Opinion nga Frano Kulli

OP-ED | Rrezore | 28.11.15 | 00:27

Frano Kulli

MË MIRË ME FJALË… APO ME VEZË ?
I ka kaluar disa herë tre ditët …çudia që Kryeministrin e kanë gjuajtë me vezë ca studentë,. Çudia, për të cilën, këtu në Shqipërinë tonë, thonë me të drejtë se nuk zgjat më shumë se trI ditë.Ngjet kështu sepse menjëherë pas çudisë së parë ndodh vetiu ose me kast, domethënë fabrikohet një tjetër ngjarje e kështu eklipsohet çudia e parë. Ngjarja me studentët e me kryeministrin ka ndodhë një ditë të shkuar, kur ai po dilte nga universiteti i tyre,(Fakulteti i Shkencave sociale) në njërin prej auditorëve të të cilit Zoti Kryeministër kish zgjedhur të kryente një prej punëve të tija të ditës; t’u mbante një fjalim ca dëgjuesve të tij për ashpërsinë e epërme që ai do të tregonte për mbledhjen e taksave.Me gjoba më të rënda se xhiroja vjetore e biznesit dhe me burgime.
E kanë gjuajtë me vezë studentët, të cilët kanë më se një vit që kërkojnë të flasin me kryeministrin për t’i shprehur pakënaqësinë për mënyrën që qeveria e tij ka zgjedhur për të reformuar arsimin e lartë , për t’i thënë atij se ai lloj barazitizmi donacionesh nga fondet publike si për universitetin publik ashtu edhe për ata private është i paarsyeshëm për ta, jo demokratik dhe klientelist .E për plot pakënaqësi të tjera ndaj reformës qeveritare të arsimit , të cilën ata i çmojnë jetike për perspektivën e arsimit të lartë si dhe për të drejtën që kanë gjithë shtetasit për ta ndjekur atë, pa diskriminim.
Mirëpo zoti kryeministër nuk i ka dëgjuar ata as kërkesat e argumentet e tyre.Madje, ai edhe i ka tallur e qesëndisur ata sistematikisht .Ashtu siç po bën me gjithë shqiptarët që mendojnë e veprojnë jo si ai, nga poltroni kryeministror, në të cilin është ulur si qiraxhi për këto katër vjet,duke i shpërfillur kërkesat e tyre të organizuara dhe përfaqësuese , më së paku me mosdëgjesë.Mosdëgjesë , e cila ka arritur kulmin e shpërfilljes e të talljes pikërisht atë ditë që kryeministri ka zgjedhur “bujtinën” e këtyre studentëve për… të kryer punët e tija të ditës si kryeministër.Dhe studentët, për t’i gjallëruar shqisën e mospëlqimit të dëgjimit të tyre dhe të askujt tjetër përposë vehtes (!) i kanë dërguar ftesa për t’u dëgjuar prej tij, duke dërguar vezë në drejtim për tek ai…Dhe “tingulli” dhe shenjat e vezëve dhe pamjet e trajektores së tyre hedhur drejt kryeministrit për një çast paskëshin pasë më shumë peshë e dëgjesë se fjalët e studentëve përgjatë një viti e gjysmë.Së paku e kanë bërë të reagojë për një çast me një buzëqeshje, ani pse në formën e një skërmitjeje., në fillim.Ca ditë më pas e quajti kakarisje hedhjen e vezëve drejt tij.Fundja edhe kjo vlen, në rrethanat kur fjalët nuk dëgjohen, shpërfillen,dhe me tallje asgjësohen, sikur të mos ishin thënë.Ani pse secili është i lirë të thotë fjalë, të ankojë nëpërmjet fjalëve për padrejtësitë dhe ta çojë edhe fort zërin për shqiptimin e fjalëve.
Rëndesa e peshës së fjalës në të shkuarën tonë, deri tash së voni ka qenë matë me një tjetër gjësend. Shprehur me metaforën:”Fjala më e rëndë se plumbi”, përdorur në rastin ekstrem kur ajo ka pasë konotacionin e saj fyes, vjen si një trashëgimi e jona për t’u patur zili, pse jo.Në fund të fundit, respekti dhe vlerësimi për fjalën është inteligjencë, por edhe respekt i nivelit të lartë për vetvehten e për të tjerët,domethënë për vetë njeriun. .Kjo mënyrë të shprehuri ka shënuar mënyrën e të të menduarit të njeriut shqiptar, i tillë ka qenë raporti i tij me fjalën,e si me fjalën me mendimin e me veprimin.Sidomos me fjalën në publik, domethënë në takim, në kuvend, në bisedë, në ato raste kur vetë ajo fjala merr një solemnitet.
Por ja që moderniteti e ka shprishur, madje me ritëm të shpejtë e gati turravrap këtë mardhënie.Dhe sipërmarrësit e këtij akti janë së pari politikanët tanë.Duke e përdoruar fjalën pa kurrfarë dogane deri në keqpërdorim sipror, duke e thënë si premtim, por duke mos e mbajtur asnjëherë ,duke mos e zgjedhur e përpunuar kurrë, por duke shkelur mizorisht mbi fjalën  e dhënë.Duke e spërdredhur atë, pa pikë serioziteti deri në fyemje montruoze të bashkëbiseduesit.E keni ndjekur bisedimin e tyre ligjërimor ndërmjet vedi…, në aulën e atij që quhet Kuvendi i Shqipërisë ?…Me taktikat e tyre djallëzore, ushtruar sistematikisht në këta 25 vjet ata ja kanë dalë që peshën e fjalës ta ulin aty ku s’mban , deri në cakun e pavleshmërisë.Ndoshta këtu e këndej duhet zgjedhur më shpesh veza për të komunikuar me shtetarët tanë kaq shumë mëkatarë e të padëgjueshëm.


 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen