Primadona e teatrit dhe atdhetarja Katarina Josipi

OP-ED | admin | 29.04.12 | 19:25

           Katarina Josipi
Frrok Kristaj
Frrok Kristaj

 

Më 29 prill 1969 kaloi në amshim Katarina Josipi – Kati

Katë Dulaj, apo siç njihet me emrin artistik Katarina Josipi – Kati jonë e madhe – u lind në fshatin Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, pikërisht më 9 nëntor të vitit 1923. U pagëzua në Kishën e Zymit.

Katë Dulaj ishte e bija e Gjin dhe e Gjyste (Prekpalaj) Dulajt. Ishin katër fëmijë: Marku, Lazri, Kata e Pali. Prindërit Katës emrin ia dhanë në bazë të festës së Shën Katarinës së Aleksandrisë, pajtore e Kishës në Pejë (kremtohet më 25 nëntor), por edhe festës familjare të dajave të Katës – Prekpalajt. Përndryshe, Kata me vëllezër është brezi i 10-të i familjes Berisha të ardhur nga Tropoja (Shqipëri) dhe të vendosur në Zym. Në fakt, i pari i lagjës Berishë (në Zym), që erdhi nga Tropoja quhej Peci, e më pastaj vijnë brezat: Pjetri i Pecit, Ndrekë Pjetri, Mark Ndreka, Gegë Marku, Ndue Gega, Pjetër Ndou, Jozë Pjetri, Gjin Joza dhe Kata Dulaj alias Katarina Josipi.

Katarina Josipi shkollimin fillor e nisi në Zym në gjuhën serbe, pas vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit, kurse e kreu në Nish (tash në Serbi) ku ishte me babain e vet bukëpjekës. Atje e kishte kryer edhe shkollën e natës për rrobaqepëse. Pas bombardimit të Nishit, në prill të vitit 1941, babai i Katit, sikurse shumë bukëpjekës të tjerë nga Zymi, kishin ikur nga Nishi, kurse babai i Katit, Gjin Joza, ishte vendosur në Ferizaj.

Katarina Josipi – Kati

Katarina Josipi si aktore amatore kishte hapëruar në dërrasat e Teatrit Amator në Ferizaj, së bashku me Shaban Gashin e Matej Serreqin, që të dy po ashtu nga Ferizaji.
Ishte mbarimi i vitit 1947, kur për herë të parë në Prishtinë po hapej teatri profesional. Ndërkaq, në pranverë të vitit 1948 në këtë teatër u angazhuan Katarina Josipi, Hyrije Hana e Meribane Shala, që njëherësh ishin tri femrat e para shqiptare të këtij teatri.

Shfaqja e parë, apo siç është bërë zakon të thuhet – premiera e parë në gjuhën shqipe në këtë teatër u realizua më 1 maj 1949, me pjesën „Personi i dyshimtë“, të autorit serb Branislav Nushiq, i cili në vitet e mëhershme kishte shërbyer si konzull serb në Prishtinë.

Në Teatrin profesional të Prishtinës..

Dhe, po aty, në Prishtinë, më 29 prill 1969 vdiq në moshën 46-vjeçare, si për çudi prapë në ditën e festës së Shën Katarinës së Sienës (kremtohet më 29 prill), kurse u varros atje edhe nga erdhi – në Shëngjergj, afër Zymit të Hasit të Thatë, pranë meshtarit e patriotit Atë Luigj Palaj, që e masakruan (më 7 mars 1913) serbo-malazezët për shkak se nuk lejoi që shqiptarët të kalojnë në ortodoksizmin serb, dhe pranë figurës së madhe poliedrike të kulturës shqiptare – Atë Shtjefën Gjeçovit, që e vranë serbët më 14 tetor 1929.

U varros në oborrin e Kishës së Shën Prenës në Shëngjergj, ku pas 26 vjetësh, pra iu bashkua edhe bashkëvendësi i Katit, e shkrimtari më i njohur i prozës moderne në letërsinë shqipe – Anton Pashku. Tash së voni në ato varreza u varros (më 21 nëntor 2007) edhe mezosoprania e njohur Hermina Lekaj.

Kati – bareshë dhe ministreshë

Katarina Josipin – Katin e kemi parë në skenën e teatrit profesional, e kemi dëgjuar në radio me radiodrama, por e kemi parë edhe në televizion e në film. Megjithatë, ajo jetoi në skenën teatrore, aty ku e fillonte jetën magjepëse që e sheh, e ndien, ku i zbulonte karakteret e njerëzve, rolet e të cilëve i interpretonte. Ishte prijetare e dramës shqipe. Jeta e Katit ka filluar kur janë ndezur dritat e skenës. Aty derdhi djersën e vet. Në skenë ajo jeton edhe sot pas 43-vjetëve të kalimit të saj në amshim. Jeton në kujtimet e artistëve, por edhe të shikuesve e të dashamirëve të teatrit.

Njëzet e një vjet me radhë, aq sa jetoi në skenën e Teatrit profesionist të Prishtinës, Kati ishte kampione, bartëse e roleve më komplekse të repertoarit më të shumëllojshëm të teatrit tonë. Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerat në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër jetë.

Për Katin ishte njësoj me rëndësi roli kryesor, i mesëm apo episodik. Të gjitha i interpretonte me pasionin më të madh, me përkushtim, duke e shkrirë vetën në role, duke përjetuar dhe duke krijuar fytyra të reja, karaktere të reja. Për Katin, po ashtu, ishte njësoj kur interpretonte role nga dramat origjinale apo të përkthyera, dramat klasike apo bashkëkohëse.

Kati me invencion të rrallë interpretonte bareshën dhe ministreshën. Kishte aftësi transformimi. Mishërohej thellësisht me personazhet që i interpretonte. Identifikohej me fatet e tyre dhe ua zbulonte karakteret. Pra, Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë dhe të madhe, ngriti një galeri të tërë tipesh që e ndien jetën pa kufi, kohë e hapësirë. Dhe, vërtet është vështirë tash të bëjmë ndonjë shëtitje nëpër ato 73 e sa role që i interpretoi gjatë jetës së saj edhe ashtu të shkurtër.

Për 21 vjet interpretoi më se 73 role

Gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës, luajti me Nexhmije Pagarushën, Bekim Fehmiun, Muharrem Qenën, Hyrie Hanën, Istref Begollin, Xhevat Qenën, Shani Pallaskën, Malo Gamin, Ragip Loxhën, Kristë Berishën, Matej Serreqin, Shaban Gashin, Abdylrrahman Shalën, Melihate Ajetin, Leze Spaçi – Qenën, Meribane Shalën, Adelajde Sopin, Belxhyzare Fejzën, Qazim Dushkun, Naxhie Devën, Masar Kadiun, Xhevdet Lilën, Ahmet Spahiun, Ahmet Qirezin, Mysherefe Prekën, Ekrem Kryeziun, Basri Çitakun, Bajram Pakashticën, Zymber Statovcin, Shaban Domin, Gani Jetishin, Vera Balajn, Mikel Balajn, Riza Tarakun, Adem Mikullovcin, Dibran Tahirin, Selman Lokajn, Arif Valën, Safete Rogovën e shumë të tjerë.

Kati ishte në gjendje të krijonte fytyra komplekse, madje edhe atëherë kur nuk ishin të kompletuara nga autori apo regjia. Në mënyrë shumë të natyrshme e bindëse Kati rolet që i interpretonte, mbanin vulën e kohës, të ambientit dhe të kushteve në të cilat edhe vetë ishte formuar.

Katarina Josipi – Kati për kontributin e saj, por edhe për rezultatet e arritura mori shumë herë shpërblime e mirënjohje që i jepnin atëbotë institucionet profesioniste. Në veçanti po përmendim se ajo ishte laurate e Shpërblimit të Dhjetorit të të vitit 1958 të Kuvendit të Kosovës, që ishte sinonim i vendimeve të Bujanës, ku ishte vendosur që pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova t’i bashkohej Shqipërisë.

Kati – anëtare e NDSH-së

Në fakt, pasi ishte kthyer familja e Katit nga Nishi në Ferizaj, vëllai i saj Lazri, që në vitin 1945 ishte nxënës i Gjon Serreqit në Gjimnazin e Prishtinës, edhe Kati bashk me vëllain e vet ishte angazhuar në Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare. Bile, NDSH-ja kishte nevojë shumë të madhe pikërisht për femra, sepse ato i nevojiteshin për bartje të postës, mbledhjes dhe shpërndarjes së ndihmave, sidomos për familjet e të pushkatuarëve, të burgosurëve, të atyre që gjendeshin nëpër male, si dhe për shpërndarjen e afisheve e të trakteve nëpër vendbanime të ndryshme.

Organet e ndjekjes së pushtetit okupator kah gjysma e dytë e vitit 1945 kishin shtuar aktivitetin e tyre. Bile, sipas të dhënave të kohës, organet e ndjekjes kishin arritur t’i zhduknin 15 dhe t’i plagosnin 12 aktivistë të rëndësishëm të grupeve të armatosura të NDSH-së, të cilët bënin rezistencë kundër okupatorit. Po ashtu, njësit policore e ushtarake të okupatorit serb pothuaj se çdo ditë arrestonin anëtarë të devotshëm të NDSH-së. Gjatë viteve 1945-1948, gjyqet ushtarake e ato civile të okupatorit serb në Prizren, Prishtinë, Gjilan, Pejë, Tetovë e në Shkup, u shndërruan në qendra linçi. Nga të arrestuarit kërkonin që të bashkëpunonin për zbulimin e shokëve e kur veprimtarët e NDSH-së nuk pranonin, atëherë fillonin proceset e montuara e shumë të stërgjatura gjyqësore, ku u shqiptoheshin veprimtarëve shqiptarë dënime të rënda nga ato me 20 vjet heqje lirie e deri te dënimi edhe me pushkatime.

Shtëpia e lindjes së Katarina Josipit, në Zym të Hasit

Në bazë të të dhënave dokumentare dhe memoriale del se organet serbe të ndjekjes edhe pse si dëshmi kishin të dhëna të bollshme për veprimtarinë e NDSH-së, dhe Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare nuk arriten t’i zbulojnë e t’i burgosin të gjithë anëtarët e veprimtarët shqiptarë, por në rend të parë synim kishin kapjen e organizatorëve dhe udhëheqësit e tyre, ngase po të arrestohej një numër i madh i tyre, atëherë nuk do të reflektohej mirë nga qarqet ndërkombëtare dhe se do të komprimitohej shteti.

Pushteti e kishte sjellë në Kosovë majorin e OZN-ës, Dimitrije Kolkoviqin, i cili shquhej si ekspert hetuesie kundër shqiptarëve, pasi kishte kryer hetimet kundër veprimtarëve shqiptarë në Shkup. Ai kishte ardhur në Ferizaj për t’i udhëhequr hetimet kundër disa veprimtarëve shqiptarë të Gjilanit, Ferizajt dhe Kaçanikut. Më pastaj OZN-a kishte filluar edhe arrestimin anëtarëve të NDSH-së të Gjilanit. Në këtë aksion të OZN-së u arrestuan Rexhep Shemë Dajkoci, Maliq Sahiti, Riza Osmani, Ramadan Agushi, Destan Budrika, Jakup Salihu, Mumin Jakupi, Azem Sylejmani, Sylë Ademi, Ibrahim Karaqeva, Njazi Atallahu – Fehmiu, Arif Sylqini etj, kurse nga ky aksion kishte shpëtuar Saqip Sylejmani, i cili kishte ikur në Itali.

Sipas një shkrese zyrtare të 22 tetorit të vitit 1946, që të gjithë janë kapur gjatë natës, ndaj të cilëve me urdhër të togerit të OZN-ës, V. Vojvodiq, filloi procedura kundër të arrestuarve duke i akuzuar për vepër penale kundër popullit dhe shtetit. Të arrestuarit nga burgu i Gjilanit në mbrëmje të 22 tetorit 1946 lidhen dy nga dy dhe dërgohen për hetime në burgun e Ferizajt. Nga grupi ishte ndarë vetëm Rexhep Dajkoci, kundër të cilit u përdor tretman i veçantë. Megjithatë, të gjithë të arrestuarit ishin dakorduar që gjatë hetuesisë se çka mund të flasin, por nga të gjithë, më i dinjitetshëm ishte dëshmuar Rexhep Shema, i cili e sakrifikoi vetveten për t’i shpëtuar të tjerët duke mos pranuar se kishte bashkëpunuar me ndonjërin nga të arrestuarit. Kjo shihet qartë edhe në procesverbalet e hetuesisë kundër Rexhep Dajkocit, por edhe te të tjerët.

Po ashtu, në Ferizaj më 15 gusht 1946 burgosen edhe tre anëtarë të tjerë të NDSH-së, si Sefedin Shabani, Rrustem Statovci dhe Lazër Josipi. Ndërkaq, më 21 tetor 1946 pasoi aksioni i arrestimeve të 19 veprimtarëve shqiptarë nga Ferizaji e Kaçaniku.

Në fakt në procesin e Gjilanit u përfshinë veprimtarët shqiptarë, të cilët edhe u dënuan, si Hamdi Berisha, Maliq Sahiti, Ramadan Agushi, Jakup Malisheva, Rexhep Shemë Dajkoci, Arif Salihu, Riza Osmani, Destan Budrika, Lazër Josipi, Rrustem Statovci, Sefedin Shabani, Hysen Dalladaku, Ismail Mema, Njazi Çarkaxhiu, Hamdi Dalipi, Zija Shuku, Haki Zylfiqari, Salih Aliu, Ilaz Ibrahimi, Murat Zherka, Fehmi Zherka, Hajredin Fazli Duraj, Sylë Fejza, Abaz Behluli, Xhemajl Maksuti, Hajrush Halimi, Fahri Halimi, Hilmi Ejupi, Shefki Metushi, Ibtahim Grainca, Asllan Buza dhe Rifat Tasholli.

Ndërkaq pas një kohe që ishin maltretuar e mbajtur në burg, ishin liruar nga aktakuza Mumin Jakupi, Shaban Bekteshi, Ismajl Sylejmani, Katarina Josipi (ishte e vetmja femër), Gani Xaja dhe Ali Murseli. 
Pra, në këtë proces u dënuan 32 persona, prej tyre një u dënua me vdekje, ndërsa 31 të tjerë u dënuan me gjithesej 316 vjet burg të rëndë. Ndër ata ishte edhe vëllai i Katës – Lazëri, që u dënua me 12 vjet burg.

Kalvari i jetës private

Bile në aktgjykimin e Katarina Josipit – Pjetrit, ndër të tjera shkruante: “Katarina Josipi – Pjetri, e bija e Gjinit dhe e Gjystës, e moshës 23-vjeçare, shqiptare, e besimit katolik, shtetase e RFPJ-së, amvise, e martuar, pa fëmijë, kinëse e padënuar, me gjendje të varfër ekonomike, tani në burgun hetues…” (Sabile Keçmezi-Basha “Anëtarja e devotshme e NDSH-së”, Koha ditore, Prishtinë, 17 shkurt 2007, faqe 44). Megjithatë, të gjithë ata që u liruan nga aktgjykimi u cilësuan si “armiq të popullit”. Nga kjo del se pushteti i atëhershëm serbo-jugosllav nuk i qitëte në harresë. Këtë e dëshmon fakti se Katarina Josipin pas daljes nga burgu, UDB-ja kishte ndërmarrë veprime të tjera kundër saj.

Në anën tjetër, ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Qe martuar me Hil Pjetrin (inxhinier i pylltarisë), emigrant që konsiderohej në atë kohë, nga Kavaja e Shqipërisë. Ajo ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti serbo-jugosllav ia dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë. Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi ish-bashkëshortin në Kavajë. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit.

Unaza e Katit

Në fund, të themi edhe atë se me emrin e Katit, në vitin 1971, është pagëzuar Konkursi për Dramë Origjinale i Teatrit Kombëtar të Prishtinës, i publikuar nga po ky Teatër, pastaj me emrin e saj (Katarina Josipi) është pagëzuar edhe Shoqëria kulturo – artistike në Zym të Hasit të Thatë, që është themeluar (më 4 maj 1970) në njëvjetorin e vdekjes së Katit, e cila sivjet shënoi 42-vjetorin e themelimit dhe të punës së suksesshme. Me emrin e Katit është pagëzuar një rrugë në Prishtinë, një shkollë për gjuhë të huaja në Pejë, por jepet edhe çmimi për rolin më të suksesshëm të femrës aktore në komedi (në Preshevë të Kosovës Lindore), si dhe në vendlindjen e saj, në Zym të Hasit, tash e disa vjet jepet çmimi ”Unaza e Katit”. Në Zym deri më tash me këtë çmimin është laureua: Leze Spaçi Qena (aktore e teatrit), Ermina Delhysa – Lekajt (mezosoprane), Arta Dobroshit (aktore e filmit), Lajde Kajtazi – Kolgjerajt (koreografe), Safete Rogovës (aktore e teatrit), Nexhmije Pagarushës (soliste), Atifete Jahjages (kryetare e Republikës së Rosovës) dhe tash Jozefina Topalli (kryetare e Kuvendit të Shqipërisë).

 

Burimi: Telagrafi

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen