Kruja – Mbretëresha e historisë shqiptare

OP-ED | admin | 16.06.12 | 11:05

Është e habitshme sesi sa herë që planifikojmë të nisemi për në Krujë (miqtë tanë të bizneseve turistike kanë vazhdimisht nevojë për produkte, për shkak të fluksit të madh të turistëve), bën gjithmonë kohë e bukur. Ndoshta sepse edhe vetë Zoti e natyra, ka dëshirë që ta shijojmë plotësisht qoftë pamjen e mbledhur të Krujës, strukur në gji të Malit të Skënderbeut, nga poshtë rrugës automobilistike, derisa arrijmë në Fushë-Krujë, qoftë atë rrugën e mrekullueshme me pisha që gjarpëron përgjatë malit, derisa hyn në portat e Krujës.

SkënderbeuVetëm se, pa shumë iluzione për mrekullira tashmë, qyshkurse gomat e makinave djegin zjarre të zinj për të shuar gëlqere të bardhë, e qyshkurse fabrikat zinxhir të çimentos, pluhurosin rrugët e Krujës, për të shkëlqyer e lëmuar oborret dhe trotuaret e metropoleve të botës. Është mëkat i madh në fakt, masakrimi total i peisazhit të mrekullueshëm, që dikur të rrëmbente, edhe tej, larg, ndërkaq që makina kalonte mbi urën e Tapizës, vazhdoje përgjatë rrugës së Nikëlit – tanimë e mbjellë me dyqane mobiljesh – e derisa kaloje Fushëkrujën e hyje në zonën që i përket Mamurrasit.

Mirëpo kartolina e shqyer e Krujës, nuk paska shumë efekt në “përzënien” e turistëve, ata vazhdojnë ta mësyjnë qytetin me po aq interes sa para masakrës, me sa duket të sugjestionuar prej faktit se aty jetoi Skënderbeu – i vetmi burrë shqiptar që bota e njeh si atlet të Krishtit. E Kruja është magjepsëse edhe për ne, që s’kemi si të mos e dashurojmë për dy arsye; sepse ajo është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë. Në këmbët e Krujës jetuan Albanët, emër të cilin e trashëguam nga shekujt e largët e me të cilin na thërret sot bota mbarë.

Albanopolisi sot është një grumbull rrënojash me gurë të mëdhenj metroshë e dymetroshë, ca mure rrethuese që i ngjiten kodrës shkallë-shkallë, e tek-tuk ndonjë copëz më shumë, ashtu siç janë edhe shumica e parqeve arkeologjike në Shqipëri, duke ruajtur pak ose aspak prej lavdisë dhe shkëlqimit të dikurshëm. Por gjurma, ekzistuese dhe kryeneçe, është aty, për të na treguar se shqiptarët (apo qofshin Albanët, Pleuratët, Enkeljetë, Adrianët, Labeatët e, Arbrit më vonë), e paskëshin njohur qytetërimin shumë shumë herët, aq mirë sa nuk e njohin ndoshta shumë nga shqiptarët e sotëm. Gjithsesi, sot jemi për në Krujë, na tërheqin shumë kalldrëmet mesjetare, kullat e kalasë, shtëpitë karakteristike brenda rrethit të kalasë e gjithçka tjetër që mban era histori dhe traditë.

Kalaja në Krujë

Kalaja e Krujes-Muzeu I skënderbeut

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen