Rexhep Hoti – Mbi parimet e Marrëveshjes 2013 (6)

Analiza & Komente | Rrezore | 07.06.18 | 08:59

«Marrëveshja e normalizimit 2013», ka peshë të madhe vetëm në qoftë se nisemi nga e dhëna se ajo ndodhi për herë të parë ndërmjet dy popujve, dy institucioneve, dy shteteve që kanë luftëra, konflikt e kontekste historike mbi gjashtëqindvjeçare.

Në të vërtetë, parimet e marrëveshjes në vetvete hapin mëdyshje të tilla, dëmi i të cilave mund t’i dëmtojë të dyja palët. Dhe këtu mendoj se fillon grotesku i politik i kësaj marrëveshjeje. Fjala është për parimet të cilat ndërlidhen me Asociacionin/Bashkësinë serbe nga pika 1 e deri të pika 6 .

Në këtë drejtim do të përpiqemi t’i vëmë në pah dy vërejtje kryesore:

E para, të gjitha këto parime realisht bien ndesh me parimin themeltar të Kushtetutës së Republikës së Kosovës e, që është natyra e saj shumetnike. Por për këtë natyrë filozofike të substancës juridike do të flasim më konkretisht kur të flasim për «Acociacionin/Bashkësinë» veçmas.

Në këtë pikë ndërlidhet edhe kërkesa e palës serbe për të pasur edhe:

1. të drejta të pakufishme në Kosovë,

2. për të pasur një portë të veçantë për pjesën veriore të Kosovës prej së cilës mund të rrjedhë një autonomi,

3. për të pasur rrethana të favorshme për serbët për shkëmbime territoresh,

4. për të pasur mundësi të shumta për ndarje territoresh,

5. për të pasur mundësi, që një ditë pushimi, kur bota të jetë duke u kënaqur me familje, me çifte a grupe të caktuara, mbase duke fjetur, të ndodhë edhe aneksimi i një pjese të territorit të Kosovës në emër të serbëve që janë në atë pjesë etj., etj,

6. ndërkohë që pjesa tjetër e serbëve të Kosovës, ku është e vendosur edhe gjithë trashëgimia e tyre fetare, kulturore e shpirtërore, mbetet e garantuar nën mbrojtjen Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Serbia, ashtu siç ‘ia hodhi’ Martti Ahtisaari nëpërmjet Rusisë, duke i dhënë shpresë se do të pranojë Planin i tij për Kosovën në OKB, prandaj, në emër të atij konsensusi Martti lejoi të futej në «Pako» gjithçka që u ra ndërmend serbëve që kërkonin dhe më shumë sesa kaq dhe kur pritej që «Pakoja», e cila përmbante brenda saj thesarin e të Drejtave dhe të Lirive për serbët e Kosovës në kuptimin e të drejtave të përgjithshme, etnike e fetare, të tilla që nuk i kishte parë ende as edhe një Kushtetutë tjetër në botë, Rusia, siç e dinë në mënyrë të përsosur shkathtësinë e pabesisë, u tërhoq, po tenton që nëpërmjet «Asociacionit/Bashkësisë» të garantojë standarde jashtë rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në këtë pikë më duhet ta them edhe një «pabesi» të Martti-it, që kishte brenda «Pakos». Ambasadori që kishte një pamje të lindur për të qenë vërtet «baba dimër», e ai ishte i tillë për popullin e Kosovës pa dallim, në «Pakon» e krijuar për ta legjitimuar ndërkombëtarisht Pavarësinë e plotë të Republikës së Kosovës, krahas Lirive dhe të Drejtave të pafundme për serbët e Kosovës si komunitet jo shumicë, e kishte ‘fshehur’ kompaktësinë e pavarësisë së një shteti të ardhshëm sovran e demokratik;

E dyta, pika e 14 e marrëveshjes kërkon një riformulim, sepse Serbia e ka shndërruar në parim jo vetëm luftën kundër Republikës së Kosovës kudo që ajo frymon nëpër botë, por, ajo ka filluar ta përjetojë me kënaqësi të madhe këtë formë të suksesit. Ç’është e vërteta, mbase edhe pa dashje është kthyer në kohët e fillimit të epokës së diktatorit pushtues, Sllobodan Millosheviq. Serbia në qoftë se e dëshiron «Dialogun» duhet ta ndalë dëmtimin e Republikë së Kosovës dhe duhet të mendojë më seriozisht dhe më shëndetshëm për veten në radhë të parë e më pas edhe për fqinjët e saj.

«Dialogu» i filluar tash e sa vite, sot është në pikën e vendnumërimit, pavarësisht se pro forma Serbia sot është në pikën kulmore të avancimit të tij, ashtu siç është në pikën kulmore edhe drejt organizimit të të gjitha energjive të veta për ta penguar avancimin e njohjeve të Republikës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtare apo në organizma tjerë me peshë.

Veçmas aspekte të propagandës së qëndrimeve të moderuara e të qëndrueshme të Presidentit Aleksandër Vuçiq, kanë pasuruar kahet e komunikimeve të tilla. Për herë të parë, Presidenti Vuçiq, e ka vënë Republikën e Kosovës, projektin e civilizimit perëndimor, në pozita të një shkëlqim shumë më të zbehtë sesa në kohën kur kishte filluar «Dialogu». Dhe gjerat në Ballkanin Perëndimor veçmas janë të tilla, që kur shkëlqen njëri, hijesohet tjetri më tepër sesa ai është i tillë në të vërtetë.

Presidenti Vuçiq ka filluar me guxim të hapë shumë porta të kësaj natyre mbi «Dialogun», natyrisht edhe me qëllimin e paralojës për ndryshim me faktorin e brendshëm, duke trokitur kështu ngadalë e me kujdes të madhe deri të kryeporta, të themi me figurë, që është ndryshimet e mundshme në Kushtetutë, çka pritet që Kosova të mos figurojë më brenda saj, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet pjesë e BE-së.

Në anën tjetër, njeriu kreativ dhe meritori i këtij bashkëbisedimi «ndërmjet armiqve shekullorë», që është Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka krijuar terren të volitshëm që edhe Kosova të fitojë, kohë pas kohe, beteja të vogla ndaj Serbisë në kuadër të «Dialogut», qoftë në rrafshin bilateral të bisedimeve, qoftë në rrafshin ndërkombëtar – e ka humbur freskinë e stabilitetit në lidhje më të dhe peshën e fuqisë që e kishte dikur. Me këtë rast mund të merret i qëndrueshëm vlerësimi i publicistit Tim Judah, se Hashim Thaçi është dobësuar përballë Vuçiqit të fuqishëm kur është në pyetje mbështetja politike e unë do të shtoja edhe sensi i tij kreativ politik.

Dhe jo vetëm kaq. Është e dukshme se gjërat dhe proceset janë edhe më të ndërlikuara ndërmjet të dyja vendeve. Në këtë drejtim nuk mund të përjashtohet as koha e funksionalizimit e Gjykatës Speciale dhe aspekte tjetra, të cilat, mbase, në mënyrë fragmentare, do të mund t’i shtjellojmë gjatë shkrimeve në vazhdim. Çështja e liberalizimit të vizave, dhe e shënimit të kufirit me Malin e Zi, është bërë pengesa tjetër e radhës e cila duket të ketë përfunduar në një rrugë qorre kur është në pyetje qeverisja e përtashme e Kosovës.

Mirëpo, siç u konstatua edhe më lart, ndërrimi i forcave politike në Kosovë, do të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në strukturimin dhe organizimin e dialogut, por, mbi të gjitha, do të ndikojë në riformësimin e të gjitha instancave të deritashme.

Serbia nuk do të duhej të mashtrohet me suksesin e përtashëm kundër Kosovës. Ajo nuk ka përse mashtrohet pas shijes për ta provuar përballjen me një shtet shqiptar dhe të komuniteteve tjera, i sistemuar dhe i institucionalizuar për herë të parë edhe më elementin ushtarak, gjë që i ka munguar dikur ish-KSAK-së.

Kosova sot është shtet i pavarur, sovran e demokratik në pajtim me rendin e Drejtësisë Ndërkombëtare, pyetje kjo që u vërtetua si e tillë kur këtë çështje e parashtroi vetë Republika e Serbisë, prandaj është mirë që Serbia të marrë më shumë në konsideratë sistemin e saj shtetëror, sado modest qoftë përballë saj! (vazhdon), nëntor 2017

Vështrimi është shkruar në fillim të nëntorit të 2017, për «Danas». Gazeta ka premtuar se do t’i botojë, por nuk e ka bërë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen