Dr. Teuta Sejdiu Hasbahta, pediatër, neonatologe

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:49

Përshëndetje dr. Teuta. Jemi një familje nga Kosova, jetojmë në Gjermani. Unë jam 40 vjeçar, kurse gruaja 35 vjeçe. Kemi një foshnje 5 javësh dhe gjithçka ishte në rregull deri sa foshnjës filloi t’i mbetet në fyt qumështi, çaji apo uji. Mirëpo, tash kemi edhe një problem më shumë, sepse foshnjës në gjumë, nuk e dimë se a i kthehet ushqimi apo se ka pengesa në frymëmarrje dhe duhet t’i rrimë gati se ka shenja se diçka po gulfat apo nuk po mund të marrë frymë si duhet (dhe këtë shpesh). Ne ishim këtu në Gjermani në një klinikë për fëmijë me foshnjën. Mjeku tha se nuk vëren asgjë të dyshimtë, por tha se nëse dyshoni se i kthehet ushqimi që është normale tek shumë foshnja, atëherë duhet të ngrinim pozicionin e shtratit të bebes, qe bebja të ketë kokën më lartë kur të fle. Këtë e bëmë, por nuk ndihmoi dhe foshnja jonë vazhdon të ketë të njëjtat pengesa dhe na bën të frikohemi. Dr.Teuta, ju lutem na jep mendimin tuaj apo çfarë të bëjmë. Falënderime dhe përshëndetje Juve dhe stafit të redaksisë së Telegrafit. Familja Krasniqi nga Gjermania.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Ju ishit mjaft të qartë si në përshkrim të problemit. Do të mundohem sado pak të ju ndihmoj. Me të vërtetë nëse foshnja e kthen ushqimin herë pas here (por me rëndësi është se a e kthen secilin racion apo herë pas here), duhet marrë masa preventive siç është mbajtja e foshnjës pas çdo racioni në krah për të “gogësuar”, e poashtu edhe vendosja e foshnjës në krahun e djathtë (sepse tretja e ushqimit bëhet më mirë) si dhe në pozitë 45 shkallë (me kokë më lartë). Këto janë masa të domosdoshme për prevenimin e aspirimit (shkuarja e qumështit të kthyer në rrugët e frymëmarrjes), por unë mendoj se nuk duhet neglizhuar problemin dhe mendoj se duhet të vizitoni edhe neonatologun. Me rëndësi do të ishte të dija ecurinë e shtimit të peshës trupore të foshnjës qysh nga lindja, sepse kjo do të tregonte se kthimi i ushqimit a është i pakët (kjo mendoj se nuk do të ishte problem por do duhej të ndërmerrni masat e lartshënuara), apo foshnja nuk shton në peshë apo edhe humbë (kjo do të mund të na drejtonte se mos kemi të bëjmë me ndonjë patologji si të ashtuquajturin reflux gastroezofageal apo ndonjë stenozë hipertrofike e pilorusit probleme këto që mund të diagnostikohen me incizime radiologjike me kontrast të rrugëve të sipërme të tretjes).Por, prapë ju kisha këshilluar që t’i përmbaheni masave që ju ceka më lartë dhe po ashtu nëse vazhdon problemi dhe kemi ngecje të peshës trupore, atëherë të konsultoni mjekun pediatër e jo atë familjar. Më vjen keq nëse nuk arrita t’ju ndihmoj aq sa duhet. Përshëndetjet e mija.

E nderuara doktoreshë Teuta. Kam një djalë 19 muaj, fontanelën e ka ende të hapur. Dua të di se në çfarë moshe duhet të mbyllet? Djalin e kam pak anemik, jam duke i dhënë Sanastol + hekur. Pediatri më ka këshilluar t’i jap edhe pika AD gjatë stinës së dimrit dhe qe një muaj kam filluar me AD. Fëmija është mjaft i shëndetshëm, han mirë, fle mirë, peshën e ka 15 kg.
Pres këshillën tuaj. Me respekt Anita

PËRGJIGJE:

Sa i përket kohës së mbylljes së fontanellës së madhe është mjaft variabile dhe ka një diapazon të gjerë të tolerancës kohore, mundet edhe deri në moshën 18 muajshe të jetë normale. Por, nëse fëmija ka shenja të rakitit ose në popull “eshtrat e butë”, atëherë duhet konsultuar pediatrin dhe eventualisht të trajtohet ashtu si duhet. Sa i përket dhënies së preparateve vitaminoze siç është Sanastoli si dhe dhënia e Vitaminës AD, nuk mendoj se duhet ndërprerë, por më brengosë fakti se pse mjeku i juaj ka përshkruar Vitaminën AD, a ka fëmija juaj ndonjë shenjë të mungesës së kësaj vitamine (?), sepse nëse ka shenja do duhej të shkohet me trajtimin në formë ampulare nëse natyrisht është nevoja!
Nëse fëmija juaj nuk ka shenja të Rakitit (gjë që më së miri mund ta dijë pediatri juaj), atëherë marrja e vit. AD nuk mendoj se është e dëmshme, kështu që mendoj se nuk ka vend për brengosje, por megjithatë mund të konsultoheni me Pediatrin në Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë për një kontroll dhe konsultim lidhur me problemin tuaj. Përshëndetjet e mia, Anitë.

Përshëndetje e nderuara doktoreshë! Djali im ka 13 muaj dhe mirë me shëndet, është i gjatë 80cm, ka peshë 12kg. Mirëpo, kur po i dalin dhëmbët ka rritje të temperaturës trupore, posaçërisht në pjesën e kokës dhe skuqjen e faqeve. I japim Daleron dhe supozitorë. Mbas 3 ditëve i kalon. Doktoreshë, rritja e temperaturës a ashtë shkaktare e daljes së dhëmbëve, apo shkaktari është tjetër? Me respekt Flamuri!

PËRGJIGJE:

Përshëndetje, Flamur. Mirë e keni bërë lidhjen në mes të ngritjes së temperaturës dhe shpërthimit të dhëmbëve. Me të vërtetë ka raste të shpeshta që reagojnë me ngritje të temperaturës trupore (por jo edhe shumë të lartë) si dhe shqetësim, e poashtu edhe vaj dhe marrje të ushqimit të kufizuar. Por, kjo kalon dhe mirë është t’i jepet ndonjë antipiretik, analgjetik (Dalaeron, Paracetamol, Brufen) për 1-2 ditë. Ju përshëndes.

 

Përshëndetje dr. e nderuar, kam djalin 5 muaj dhe veshët i ka paksa të kthyer (llaposh). Nuk ka lindur me këtë formë, të djathtin e ka më të kthyer, ndërsa të majtin e ka pak më të palosur. Ju lutem, më tregoni a ka ndonjë mënyrë për të bërë palosjen e veshëve tek fëmijët, apo mos ka kaluar koha e formimit të tyre si dhe forcimi i laprës së veshit dhe do t’i mbesin gjithmonë kështu. Mua më brengos shumë kjo gjë, andaj ndihma juaj do të ishte e mirëseardhur. Me respekt Lena.

PËRGJIGJE:

Tung, Lena. Mendoj se nuk është problem i madh. Palosja e laprës së veshit mund të ketë ndodhë nga pozita e njëjtë gjatë gjumit (krahu i njëjtë me veshin e palosur) . Mendoj se duhet vetëm të drejtohet lapra e veshit mirë mos të “zënët keq” për një kohë dhe nëse kjo nuk rregullohet mendoj se nuk duhet të fitoni kompleks, sepse me rëndësi është që mos të ketë probleme funksionale e sa i përket estetikës kjo mund të korrigjohet . Ju përshëndes.

 

Jam një nënë, e kam një djalë 1 vjeç. Jetoj në Amerikë dhe mjeku më ka thënë se djali ka potencon në gjak, por unë nuk e kuptoj se çka do të thotë kjo sëmundje. Të lutem më jep sqarime?

PËRGJIGJE:

Më vjen keq, por unë nuk po mundem ta kuptoj atë se çfarë ju ka thënë mjeku. Por, ju kisha lutë që herën tjetër të përshkruani me saktësi raportin që ju ka shkruar mjeku i juaj (kuptohet edhe në gjuhën angleze), por me saktësi.

 

 

Përshëndetje e nderuar. Shpresoj të jeni mirë. Kam vajzën 8 javë dhe peshon 4900 gr., gjatësia 60 cm. Pesha e lindjes ka qenë 2460 gr, ndërsa gjatësia 51 cm. E ushqej me gji përveç në javën e parë të lindjes ia kam ndihmuar me qumësht pluhur pasi që s’kisha mjaftueshëm për arsye të barnave, besoj që kam marr pas lindjes CS.
Kam një shqetësim se fëmija im nuk po pinë gji gjatë, diku 3-4 minuta ose shumë rrallë ka ndodh 10 min, në të dy gjinjtë duke ia ndërruar, mirëpo po mundohem me i jep sa më shpesh që mundem, por ndodh edhe nervozohet me gji edhe e kërkon edhe e largon. Nuk po mundem ende me i bë orar, një kohë të gjatë flinte pak, e tash është stabilizuar me gjumë, por mezi e zgjoj për të pirë. Po shqetësohem që nuk po pi mjaftueshëm pasi që kam provuar me nxjerr qumështin me pompë dhe deri 150 ml i kam nxjerr për afër 1 orë. Por, përveç që relativisht mirë ka shtuar peshë edhe shpesh po e ndërroj dhe po urinon.
Gjithashtu, ka disa ditë që i ka hundët shumë të zëna dhe ka shumë sekret brenda, po dëgjohet me frymëmarrje. Jam duke i dhënë çaj mëllage çdo 7-8 orë.
Faleminderit shumë për përkushtimin tuaj.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje. Në bazë të parashtrimit të pyetjes suaj shoh se jeni mjaft e informuar dhe prekni detalet e duhura. Sa i përket përparimit në peshë mendoj se foshnja juaj mirë ka përparuar duke u bazuar në lakorën e rritjes e cila prej percentilës 25 (në lindje) ka arritur në percentilën e 50. Unë mendoj se keni mjaftueshëm qumësht gjiri. Sa i përket kohëzgjatjes keni të drejtë se mendoni se foshnja juaj shkurt thith gjirin, por megjithatë shpesh. Kjo është e shpeshtë te shumë foshnje dhe është karakteristike për ato foshnje të cilat “flenë duke pirë gji”, kështu që mundohuni ta ngacmoni duke e munduar ta tërhiqni gjirin nga goja apo ngacmojeni në hundë e ndoshta do të zgjasni pak kohëzgjatjen e thithjes. Mos u merakosni pasi që qartë shihet se foshnja juaj përparon shumë mirë në peshë edhepse për Ju është pak e zorshme ta mbani shumë shpesh dhe gjatë në gji, por mendoj se ky ves i foshnjës suaj (thithja e shkurtë dhe gjumi në gji) do të zhduket rreth muajit të tretë dhe katërt të jetës .
Sa i përket sekrecionit të shtuar në hundë, mund të provoni me tërheqjen e tij me pompa speciale për hundë, por prapë se prapë, kujdes, sepse nëse foshnja juaj ka sekret edhe në rrugët e frymëmarrjes, atëherë duhet vizituar edhe mjekun pediatër . Zakonisht nxjerrja e sekretit mund të ndodh me jashtëqitje (si jargë dhe ‘’zgjatet’’) dhe vjellje, por do ju këshilloja që të bëni pak masazh perkutor të shpinës (rrahje e lehtë e kafazit të kraharorit, prapa në shpinë) gjë e cila e ndihmon pak a shumë nxjerrjen e sekretit nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Shpresoj se keni ngelur e kënaqur me përgjigjen . Ju përshëndes.

Përshëndetje. A është në rregull që fëmijës së shëndoshë, 3 vjeçar, për imunitet dhe përmirësim të shëndetit, t’i jepet nga një lugë në ditë, vaj salmoni (vaj peshku suplement) i blerë pa recetë në barnatoret tona.
Faleminderit,
Valoni

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Valon. Sa i përket rritjes dhe zhvillimit normal të fëmijës, duhet thënë se është shumë me rëndësi marrja e materieve të ndryshme ushqyese (proteinat, yndyrat, hidratet e karbonit,vitaminat, mineralet) të cilat do t’i gjeni kudo në ushqimin e freskët, të larmishëm, por mund të jepen edhe suplemente në formë preparateve farmaceutike të ndryshme, nëse e shihni të arsyeshme e sidomos nëse ato disi janë të pamjaftueshme apo edhe të pakta në menynë ditore të ushqimit të fëmijës suaj.
Prandaj, unë mendoj se vaji i peshkut është mirë të merret, e sidomos kur mishi i peshkut është i rrallë në menynë e ushqimit (që është e shpeshtë në vendet jo bregdetare), ndërsa sa i përket vlerave të vajit të peshkut shoh se jeni mjaftë i informuar.
Ju përshëndes.

 

Jam një nënë nga Kumanova, kam fëmijë binjakë, djalë e vajzë (5 vjeçar), mirëpo kam një problem që kërkoj mendimin e juaj. Djali tash 6 muaj ka probleme të herëpashershme në të folur, bënë zgjatjen e shkonjës së parë, faktikisht po belbëzon. Mirëpo, djali është shumë i mërzitur edhe po kërkon ndihmën e prindërve.

PËRGJIGJE:

Përshëndetjet e mija, zonjë e nderuar. Për problemin tuaj mendoj se duhet konsultuar logopedi dhe psikologu. Mirë kishte me qenë që së pari të konsultohet psikologu e pastaj nëse është e nevojshme edhe logopedi .Unë mendoj se nuk është problem i madh, por mendoj se së pari ju si prindër të përkrahni djalin tuaj, të bisedoni me te dhe mos ja bëni problemin ‘’e madh’’.

Përshëndetje doktoreshë! Kam vajzën 8 muajsh me peshe 7.995gr. (pesha e lindjes 3.750gr, gjatësi 50 cm.), e kam ushqyer me gji rreth dy javë, me dëshirë kisha vazhduar por vajza edhe pse në fillim pinte mirë dhe fitoj peshë mjaft, në javën e parë rreth 800 gr. filloi të mos e donte më gjirin, qante shumë, largonte kokën nga gjiri e kështu vazhdoj disa ditë dhe më në fund fillova me qumësht për bebe. Edhe me këtë pata probleme ngase nuk pinte shumë, villte dhe e dërgova në vizitë mjekësore. Mjeku më këshilloi që sapo vajza ti mbush tre muaj të filloj me ushqim të perimeve dhe pemëve, por jo ushqim të mishit deri në moshën 5 muajshe, dhe ashtu veprova. Me më dëshirë ushqehet se sa që pinë qumësht, qumështin e do vetëm atëherë kur fle edhe jo në sasi të madhe. Pasi ka mbushur 5 muaj, kam filluar me ushqim tjetër të llojllojshëm, i përgatis perime të ndryshme si psh. patate, karota, kungulleshka, domate, qepë, celer, purri etj. me mish pule, lope, por pa kripë, me pak vaj. Mirëpo, ajo që më brengos mua është se ajo fiton shumë pak peshë. A është normale për moshën e saj pesha të cilën e kam cekë në fillim. Vajza ushqehet 5-6 herë në ditë, qumësht pi rreth 250ml-300ml. Çka të bëj nëse pesha nuk është e mjaftueshme. Pres me padurim pergjigjen tuaj.
Ju përshëndes, me respekt, nëna e brengosur, Linda.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje, Linda. Në bazë të grafikonit të rritjes për vajza, vajza juaj i takon percentilës 45, ndërsa në lindje i ka takuar percentilës 70. Pra, ka një zbritje, por unë mendoj se nuk ka vend për brengosje sepse në bazë të dhënave se me qfarë ushqehet vajza, unë mendoj se vajza juaj ushqehet mirë (mendoj në llojllojshmërinë e ushqimit) përveç ndoshta do të duhej edhe produktet e qumështit (jogurti, djathi, kajmaku etj) edhepse ndoshta ke harruar t’i përmendësh. Sasia e qumështit që merr vajza është e mjaftueshme nëse mirret edhe jogurti dhe produktet e tjera qumështore. Mos harro se fëmija duke u rritur nuk shton peshë sa më parë (para muajit të gjashtë) e poashtu edhe shtohet hargjimi i kalorive. Shpresoj se keni ngelur e kënaqur me përgjigje.

 

Përshëndetje doktoreshë. Un. e kam djalin 9 muajsh, është i gjatë 79 cm dhe ka 9,5 kg. Në princip nuk kam pasur telashe të mëdha shëndetësore me të, por e kam një shqetësim. Kur lindi djali e kishte një infeksion të lëkurës, stafilodermi. E kemi trajtuar sipas udhëzimeve të mjekut dhe që në javën e parë të jetës ka marrë antibiotik si dhe e kemi pastruar me kamomile për dy javë të tëra. Problemi është që ato puçrra të njëjta po i shfaqen kohë pas kohe. I lajmërohen në fytyrë, i zhduken, pastaj në trup i zhduken. Gjate verës e ka pasur një fazë kur ju kanë shfaqur me shumicë dhe unë e dërgova te dermatologu (dermatologu më tha se ose e ka prej nxehtit ose e ka iktus -siç e kuptova kjo do të mund të ishte ndonjë pickim nga ndonjë insekt). Na kishte dhënë disa kremra dhe antibiotikë të cilat sipas meje nuk ndikuan në tërheqjen e tyre. Kohëve të fundit këto puçrra janë lajmëruar përsëri dhe unë nuk di a ta dergoj te dermatologu apo çfarë të bëj. Djali nuk ka ndonjë shqetësim nga to, nuk besoj që ka ndonjë kruarje, por unë po dyshoj se fillimisht nuk i është shëruar ajo stafilodermia nga lindja. Do të dëshiroja ta di se a është kjo e mundur dhe të më jepni ndonjë këshillë se si te veproj.
Ju falënderoj paraprakisht, Lena.

PËRGJIGJE:

Përshëndetjet e mija Lena. Së pari do ju flas pak për ndërrimet stafilodermike, të cilat janë puçrra të madhësisë së ndryshme (por më shpesh të vogla) e që janë të mbushura me qelb. Ato duhet trajtuar me antiseptik t ë lëkurës (sol. Chlorhexidine) dhe ndonjë antibiotik yndyrë. Mund të shfaqen herë pas here (por nuk janë përsëritëse) andaj nuk mendoj se ato janë si pasojë prej ndërrimeve stafilodermike pas lindjes. Inflamacioni i lëkurës me Stafilokok mund të ndodh, por mirë është të trajtohet në kohë dhe ashtu si duhet e poashtu mirë do të ishte të konsultohet dermatologu

Përshëndetje doktoreshë. Fëmija im është 8 muajsh, para dy muajsh e me tepër ka një koll dhe një skuqje në mollëzat e faqeve. Pediatri ka dhënë mendim se nuk ka bronhitis, por ka predispozita të sëmuret, ngase, sipas tij, kjo skuqje e mollëzave të faqeve qenka që nga lindja e fëmijës!? Mjeku pediatër i fëmijës tim ka dhënë këtë diagnozë: dermatitis atopica dhe ka shkruar këtë terapi: Sir. Aloprol, çdo 8 orë 3 ditë, Sir.Broncobalsamina 3×5 ml, sipas nevoje, pak më gjatë se 1 javë dhe yndyrën Kuterid G 1x 2-3 ditë. Ju lutem, të më tregoni çfarë sëmundje është kjo, çka mendoni ju dhe si mund të më këshilloni për hapat e mëtutjeshëm për shërimin e fëmijës tim.
Ju përshëndet nëna e brengosur.

PËRGJIGJE:

Përshëndetjet e mija. Së pari do ju këshilloja që mos ta merrni si shumë tragjike ,por Dermatiti atopik me të vërtetë është mjaft rezistent në trajtim (trajtohet por edhe përsëritet). Paraqitja e një Dermatiti atopik e sidomos në moshën e djalit tuaj nuk është e këndshme, sepse ajo mund të jetë edhe si pasojë e një konstitucioni hiperreaktiv (alergjik) dhe duhet patur kujdes në ndieshmërinë edhe të trungut bronkial (Bronkitet e shpeshta), por prapë nuk do të thotë. Duhet ditur mirë anamneza familjare (paraqitja e problemeve të lëkurës te prindërit, fëmijët tjerë) por, megjithatë, trajtimin dhe konsultën do ja lija Dermatologëve. Andaj ju preferoj konsultën e Dermatologut. Përshëndetje.

Përshëndetje për juve redaksi dhe Dr Teuta. Kam djalin 2 vjet e 10 muaj. Në Kosovë kur kam qenë, ia kam bërë analizën e fecesit dhe i kanë dalë bubat në bark, nuk më kujtohen lloji i tyre, vetëm se e di që mjeku më ka thënë se janë të rralla ky lloj. Ka përdorë ilaç çdo gjashtë muaj, por as ky ilaq për momentin nuk më kujtohet.
Për momentin ai është i sëmurë nga bubat, te lutem doktoreshë të më tregoni se çfarë ilaçi ta përdori dhe a mund të pastrohet krejtësisht nga këto buba. Jam shumë e brengosur pse po i lajmërohen po thuajse çdo 6 muaj. Dhe, sa janë të rrezikshme? Ju përshëndes shumë, Ibja nga Gjermania.

PËRGJIGJE:

Zonjë e nderuar, më vjen keq se ndoshta nuk do të mund të ju ndihmoj, por me të vërtetë do më duhej ta dija sigurtë se qfarë ‘’bubash’’ janë ato ( parazite – Giardia lamblia, Ascaris lumbricoides apo Enterobius vermikularis) që kanë qenë dhe janë izoluar prapë. Por, unë mendoj se do të duhej të bisedoni me mjekun e juaj të familjes në Gjermani lidhur me këtë dhe me rezultatet e analizave të kryera (nëse i keni bërë ato), siç janë analiza e fecesit në parazite dhe koprokultura . Më vjen keq që nuk ju ndihmova ashtu si kërkuat, por ju kisha lutur të bisedoni me mjekun tuaj. Përshëndetje.

 

Doktoreshë, a ka mundësi të shërohet një fëmijë i cili ka lindur me të meta, në dorën e majtë gishtat 2.3.4 janë shumë më të shkurtë se gishtat normal. A mund të shërohen përmes ndonjë operacioni?
Fëmija që po shkruaj është djali i vëllait. Ai ka 7 muaj dhe kam frikë se mos po mbetet kështu. Në familje nuk kemi askënd me të meta të tilla.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje, por unë do ju këshilloja të konsultoheni fillimisht me ortopedin e pastaj edhe me kirurgun plastik. Mundësia e intervenimit varet nga shumë faktorë (problemet funkcionale, estetike).

Përshëndetje Dr. Teuta. Bebja ime i ka 2 javë, merr gjirin, por me duket që është duke i dhimbur barku, ka jashtëqitje (para dy dite ka pas jashtëqitje të gjelbër, kurse tash të verdhë – të hollë dhe të shpeshtë.
Mirë është duke pirë gji, por nuk ka shtuar hiq në peshë. Qysh është duke fjetur ia nis të qajë sikur kur ka shtrëngime.
Me respekt, ju faleminderit për përgjigje.

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes. Këshilla ime do të ishte të bëni një kontroll apo konsultë me neonatologun. Duhet parë pse foshnja juaj nuk ka shtuar peshë si dhe mos kemi të bëjmë vetëm me një rënie fiziologjike e peshës e cila duhet të ishte kthyer deri më tani si dhe me ngërçe të barkut (kolika infantile).

A mund të përdori çaj për dobësim. A ndikon tek fëmija. Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes. Nuk keni dhënë informata lidhur me moshën dhe mënyrën e të ushqyerit (gji?) të fëmijës suaj si dhe llojin e çajit që përdorni, prandaj më7 vjen keq që nuk mund të ju ndihmoj.

Dr. e nderuar. Unë kam dy fëmijë: 7 vjeç dhe 1 e gjysme. Me intereson të di se kur duhet të fillohet me përdorimin e vajit/tabletave të peshkut. A duhet t’ju jap të dy fëmijëve duke e pas parasysh moshën e ndryshme.
Ju përshëndes dhe falënderoj.
Besa

PËRGJIGJE:

Përshëndetjet e mija, Besë. Mendoj se nuk ka kurrfarë problemi që t’i jepni fëmijëve tuaj vajin e peshkut. Kryesorja është që ata ta marrin me dëshirë.

Desha të interesohem rreth gjidhënies, kur tërë paraditen ushqehet me gji, ndërsa në mbrëmje nuk ka mjaftueshëm për t’u ngirë fëmija qe tri javë. Desha të di ndonjë këshillë nga ana juaj. Flm
Argjenti

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes, Argjent . Sa i përket gjidhënjes duket e thjeshtë, por me të vërtet është proces i cili mund të dështoj shumë lehtë. Sa i përket problemit të shoqes suaj, së pari do të doja të dija se çfarë moshe është fëmija juaj ,a ushqehet me ushqim shtesë dhe sa shpesh (sa racione). Sasia e qumështit mund të ndërroj brenda 24 h-ve, por duhet përcjellur fëmijun sepse ai më së miri mund të tregoj se a ka mjaftueshëm qumësht në gjirin e nënës (shqetësohet, nuk fle mirë, rehatshëm si dhe nuk shton mjaftueshëm peshë). Nëse këto ndodhin atëherë duhet shikuar ku qëndron problemi dhe nëse mosha është >4 muaj atëherë duhet filluar me ushqim shtesë. Kjo është një temë e gjerë, por ju kisha këshilluar që të kërkoni nga ndonjë pediatër një konsultë lidhur me të ushqyerit e fëmijës suaj. Më vjen keq, por më shumë nuk mund të ju ndihmoj (mungojnë disa të dhëna lidhur me moshën e fëmijës, ushqimi aktual dhe shprehitë e nënës). Përshëndetje.

Ju përshëndes doktoreshë e nderuar. E kam djalin 16 muajsh, pesha 14.5kg, nuk ka kurrfarë problemesh, mirë po përparon, por kohën e fundit po vuan nga kapsllëku (opstipacioni). Del çdo të tretën ose të katërtën ditë, por shumë me vështirësi).
Sa i përket ushqimit, tri racione i jap ushqim të llojllojshëm, qumësht me keks ose çaj me keksë, supa të ndryshme që i përgatis me mish pule ose viçi, me perime të ndryshme, kos, mandej i jap edhe pemë, e gjithashtu e ushqej akoma edhe me qumësht gjiri sa herë që kërkon foshnja ditën e poashtu edhe natën 3-4 herë. Të lutem më ndihmo.
Lola.

PËRGJIGJE:

Ju përshëndes, Lola . Opstipacioni ose kapsllëku me të vërtetë është i bezdisshëm dhe i shkaktuar nga shumë faktorë të cilët grupohen në faktorët organik (patologjik), psikosocial dhe nutritiv (ushqimi ). Nëse kalojnë 2-3 ditë nga mungesa e jashtëqitjes, është mjaft e trashë dhe e dhimbshme, ka edhe fryerje të barkut atëherë kemi të bëjmë me opstipacion dhe duhet ndërmarrë diçka. Së pari duhet vërejtur mënyrën e të ushqyerit, llojin e ushqimit që është shumë me rëndësi (e pëlqyer do të ishte supa, gjellërat e ndryshme, molla, dardha, portokalli, pjeshka, por jo edhe banania, jogurtat e pemëve, puding, qullërat e drithërave etj), pastaj shprehitë e mëparshme e poashtu edhe mjaft me rëndësi a ka fëmija ende pelenë apo jo. Nëse jeni munduar ta ç’mësoni nga mbajtja e pelenës duhet patur kujdes që mos të reagoni keq kur fëmija e kryen nevojën në të brendshmet dhe të mundoheni butë ta mësoni në kohën e njëjtë të ulet në guacë dhe duke bërë ‘’muhabet’’ me durim të jeni edhe ju pjesëmarrës në këtë proces dhe në fund edhe të lëvdoni dhe falënderoni fëmijën tuaj. Sa i përket preparateve farmaceutike nuk ju kisha këshilluar për fillim pasi që fëmija juaj më parë nuk ka pasur probleme të tilla, mirë është zhvilluar dhe shoh se ka një meny ditore të ushqimit të mirë sidomos racioni kryesorë (gjella) është prezent e poashtu edhe pemët aty janë. Shpresoj se sado pak ju kam ndihmuar, andaj përshëndetjet e mija.

 

Quhem Edita. Kam vajzën 3 muajsh dhe prej se ka lind syri i majtë po i loton non-stop. E kam pasur te pediatri i saj, më ka dhënë disa pika , por pa ndikim. Mjeku thotë se ende nuk ju ka hap kanali. Nëse keni përgjigje, ju falënderohem.

PËRGJIGJE:

Mirë që e keni konsultuar mjekun, por mendoj se duhet konsultuar mjeku i syve – oftalmologu lidhur me këtë problem i cili do të vendos diagnozën adekuate edhe tretmanin eventual adekuat. Përshëndetjet e mija.

 

Përshëndetje juve redaksi dhe doktoreshës së nderuar. Kam vajzën një vit e gjysmë, jetoj në tokat arabe dhe temperatura është e lartë. Vajzën e kam në gji, ajo nuk po han shumë, por po pi shumë lëngje dhe ujë Me gji e ushqej dy herë në ditë dhe natën deri në 3 a po 4 herë, dikush më tha se lëngjet e bëjnë anemike, ia humbasin vitaminat, lëngjet dhe nuk e lejojnë me ngrënë bukë…Dua të di për lëngjet, a janë të shëndetshme për të, apo jo?
Ramizja.

PËRGJIGJE:

Përshëndetjet e mia Ramize.
Nevojat e organizmit për lëngje brenda ditës e sidomos gjatë kohës së nxehtë, janë mjaft të mëdha. Në rastin tuaj, me të vërtetë do duhej të merret sasi më e madhe e lëngjeve (deri 2 litra), pa llogaritur qumështin, supat, jogurtin etj. Megjithatë, lëngjet edhe qumështi nuk duhej të jetë i vetmi ushqim që konsumon vajza juaj. Do të duhej të merren edhe pemët, perimet e p ashtu edhe produktet e pasura me proteine. Lëngjet në sasi të madhe mund të shkaktojnë një lloj “mos nevojë për ushqim tjetër”, por mendoj se do duhej të punoni në aspektin e racioneve kryesore të ushqimit (mëngjesi, dreka dhe darka), ndërsa mes racionet të plotësohen me lëngje, qumësht dhe pemë. Ju përshëndes.

E kam djalin gati 3 muaj, e ushqej me shishe. Jam e shqetësuar, sepse kam ca informata shumë të cekëta për shishet e plastikës se nuk janë të mira kur zihen vazhdimisht. Pediatri më ka thënë ta përdori shishen e qelqit, por jam konfuze se një farmacist më ka thënë se vetëm duhet ta treti qumështin pluhur në të qelqit, por me ia jep me pi vetëm në të plastikës. A keni ju ndonjë këshillë apo informatë se cilat mund të jenë efektet negative të shisheve të plastikës kur zihen dhe çka më këshillon të bëj?
Ju faleminderit. Me respekt Alketa.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Alketa.
Shishja si shishe, me të vërtetë është më higjienike, por tani ka prodhime shumë të mira të cilat lahen mirë dhe janë të pa rrezikshme për fëmijën (nuk thyhen), prandaj mendoj se nuk keni nevojë të mendoni shumë, sepse në farmaci keni produkte të ndryshme, super të mira si psh. prodhimet e NUK-ut (Gjermane), Chicco-s dhe skeni nevojë të përgatitni në të qelqit e ta përdorni atë të plastikës. Përshëndetje.

Përshëndetje e nderuara doktoreshë! Kam një vajzë 13 muajsh. Ka lind n 2880 gr dhe gjatësi 49 cm, tash peshon 8500 gr. E dërgoj vazhdimisht në kontroll dhe mjeku më thotë se gjithçka është në rregull, pasi që edhe në peshë të vogël ka lindur. E ushqej me gji, normal edhe ushqim plotësues, si qull të drithërave, i jap supë, fruta, jogurt të pemëve, nuk han edhe aq sa duhet. Më brengos pesha e saj, më duket se ka shtuar pak peshë. A është kjo rritje normale? Pres përgjigjen tuaj. Dezi.

PËRGJIGJE:

E nderuara nënë.
Unë mendoj se jeni duke e rritur mirë fëmijën tuaj (llojet e ushqimit), por do të duhej të jepni edhe perime, gjellë, mish, ve (por ndoshta keni harruar t’i përmendni). E vërteta është se vajza juaj ka një peshë (percentila 25-35), por bazuar edhe në peshën e lindjes mendoj se ka një lakore e cila shkon në kontinuitet pa rënie të mëdha. Unë mendoj se nuk ka vend për brengosje, por me rëndësi është që ushqimi të jetë i larmishëm, ndërsa shtimi në peshë pas një viti moshë nuk është edhe aq i shpejtë sikur para moshës një vjeçare. Shpresoj se keni mbetur e kënaqur. Përshëndetje.

Ju përshëndes dr. Teuta. Jam një nënë e brengosur për vajzën. Mjeku më ka thënë se vajza ime e ka një baktere që quhet e.coli som bilder emzym esbl-typ dhe se kjo baktere ashtë e rezistueshme. Ju lutem, më tregoni, a është kjo baktere e rrezikshme dhe a ka pasoja të më vonshme. A ka shërim?
Vajza ime ka 2 vjet e 5 muaj. Ju përshëndes.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Lule.
Sa i përket bakteries E.Colli, kjo është një ndër bakteret më të shpeshta që shkaktojnë infeksione urinare, por edhe mjaft rezistente në trajtim. Por, zakonisht me izolimin e saj në kulturën e urinës bëhet edhe ndjeshmëria e saj ndaj antibiotikëve, në bazë së cilës edhe bëhet trajtimi, i cili do duhej të ishte mjaft korrekt në kohëzgjatje dhe dozim. Zakonisht do duhej të merren edhe lëngje në sasi më të madhe (deri 2 litra brenda dite) e unë ju kisha preferuar çaj ose edhe lëng nga Belushi (Crranberry). Nuk do duhej shumë të bëheni merak, sepse unë nuk mendoj se është e pashërueshme apo edhe shumë e rrezikshme, por duhet durim dhe përcjellje e herë pas hershme e urinës (kultura) e poashtu mjaft me rëndësi është pastrimi i organeve gjenitale e cila do duhej të jetë e rregullt me ujë të vakët dhe shampon me Ph neutrale dhe të mënjanohen përdorimi i leckave të njoma (nuk e di se a e mban vajza pelenën ende?). Përshëndetjet e mia.

E nderura dr. Kam djalin 9 muajsh, peshon 12 kg dhe ende e ushqej me gji, sidomos natën e ditën me ushqime tjera, si oriz, patate, supa të ndryshme, mish, pemë, perime, të gjitha të freskëta dhe i ha pa problem. Por, më duhet këshilla juaj se si mund t’ia bëj që ta largoj nga gjiri se tash më duhet të punoj, nga 8 orë në ditë me orare të ndryshme. Ju lutem, më tregoni se si t’ia bëj.

PËRGJIGJE:

Përshëndetjet e mia Venerë.
Unë do ju jap komplimente lidhur me ushqimin shtesë e poashu edhe me të ushqyerit e djalit tuaj në gji. Me të vërtetë nuk është lehtë për fëmijën ndarja nga gjiri, por unë do ju propozoja që kjo të bëhet gradualisht (pasi të ktheheni nga puna), sepse unë mendoj se ende qumështi i gjirit është i dobishëm e sidomos për moshën e djalit tuaj. Besoj se do t’ia dalësh, sepse mungesa 8 orëshe nuk është shumë e madhe, kështu që mund të ofroni pas orarit të punës ngrohtësi, vlerë dhe kënaqësi djalit tuaj. Përshëndetje.

E nderuar doktoreshë. Kam djalin 2 muaj e 1 javë. Muajin e parë e kam ushqyer me gji, por pas vizitës që kisha te pediatri, më tha që t’i jepja edhe shtesë sepse në bazë të peshës që kishte shtuar (vetëm 560 gr) rezultonte që nuk kisha gji të mjaftueshëm. Gjinjtë i kam patur varrë për 1 muaj rresht, por pavarësisht dhimbjeve të mëdha që më shkaktonin nuk ndaloja ta ushqeja sa më shpesh. Pastaj, fillova me Hipp dhe gradualisht djali nuk e merrte më gjirin, ndoshta se i kam pasur shumë të fortë edhe djali e ka pasur vështirë t’i thithë aq sa duhej. Pastaj kam vazhduar të nxjerr me pompë qumështin nga gjiri, por nuk kisha shumë. Kam pirë edhe çaj të Hipp-it për shtuarjen e qumështit në gji edhe bozë (sepse më thanë që boza është e mirë), por kot. Sasia të cilën nxirrja nga gjiri ishte e vogël. E kam shtyrë kështu deri në muajin e dytë dhe pastaj e lashë dhe nuk po nxjerri më, sepse del shumë shumë pak. Qëndroj rreth 20 minuta me pompë në të dy gjinjtë dhe nxjerri vetëm 10ml qumësht. Nuk desha ta mundoj më veten sepse kisha frike nga ndonjë pasojë e mëvonshme që mund të kem me gjinjtë. Ndoshta qumështi i gjirit nuk më ka ardhur shumë, sepse kam qenë shumë e mërzitur. Bile, pasi kam dalë nga spitali (sepse kam ndenjur 5 ditë për shkak të lindjes cezariane), kam qarë 2 ditë rresht pa ndalur. Ishte vetëm dita e 7-8 që pata lindur dhe kisha shumë shqetësime. Fatkeqësisht në shumicën e rasteve tek ne, nënat e reja nuk kuptohen aq sa duhet nga njerëzit që i rrethojnë. Jam shumë e shqetësuar për shkak që nuk arrita ta ushqeja me gji të paktën 6 muaj. Të lutem dr. më thoni nëse ka ndonjë qumësht më të mirë se Hipp-i për foshnjën time, sepse nuk dua ta lë për asgjë. Dhe një pyetje tjetër kisha: qe 2 javë nuk arrin të kryej nevojën përveç me ndihmën e supozitorëve të glicerinës. Me respekt, Valbona.

PËRGJIGJE:

Të përshëndes Valbonë.
Në fillim po ju them se e vlerësoj shumë mundin dhe dëshirën tuaj për të ushqyerit në gji. Së pari, nuk do të duhej të fajësoni veten fare. Unë mendoj se dështimi i gjidhënies qëndron në fillim kur gjidhënia ka qenë e dhimbshme (gjinjtë varrë) që ka ndikuar në mos futjen e foshnjës në gji (që është stimuluesi kryesorë për prodhimin e qumështit), pastaj mjelja e gjirit (më gjatë) me pompë gjiri proces ky i cili nuk mundet të zgjatë për një kohë të gjatë. Duhet ditur që stimulimi më i mirë i prodhimit të qumështit është thithja, por munden edhe faktorët psikik të ndikojnë shumë. Por, tani të ngjashme, por do ju propozoja Humana 1 ose edhe NAN 1. Përshëndetje.

 

Jam Albina nga Peja, 23 vjeçare. Jam nënë e djalit 2 vjeç. Më shqetëson fakti se ai nuk ka apetit të mjaftueshëm, andaj kisha pas dëshirë që nëse ka mundësi të më tregoni se me çfarë medikamenti t’ia kthej apetitin përpos Pikovit-it dhe Sanasol-it apo i ndihmojnë vetëm gjatë kohës së përdorimit. Ai ka 13 kg, është shumë i gjallë.
Ju falënderoj tej mase dhe ju përshëndes.

Përgjigje:

Përshëndetje Albinë.
Ndoshta do të ishte mirë t’i thoja disa fjalë për oreksin. Ky është një ndjenjë, dëshirë për ushqimin i cili shpesh nuk mund ta kontrollojmë. Në te ndikojnë shumë faktorë e një ndër ta si mjaft i rëndësishëm është faktori psikik apo shpirtëror. Te fëmijët rol të madh ka edhe karakteri i vet fëmijës e sidomos shprehitë e tij lidhur me ushqimin, lojën, gjumin etj. Oreksi mund të dobësohet e poashtu edhe të shtohet. Shtimi i oreksit me preparate multivitaminoze mund të ndodhë, por unë mendoj se më mirë është të gjendet arsyeja e dobësimit të tij. Sa i përket preparateve të tilla, ka shumë në treg dhe nuk do të veçoja ndonjërin prej tyre. Kjo le të jetë zgjidhja e juaj, por prapë them se ndoshta duhet të gjeni arsyen e këtij problemi (ushqimi jo i rregullt, aktiviteti i shtuar fizik dhe pa orar, gjumi jo i mirë, etj.). Përshëndetje.

Përshëndetje, doktoreshë e nderuar. Kam vajzën 20 muajsh dhe ende e kam në gji, mirëpo ushqim tjetër ha shumë pak. Kur ka qenë më e vogël, i kam dhënë me zor dhe ka qenë mirë me peshë, kurse tani është dobësua shumë dhe bëhet kaps, ka dhimbje të barkut, kurse gjate bërjes së nevojës ka gjakderdhje. Ju lutem më tregoni çka tç bëj, a t’ia ndaj gjirin krejt edhe pse nuk mendoj që është ky shkaku që nuk han, sepse unë punoj 8 orë në ditë, i kam dhënë vitamina të ndryshme, por kot.
Me respekt, Sanija.

Përgjigje:

Përshëndetje Sanije.
Mendoj se tani vajzës suaj nuk i duhet më qumështi i gjirit. Koha është që ushqimi kryesor të jetë ushqimi i llojllojshëm dhe i pasur me materiet e nevojshme ushqyese (proteina, karbohidrate, yndyra, minerale, vitamina, hekur) që do të ishte i mirë dhe sigurt ndikon në mbarëvajtjen e procesit të tretjes dhe jashtëqitjes së rregullt pa probleme. Do ju këshilloja të konsultoheni me gastroenterologun pediatër. Përshëndetjet e mija.

Përshëndetje Dr.Teuta. Kam një vajzë 3 muaj e gjysmë. Vajza ka lind me peshë 3.500 kg. por pas lindjes ka humb peshë shumë, 570 gr brenda 4 dite, sepse kam pas problem me gji dhe nuk ka pi si duhet. Në javën e parë kam filluar me i dhënë Bebelac (e detyruar dhe e shqetësuar për humbjen e peshës), por edhe gji njëkohësisht ka pi deri në dy muaj. Pas dy jave të lindjes, vajza e ka fituar peshën e lindjes dmth 3500 kg. Tash në 3 muaj e gjysmë i ka 7 kg. Para disa dite kam filluar me i dhënë edhe ushqim shtesë (dmth perime të qullëta), pak herët por qe disa ditë të fundit nuk po rri e qetë dhe mu duk se është e uritur e tash ka filluar pak me u qetësua. Në 24 orë pi qumësht 800 deri në 1200 ml. Zakonisht është shumë e qetë. Problem tjetër nuk ka pas. Nëse keni mundësi me më tregu se me çka duhem me vazhduar ushqimin dhe a është në rregull gjithçka a mos ka ndonjë gjë për me u shqetësuar. Të falënderoj shumë për ndihmën tuaj.
Zana

Përgjigje:

Përshëndetje Zanë.
Vlerësoj lartë njohurinë tënde, arsyeshmërinë e poashtu edhe pse jeni e vetëdijshme mjaft për hapat që keni ndërmarrë. Mendoj se keni pasur arsye për dhënie të formulës qumështore, por sa i përket ushqimit shtesë mendoj se keni filluar pak herët. Zakonisht preferohet me 5 muaj jetë, sepse trakti i tretjes në këtë moshë është më i përgatitur për këtë lloj të ushqimit. Filloni me qullna të holla pemësh dhe perimesh (mollë, lëng portokalli, banane, karota, patate, oriz i bluar) derisa foshnja juaj të adaptohet me ushqimin e ri edhepse unë ju kisha këshilluar të pritni edhe pak (deri 5 muaj ). Ushqejeni edhe më tutje me qumësht gjiri si dhe formulë shtesë. Përshëndetjet e mia.

Përshëndetje doktoreshë, me vëmendje i lexova shumicën e përgjigjeve tuaja dhe ju përgëzoj. Pyetja ime është kjo: e kam djalin 2 muajsh, peshon rreth 8500, ushqehet vetëm me gji, a duhet t’i jap edhe diçka shtesë. Më duket që nuk po i mjafton, sepse pi gati çdo dy orë, a t’i jap edhe çaj apo ujë?
Me nderime.

Përgjigje:

Përshëndetje Edonë.
Uroj që të vazhdoni kështu edhe më tutje. Djali juaj ka një peshë të mirë dhe mbi të gjitha një nënë të kujdesshme. Ushqejeni me gji dhe nuk keni nevojë t’i shtoni as ujë dhe as ndonjë çaj (përveç në ditët e nxehta të verës nëse është nevoja). Ju përshëndes.

Përshëndetje e nderuara doktoreshë, jam nënë për herën e parë kam vajzën 8 muaj e gjysmë. Meqë punoj 8 orë në ditë, vajza ime nuk ka mundësi që të ushqehet me gji, mirëpo e ushqej mbas orës 17.00 (d.m.th pasi të kthehem nga puna) dhe gjatë natës, ndërsa gjatë ditës ushqehet me supë me qull keksash dhe ngapak qumësht me shishe (Alpsko 1,6 %). Më intereson a duhet t’i jap edhe ushqim tjetër që është vitaminoz, meqenëse pesha e saj është 9.700 kg. Po ashtu, desha të di, se dhëmbët nuk i kanë dal ende. A është normale meqë i është forcuar mishi. Pres përgjigjen?

Përgjigje:

Përshëndetje Gjirokastër.
Mendoj se mirë jeni duke vepruar (gji dhe ushqim shtesë), por nuk ju kisha preferuar qumështin e paketuar (Alpsko dhe atë me yndyrë 1.6% ). Më mirë do të ishte, më e sigurt të merrni formula adekuate të qumështit për moshën e vajzës suaj. Në menynë ditore ju preferoj edhe produkte të qumështit (kos, djathë i butë) e poashtu edhe qullëra pemësh dhe perimesh. Supa të bëhet nga lëngu dhe mishi i zier (i miksuar si qull) me karota dhe patate ose oriz . Keksi i bluar t’i jepet si zamër (mes racioneve kryesore), i cili mund të përgatitet si qull me qumësht ose komposto pemësh psh. me mollë të zier dhe të shtypur mirë. Sa i përket daljes së dhëmbëve nuk keni se pse të brengoseni. Koha e daljes së dhëmbëve të parë është mjaft e gjerë (prej 5-6 muajsh e deri mbi një vit ndonjëherë) . Përshëndetje.

 

Përshëndetje doktoreshë e nderuar! Kam djalin 10 muajsh dhe nuk i kanë dalë akoma dhëmbët. A është për t’u brengosur? (Duke pasur parasysh se ka lind para kohe, java e 28-të). Faleminderit!

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Leta.
E shoh se jeni mjaft e brengosur, por unë do ju këshilloja që mos të bëheni merak.
Me gëzim pritet dhëmbi i parë. Kur do të dalë? Kjo kohë është për secilin fëmijë ndryshe, ndonjë do të mbetet pa dhëmbë deri në fund të vitit të parë, dikujt do t’i dalin me 8 muajsh, dikujt 6 muajsh. Të gjithë i takojnë normales. Shumicës fillojnë t’i dalin dhëmbët prej 6-8 muaj. por, shumë fëmijë nuk i takojnë kësaj “skeme“, por prapë se prapë nuk ka vend për brengosje, sepse dhëmbë që dalin vonë nuk do të thotë se nuk është apo do të jetë kualitativ. Përshëndetje.

Përshëndetje e nderuara doktoreshë.
Kam një djalë 8 muaj e gjysmë. Ka lind me peshë 3900 dhe gjatësi 50 cm dhe ka shtuar në peshë mirë, deri në moshën 4 mujore (arriti 7250). Në këtë moshë isha në pushim dhe atje ishte shumë i pa rehatshëm, flinte pak gjatë ditës, ndërsa natën flinte mirë. Në kontroll te mjeku vërejta se ai kishte shtuar shumë pak në peshë pas 3 jave, e ushqeja me gji dhe fillova edhe ushqim plotësues. Tani ka 8500 gr. E kontrolloj peshën e tij çdo 2 apo 3 jave. Ka pas raste që për 3 javë ka marrë vetëm 50 gr, gjatësia trupore dhe e kokës e njëjtë edhe pse mendoj që ka marr një sasi të mjaftueshme ushqim. Mjeku ka konstatuar që ai ka mungesë të hekurit dhe momentalisht i jap edhe pika për hekur.
Doja të dija pse ky ngadalësim apo luhatje e peshës, a mos është mungesa e hekurit fajtor?
Faleminderit. Ardita.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Arditë.
Fillimisht mund të ju them se djali juaj ka një peshë të mirë (perc. 45) dhe nuk mendoj se ka luhatje të madhe në peshë trupore. Me të vërtetë në lindje i ka takuar percentilës 75, por më pastaj (në muajin e 4-të) i ka takuar percentilës 50 e tani 45. Unë mendoj se është një lakore e mirë e rritjes ,por me rëndësi është ushqimi shtesë (i larmishëm me perime, pemë dhe proteine) ashtu që edhe Fe i ulët kur korrigjohet me preparatet e dhëna nga ana e mjekut tuaj, të mbahet në nivelin e duhur. Sa i përket pyetjes tuaj të ndikimit të nivelit të hekurit në luhatje të peshës, mendoj se nuk ka direkt ndikim, por kuptohet ushqimi shtesë jo adekuat do të ndikoj edhe në shfaqjen e anemisë e poashtu edhe në peshën trupore.

Të përshëndes së pari doktoreshë dhe t’u kisha lut që të më shkruash diçka për neurodermitis, sidomos për shërimin e tij (a ka shërim?) si dhe për hemoglobinën e ulët tek fëmijët e vegjël.
Ju faleminderit. Ari.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Ari.
Sa i përket vlerave të hemoglobinës, ato kanë një diapazon normal prej 15-16.5 g% në ditët e para pas lindjes e deri 12.0 g% në moshën 1 vjeçe. Mosha 2-6 vjeçe 12.5 g%. Duhet ditur se këto vlera janë mesatarja e normales. Por, të kuptohemi se nuk janë vlerat e hemoglobinës të vetmet që mund të themi se kemi të bëjmë me anemi. Me rëndësi të madhe është vlera e hekurit në serum e poashtu edhe mjaft parametra të tjerë të cilët definojnë aneminë dhe llojin e saj. Prandaj ju propozoj të këshilloheni me pediatrin hematolog.
Sa i përket Neurodermatitit, konsultohuni me dermatologun. Përshëndetjet e mija.
Përshëndetje doktoreshë. Kam një vajzë 18 muajsh, kur ishte 1 muaj e gjysmë, për shkak të mungesës së qumështit të gjirit, e kam ushqyer me shishe. Han edhe ushqime të tjera ngapak, por peshën e ka të dobët. Çfarë ushqimi më preferoni ju që ta ushqej që të fiton peshë më shumë. Vezët dhe kosi a ndikojnë në humbjen e peshës, sepse ajo i preferon dhe i han shumë.
Ju lutem më ndihmoni dhe më tregoni ushqimin më të mirë për shtimin e peshës së vajzës time.
Ju faleminderit shumë. Sara.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Sara. Në fillim do ju thosha se nuk keni dhënë mjaft të dhëna lidhur me ushqimin e përditshëm të fëmijës tuaj e poashtu edhe peshën trupore. Sa i përket mendimit tuaj se mos kosi dhe vezët ndikojnë në rënie të peshës, unë them se JO, por mirë do të ishte që ushqimi mos të kufizohej vetëm në këto dy produkte!

Përshëndetje doktoreshë. Kam një djalë 6 muajsh, në peshë është shumë mirë dhe në gjatësi, por dua një meny të ushqyerit për djalin (për të ngrenë i jap çdo gjë që gatuaj për ne, i jap miell orizi, supë (patate, kunguj, spec dhe me lëng mishi, i fus dhe pak rigon dhe majdanoz), por i jap dhe gji, por jo shpesh gjatë ditës se nuk kam dhe i jap gjatë darkës. I jap dhe fruta të përziera të plazmonit (që janë të përgatitura vet). Më thuaj, i bëj mirë.
Faleminderit. Suela.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Suela.
Unë mendoj se keni një qasje të drejtë ndaj mënyrës së të ushqyerit të fëmijës suaj. Por, kam një vërejtje lidhur me mëlmesa që i shtoni. Nuk duhet të përdorni (sidomos jo deri në moshën 1 vjeçe biberin, rigonin apo edhe erëzat tjera). Poashtu kujdes me kripën (shumë pak).
Përshëndetje.

Djali im kam 10 muaj dhe është tepër i gjallë, lëviz nga njëri kënd në tjetrin, rrëshqet shumë dhe nuk mashtrohet as me lodra. Nuk pushon fare, vetëm lëvizë edhe gjumin rehat se bën. Çfarë me propozoni? Arbnora.

PËRGJIGJE:

Tung Arbnore.
Në fillim do të ju pyesja se si është fëmija? I shëndoshë, i disponuar dhe a është fëmijë i përkëdhelur?
Unë mendoj se nuk ka kurrfarë të keqe kur fëmija shumë lëvizë, por mendoj se prindërit duhet të mundohen të bëjnë njëfarë rregulli apo orari që do duhej të përshtaten me orarin e fëmijës. Mos e kaloni orarin ditorë të gjumit, shëtitjes dhe lojës. Mos lejoni që fëmija juaj të imponoj dëshirën e tij në kohë pa kohë të lojës dhe shëtitjes. Unë mendoj se duhet të bëni “orarin“ apo kohën e lojës, shëtitjes, ushqimit dhe gjumit të rregullt. Gjumi rrit fëmijën, por edhe gjumi është i rehatshëm nëse jemi me ‚bark të ngirë‘ biem në shtrat me kohë.
Përshëndetje.

Përshëndetje doktoreshë. E kam vajzën e vëllait 7 vjeçe dhe i vjen erë shumë e keqe e gojës. E kemi kontrolluar te dentisti, ka bërë mjekimin e dhëmbëve të prishur, por prapë i vjen shumë erë e keqe në gojë. Edhe pse i rrimë gati në pastrimin e dhëmbëve, prapë e njëjta gjë.
Ju lutem na këshilloni

PËRGJIGJE:

Diellza.
mendoj se duhet të konsultoni edhe pediatrin gastroenterolog. Era e keqe nga goja mund të vijë edhe nga lukthi, por nuk duhet përjashtuar edhe konsultën e specialistit të ORL-së të shihet gjendja e mukozës së hundës, grykës. Do të duhej që tualeti i gojës të bëhet me rregull, por shumë me rëndësi është edhe ushqimi i rregullt.
Përshëndetje.

E kam vajzën 8 muaj e gjysmë dhe ka 8.100 gr, ka lindë me peshë 3600 dhe e gjatë 54 cm. Tash han deri në 4 porcione në ditë dhe pi qumësht me shishe, por nuk po shton në peshë, shumë po duket e dobët.
Çka më këshilloni?

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Reina.
Unë mendoj se fëmija juaj, sipas lakores së peshës, ajo është mirë në peshë (percentila e 50) edhepse në lindje ajo i ka takuar percentilës 75. Mosha 8 muaj, karakterizohet me ndryshime në aktivitetin e fëmijës (gjumë dite më rrallë, aktivitet më i shtuar, ushqim tjetër me shije tjetër nga ai i mëparshmi), prandaj unë mendoj se nuk keni vend për brengosje. Kryeni vizitat kontrolluese tek pediatri juaj.

Përshëndetje doktoreshë. E kam vajzën 11 vjeçe, duart dhe këmbët gjithmonë i rrinë të ftohta. E kam pas te mjeku, më ka thanë se ka pagjakësi dhe nuk ka nevojë për analiza. Një kohë para 3,4 viteve, i patën rënë flokët përpara, tash dimrit i kanë rënë te qafa.
Ju lutem, më ndihmoni. Ju faleminderit, pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:

Përshëndetje Albina.
Do mundohem t’i sqaroj dilemat tuaja. Akret (shputat dhe shuplakat) e ftohta mund jenë apo edhe mos të jenë shenjë e ndonjë sëmundje, sidomos në këtë moshë (ll vjeç). Mund të jenë problemet e enëve të gjakut (qarkullimit periferik), por kjo shoqërohet edhe me simptome tjera. Mundet të jetë si pasojë e anemisë, por këtë duhet vërtetuar (analizat laboratorike). 

Dr. Teuta Sejdiu

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen