave kohore, mirëpo, ato intensifikohen në vitin 1968, dhe sidomos pas vitit 1981, për shkak të masave represive, vrasjeve dhe dënimeve drakonike që kanë ushtruar pushtetmbajtësit e regjimit serbollav ndaj organizatorëve dhe pjesëmarrësve shqiptarë të demonstratave në Prishtinë dhe në Tetovë, dhe të atyre në tërë Kosovën më 1981. Kulmin e demonstratave mërgata shqiptare në Amerikë e arrin gjatë viteve 1989-1999, kur regjimi shovinist i Milosheviqit e ndryshon me dhunë Kushtetutën e Kosovës dhe e shkallëzon edhe më shumë shtypjen e popullit shqiptar, nga e cila dhunë shpërtheu lufta e armatosur ndërmjet regjimit serb të Beogradit dhe UÇK-së. Kjo mërgatë përmes demonstratave, jo vetëm që sensibilizoi opinionin amerikan dhe botëror, për dhunën që ushtronte regjimi komunist i Serbisë ndaj populli shqiptar, në veçanti ndaj atij të Kosovës, pro përmes peticioneve dhe memorandumeve të ndryshme arriti ta aktualizonte çështjen shqiptare te organizatat ndërkombëtare, në administratën amerikane dhe te përfaqësuesit e shteteve të ndryshme demokratike. “Demonstratat e mërgatës shqiptare në Amerikë, shprehet autori, ndikuan edhe në ndërgjegjësimin e një pjese të mërgimtarëve dhe të shqiptarëve të vendeve të ndryshme të trojeve etnike, të cilat patën ndikim në kontributin e përgjithshëm që dha populli shqiptar si në aspektin humanitar, ashtu edhe në atë financiar gjatë kohës së segregacionit të regjimit gjenocidial të Beogradit kundër popullit shqiptar të Kosovës, si dhe gjatë periudhës së luftërave çlirimtare, të cilat shpërthyen në territoret shqiptare të ish-Jugosllavisë gjatë viteve 1999-2001”, shprehet autori Sadiku dhe sqaron se demonstrata të tilla janë mbajtur në shumë shtete dhe qytete të Amerikës, si në Uashington, Nju Jork, Detroit, Bonston etj.

Kapitull, i cili në vete ngërthen shumë çështje casino online të rëndësishme për mërgatën shqiptare në Amerikë, paraqet shënimi i jubileve kombëtare në funksion të afirmimit të çështjes shqiptare, me ç’rast, në këtë aspektin rol dhe kontributin e vet shumë të çmuar e ka luajtur Lëvizja kombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Mërgim”, e cila funksionin e vet me mjaft sukses për shumë dekada e ka luajtur dhe akoma e luan në Amerikë, përkatësisht në Nju Jork, me kryetarin e saj, Ismet Berisha dhe sekretarin e përgjithshëm, studiuesin Tomë Mirjaj. Kjo lëvizje nacionaliste dhe kombëtare, gjatë rrugëtimit të vet historik, në vazhdën e shumë aktiviteteve ka zhvilluar shumë veprimtari politike, kulturore dhe kombëtare, krejt me qëllim të sensibilizimit dhe internacionalizimit të çështjes së Kosovës dhe të asaj shqiptare në përgjithësi. Në veprimtaritë që ka zhvilluar kjo Lidhje kanë marrë pjesë personalitete shumë të çmuara të jetës politike, shkencore dhe kulturore, të mërgatës shqiptare, mirëpo edhe personalitete të tjera nga këto fusha edhe të jetës politike, shkencore dhe kulturore amerikane. Në këto organizime, me qëllim të propagandimit, të sensibilizimit dhe të mbajtjes gjallë të jetës politike, shkencore, kulturore dhe kombëtare, veprimtarët të kësaj organizate nacionaliste pjesëmarrësve dhe mjeteve të informimit publik u kanë shpërndarë materiale të ndryshme propagandistike, botime të veçanta ekskluzive, broshura, buletine informative, harta të Shqipërisë etnike, rezoluta dhe dokumente të tjera të miratuara nga organizatat të ndryshme ndërkombëtare. Janë të shumta veprimtaritë kulturore, politike dhe shkencore që gjatë viteve të funksionimit të saj që ka zhvilluar kjo Lidhje. Me angazhimin e kësaj Lidhjeje janë shënuar shumë veprimtari kombëtare, si shënimi i datave dhe ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, shënimi i jubileve të personaliteteve të shquara të jetës historike, kulturore e kombëtare të kombit tonë, si përvjetorët e kryeheroit të kombit tonë, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, të Lidhjes Shqiptare, etj. Janë të shumta faksimilet e këtyre aktiviteteve që figurojnë nëpër gazetat e shtypin e kohës, të organizuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Mërgim”, që pa një aktivitet të këtillë propaganda jonë në mërgim, përkatësisht në Amerikë, do të kishte qenë e varfër. Janë të shumta edhe fotografitë që janë prezantuar në këtë brendi të këtij kapitulli, që dëshmojnë aktivitetin dhe veprimtaritë të kësaj Lidhjeje. Kjo Lidhje po ashtu ka ndihmuar shumë edhe lëvizjen e fundit të UÇK-së, që është sublimim i lëvizjeve të mëparshme ushtarake dhe kombëtare.

Me qëllim të pasyqrimit të këtyre aktiviteteve dhe veprimtarive të mërgantës në Amerikë, nën organizimin e Muzeut të Kosovës, përkatësisht të organizatorit të saj, prof. dr. Riza Sadikut, që është mbajtur në vitin 2009 në Prishtinë, e cila ekspozitë ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Kjo ekspozitë ka qenë e hapur edhe në Tiranë. Kjo ekspozitë, duke filluar nga fundi i nëntorit pritet të hapet edhe në disa qytete të Amerikës, si Washington,Yonkers New York, Detroit e Chikago. Edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit në mërgim, edhe sot, me mjaft sukses e zhvillon veprimtarinë e saj kulturore, shkencore dhe kombëtare, krejt në interes të kombit dhe të kauzës sonë në përgjithësi. Platforma politike dhe filozofike e kësaj Lëvizjeje ka për synim bashkimin e trojeve etnike.

Në këtë aspekt, në vazhdim të librit rëndësi të veçantë paraqet kapitulli “Roli i mërgatës shqiptare në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në administratën amerikane”, me ç’rast autori përmes faksimileve të gazetave dhe revistave të kohës argumenton kontributin e mërgatës shqiptare në Amerikë për punën dhe angazhimin e tyre që kanë zhvilluar në sensibilizimin e çështjes së Kosovës tek administratat amerikane, krejt me qëllim të njohjes së kësaj administrate me të vërtetën e Kosovës dhe të popullit të saj nën okupimin serb. Janë të shumta letra, mesazhe dhe kërkesa legjitime të kësaj mërgate që i drejtohen kësaj administrate me qëllim të kërkimit të ndihmës këtij populli të robëruar dhe të nëpërkëmbur, me mungesë të lirisë dhe demokracisë. Pastaj, në vazhdim kemi kapitullin tjetër tejet të rëndësishëm, “Liga qytetare shqiptaro – amerikane, e udhëhequr nga kryetari i saj veprimtari i palodhshëm i çështjes kombëtare, Jozef DioGuardi, ligë kjo e cila gjatë kësaj periudhe ka luajtur rol të rëndësishëm në përforcimin e lobit shqiptar dhe në sensibilizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes mbarëkombëtare, në veçanti të Kosovës, si në administratën e Kosovës, ashtu edhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Në vijim të librit autori Sadiku flet edhe për themelimin dhe rolin politik të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, ku sipas tij ky këshill është organizata më e re politike e themeluar në mërgim më 1996 me seli në Uashington. Në kuadër të këtij këshilli, shpjegon autori, vepronin edhe disa kongresistë dhe senatorë dhe personalitete të shquara të jetës politike dhe publike amerikane. Sipas autorit, ky këshill është organizata më aktive në mërgatën shqiptare, e cila ka luajtur rol tejet të rëndësishëm, jo vetëm në afirmimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes mbarëkombëtare, gjatë periudhave të krizave më të thella për popullin shqiptar, po ashtu rol të rëndësishëm është duke luajtur edhe sot , si në pranimin e pavarësisë së Kosovës, po ashtu edhe në respektimin e marrëveshjes politike, të arritura përmes faktorit ndërkombëtar.

Hapësirë e rëndësishme brenda kopertinave të këtij libri zë kapitulli shumë i rëndësishëm “Batalioni i Atlantikut”, që është sublimin i lëvizjeve të mëparshme të formuara në diasporë, përkatësisht në Amerikë. I madh është numri i ushtarëve vullnetarë që në kuadër të këtij batalioni iu bashkëngjitën radhëve të UÇK-së për çlirimin e Kosovës. Sipas autorit, ky batalion pati jehonë të madhe jo vetëm në mesin e ushtarëve të UÇK-së, mirëpo njëherësh edhe tek i gjithë populli shqiptar. Është rasti i parë, nënvizon autori, që në historinë e mërgatës, kur mërgimtarët e një populli organizohen, uniformohen, armatosen dhe nga një shtet tjetër vijnë dhe marrin pjesë në çlirimin e bashkëvendësve të tyre. “Me këtë rast mundet të mburret vetëm populli shqiptar në mërgim”, shprehet autori Sadiku. Disa nga këta çlirimtarë të luftës së fundit edhe ranë për lirinë e vendlindjes/atdheut të tyre, për lirinë e Kosovës.

Përveç këtyre veprimtarëve dhe atdhetarëve të shquar të kombit tonë që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë dhe që u angazhuan në çlirimin e Kosovës, si kontribuues më të çmueshëm për mbërritjen e lirisë së këtij populli, padyshim është edhe presidenti i atëhershëm i SHBA-ve, Bill Klinton, i cili pas përfundimit të luftës vizitoi shtetin e Kosovës dhe u mirëprit me admirim nga kjo popullatë. Për kontributin e këtij personaliteti të dhënë për lirinë e Kosovës, nga populli i Kosovës Klinton mori shumë falënderime dhe mirënjohje. Me këtë rast, Klinton nga Universiteti i Kosovës u shpall Doktor Nderi i këtij Universiteti. Në përfundim autori Sadiku flet edhe për disa takime me personalitete të dalluara të mërgatës shqiptare dhe të administratës amerikane, të cilët dhanë kontribute të veçanta gjatë hulumtimeve të autorit në SHBA.

Fakti çfarë e bën edhe më të kompletuar dhe më përmbajtjesor këtë libër monografik të autorit Sadiku, është edhe përfshirja e shumë fotografive ekskluzive, po ashtu edhe i shumë faksimileve dhe publikimeve të këtyre aktiviteteve nëpër shumë mediume shqipe dhe ato të jashtme, kryesisht atyre amerikane. Po ashtu, çështje më rëndësi për librin paraqet edhe literatura e shfrytëzuar, shtypi, dokumentet etj.

Kështu, në përfundim mund të konstatojmë se libri monografik i autorit dr. Riza Sadiku, “Mërgata shqiptaro-amerikane për Kosovën”, është një libër tejet i rëndësishëm që e pasuron fondin e librave që dëshmojnë fakte historike të periudhave të caktuara të angazhimit dhe veprimit të mërgatës sonë në diasporë, përkatësisht në Amerikë. Puna dhe veprimtaria e mërgatës sonë në Amerikë është e shumëfishtë dhe shumëdimensionale, andaj çdo gjurmë që lihet në këtë drejtim është i një rëndësie të veçantë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen