Dinastia e Marubëve dhe selfie 2015

Analiza & Komente | Zef Prenka | 15.05.15 | 17:55

Frano Kulli

Fotografia e parë në Shqipëri daton në njërën prej ditëve të vitit 1858, plot 157 vjet më parë.Është shkrepur në Shkodër nga Pietro Marubi , themeluesi i asaj që njëri prej autorëve të librit më të fundit për fotografët-emblemë të Shqipërisë-Marubët, e quan “Dinastia e Marubëve”. Dinastia e Marubëve siç e njoha unë- është titulli i librit të Tonin Vasës, cili ka jetuar më se tridhjetë vjet në një kulm me Marubët.

Fotoja është e një qytetari të spikatur shkodran të kohës, Hamza Kazazi veshur bukur me kostum kombëtar. Të paktën deri më tani kjo është rrëfenja që është e mbështetur edhe historikisht. Kurse studiuesi Luçjan Bedeni sjell si kohë të themelimit të Foto-studios “Marubi” që është ndër të parat studio të fotografisë në Ballkan, vitin 1856, që vetë Marubi, Pietro e quan Dritëshkronja.Por ngjarja e rëndësishme e fotografimit si event i shënuar qytetës , por edhe kulturor gjithashtu, pararend nga një kalendar i gjatë i ngjarjeve të tjera të shënuara e shumë të rëndësishme në Shkodër; ngjarje shkencore, ndërtimore, komunale, kulturore të cilat, në të vërtetë shënojnë themelet e qytetrimit të asaj periudhe. Me 1493 zë fill shtypshkronja e parë, ajo e Obotit, (vetëm 38 vjet pas Gutenbergut) Biblioteka e parë është e vitit 1863, libri i parë shqip shtypet me 1876, llampa e parë elektrike ndizet më 1922, radioja e parë emeton zë me 1925, Avulloret e para arrijnë në Shkoder më heret, me 1840, Observatori i parë astronomik u ndërtua nga Jezuitët më 1888, Banda e parë muzikore krijohet me 1870, Shoqëria e parë sportive “Vllaznia” me 1919 (ndeshja e parë e futbollit me 1908), banka e parë shqiptare daton me 1863, fotografia e parë në Shqipëri , shkrepet në Shkoder, me 1858…

Këtu zë fill “dinastia…” , ajo nuk mbin në një rrafsh djerr, si të thuash. Ka edhe shumë e shumë faqe të tjera kalendari në histori, si vizatime shumëngjyrëshe, që së bashku formojnë mozaikun harmonik të jetës qytetëse të Shkodrës po njëherësh kaq të vlerta e të çmuara për idenditetin tonë kombëtar.Veçse duhet çekur se këto ngjarje e të tjera si këto janë ose të përafërta ose të njëkohëshme , me gjithçka ka ndodh asokohe edhe përtej Shkodrës e Shqipërisë, në vendet fqinj me ne.Ngjarje që, siç dihet, i kanë dhënë një hov të ri qytetrimit dhe emancipimit të njerëzimit , veçanërisht në shekullin e njëzetë.Një qytetrimi që është në ndërlidhje të atypëratyshme me qyterimin bashkëkohës ballkanas e europian.Po prirja, trendi, siç thuhet sot ka qenë gjithherë perëndimi.Një cak i këtij komunikimi të ndërsjelltë është edhe ardhja e italianit nga Piacenza, Pietro Marubi, i cili vjen një Shqipëri si azilant i shtyrë të léjë vendin e vet prej aktivitetit të tij garibaldin, si pjesëmarrës në luftën kundër pushtuesit austrohungarez. Ai në fillim zbarkon në Vlorë e më pas zatét (ngulet) në Shkodër.Për të qëndruar përgjithmonë këtu, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe në amshim, duke krijuar “Dinastinë e Marubëve”.

Në tre breza të asaj familje gjallon e përcillet historia dhe vetë civilizimi, jo veç i Shkodrës, por i Shqipërisë.Fotografia e parë në Shkodër e shkrepur prej vetë Pietro Marubit është ajo e Hamz Kazazit-luftëtarit të dalluar shkodran, por njëkohëshëm Marubi fotografon edhe Leonardo de Martinon.E pas të parës historia vazhdon; nuk ka personazh e ngjarje historike e kulturore , por dhe qytetëse që të mos ketë pozuar e të mos jetë shënuar në laboratorin e Marubëve, për të mbetur më pas në fototekën e famshme.Kel Kodheli nga Zadrima, që e trashëgon gjithë zejen e lënë prej italianit Pietro e pasuroi fondin me figurat e rendit të parë të historisë sonë kombëtare, flamurtarë të Pavarësisë e kryengritës pararendës, Gurakuqi, Ded Gj’Luli, Hilë Mosi, emblema të kulturës e prijësa politikë,Fishta, Noli, Zogu, Migjeni, Koliqi, … e shumë e shumë të tjerë.Ndërkohë ata qenë edhe fotoreporterët e parë shqiptarë.Emrat e gazetave e revistave europiane të kohës shpalojnë në faqet e tyre edhe foto të Marubëve shkodranë.“La Guerra d’oriente” për shembull do të botonte foto të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, dërguar atje prej Marubëve.Por, siç është e njohur, përveç fotos si pasion, Pietroja, i pari por edhe pasrendësit me radhë Keli e Gega, fotografimin e ushtruan edhe si art, fotografia për to qe vepër arti.Fotografimi në studion e Marubit qe një proces i vërtetë krijues; si prelud i një shfaqje teatri, ku më parë bëhej “grimi” i atyre që do të fotografoheshin; mjeshtri përcaktonte pozicionin e fotografimit, sugjeronte plastikën, si një regjisor i vërtetë, një mjeshtri e përkryer artistike, veçse me persona realë e jo aktorë në role. Shumë prej tyre jo vetëm ruhen po çmohen si të tilla edhe sot, artistikisht të papërsëritëshme. Njërën prej tyre, realizuar jo shumë heret, në vitin 1938 ku pozojnë Fishta ,Pogradeci,Koliqi dhe Asdreni unë e kam të pazëvendësueshme në ambjentin tim të punës dhe jo vetëm si vlerë historike, por po kaq artistikisht të pazëvendësueshme. Fotoja ka një histori të spikatur, Asdreni kishte ardhur nga Rumania për festimet e 25 vjetorit të Pavarësisë.Në atë tur në fillimvitin 1938 vjen në Shkodër .Me ftesë të Ernest Koliqit e Shoqnisë Kulturore “Rozafat” e presin me nderime të posaçme autoritetet zyrtare të qytetit.Pas pritjes dhe një fjalimi përnderues që mban Fishta në kinemanë e qytetit e që ndezi mbarë njerëzinë, më pas të “katër shkrimtarët e mëdhenj” bëjnë foton te Marubi. Fotoja si dëshmi, historike, artististike e civilizuese …

Tani, në fillimshekullin e 21-të, globalizmi e ka shkurtuar kohën e të ndodhurave sa kufijtë e sekondës, teknologjia ka kaluar në rrathët e epërm të imagjinatës.Fotografimi ka pësuar një transfusion teknologjik, si gjithçka tjetër e komunikimit.Një selfie, tani brenda këtyre limiteve mund të shihet edhe përtej oqeanit, madje është shpikur për të shërbyer këtë destinacion.Duke mbartur në vehte kuptimin e vet shumëdimensionësh, prezencën, vendndodhjen, humorin, dëshminë… Varësisht prej thelbit edhe skandalin, në rastin kur ajo adresohet në drejtimin e gabuar.Dhe pastaj skandali të amplifikohet, duke zënë hapësirë publike të pakufishme, përcjellë me sherrnajë absurde… Selfia është fotografimi i vetvehtes.Në fund të fundit çfarë interesi ka vehtja e gjithësekujt për të tjerët ?Kushdo qoftë ai ose ajo, sado peshë publike të ketë. Pse u dashka që intimja të serviret si publike, duke mos sjellë dobi as për publiken e as për intimen?! Thua kjo epoka e re të jetë më pak e njerëzishme ?

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen