Doli nga shtypi libri me poezi i poetit Mentor Thaqi

Diaspora, Rrezore | Zef Prenka | 13.08.18 | 14:10

Nga:Musa Jupolli & Prend Ndue Buzhala

Mentor Thaqi në dialog me artin, arkitetk i ndërrimeve të nevojshme, ngutësia e notave të muzikës n’harmoni të vargut poetik me jetën shqiptare, dashuria e letrave nga se nostalgjia për Atdhe pika më e ndieshme, më e fuqishme e krijuesit.
Stil n’elegancë, në modesti, modest ai vetë, Mentor Thaqi – liria e fjalës, n’udhëtim të filozofisë e së kaluarës që e tashmja të ketë kuptim.

Poeti, mbledhës i thesarit popullor po ashtu, nuk është e tepërt të them Ulis (Ulysse) drejt Itakës me mesazhe të së mirës, paqes, që të jetohet në kuptim të jetës, epope filozofike me besim në njeriun, ku idetë shpjegohen me ndjeshmëri.
Personazhet e krijuesit Thaqi janë realë, dhe janë në harmoni me Atdheun, me një muzikalitet ku klasikja dhe bashkëkohorja ndihen për mrekulli, ku mitologjisë i nxjerr thelbin e kuptimit, po edhe i frymëzimit të momenteve të përjetuara, ku Dardania është çelës i parajsës së «oborrit» shqiptar, Çamëria një dritare, Ulqini një vend pushim shpirtëror i poetit në komunikim me Kalanë, me historinë.

Veprat e poetit, shkrimet e tij, janë një udhëtim ndër shekuj të historisë, literaturës, arkitekturës, artit e muzikës, është estetika në shpirt të bukurive, bujimeve t’Atdheut, me stil poemash lirike që i këndojnë natyrës, trimërisë, traditës, po edhe refleksione politike e linguistike, liria e shkrimit që frymëzon dhe ushqen imagjinatën tonë të bukur, ku banon ritmi, zgjimi dhe është etje e pa shuar arti për trojet e Arbërit që aq mirë i fle në penë poetit Mentor Thaqi në homazhe të biografisë sonë kombëtare !

Atdheu në temat e poetit është edhe një gjeometri me arteriet e veta në takim me letrat, ku të shpien në një botë dashurie, siq janë vargjet kushtuar më të ndjeshmës së shprtit të tij, në një botë urtësie siç janë vargjet kushtuar krijuesëve të letrave të bukura shqipe!
Poeti thotë : Shqipëria është një Det i pashëm dhe ka një thesar që do studime të thella në kërkime të gjenezës sonë, atje nga origjinë Pellazge-Ilire deri të Arbëria e këtej ! Letrat e ndaluara janë shpesh temë e prekshme shpirti, andaj poeti u jep dritë me vargjet e tij.

Në çdo varg jemi para një vërtetësie të historisë shqiptare. Penë që peshon.
Vargjet e Mentor Thaqit janë nota me rregullsi t’artit, fuqia e fjalës me shije të verës, asaj dukagjinase që ndez shpirt në dashuri t’Atdheut !

Mentor Thaqi po edhe një demokrat që nga «kohë» e Nolit !
. . . ta shkruaj Od(ë) (e)-n e lexuar në poemat tua, shkruar me shije për të kaluarën, të tashmen. I vetmisë në lexim, në melodinë e vargut n’Udhëtim të trojeve arbërore, „avan-gardist“ n’ide e filozofi kombëtare, edukatë e kulturë, demokraci letrare!

Vargjet tua orkestër frymëzuese, rend renditur nga themel e gur-gur studimi e mësimi: Kështjellë e fitores, Kështjellë e lavdisë, Kështjellë e historisë e gëzimeve, vuajtjeve shqiptare!
Për orën/ pret farën/diplomacia n’akord/kultura shqiptare/n’vija të kauzës dardane/ n’synim Bashkimi kombëtar/.

Thelbësor në të menduar, filozofi letrare!
Teoria: Filozofi-metaforë në kulturën i Lirisë në koncept të mirëfillësisë, pluralist ideor, estetikë, etikë, morale!
Jo rastësisht vepra jote u quajt RRËNJËT e kjo e radhës TRUNGU.
Kjo lidhshmëri e rrënjëve me trungun janë fuqie shpirtit të poetit!
*
Vërtetësia fillon me Besim në Fé shqiptare, stil e formë n’imagjinatë, menduar e shkruar njëshëm në metafizikën e jetës shqiptare !
Vepra jote poet: Histori, art, filozofi, letrat shqiptare!

Paris, Musa Jupolli
———————————————————————

Prend Ndue Buzhala :

PARADIGMAT E LIRIKËS PËR ETNINË

(Për vëllimin poetik “TRUNGU” të Mentor Thaqit)

Përsëri trungu !
Lexojmë vargjet e mentor Thaqit për trungun dhe pothuajse te shumica e poezive qëndron data kujr ato janë krijuar, Gjermani e nëpër Evropë. Poezia e merr rolin e një kronike a ditari poetik, qe kumton dhe reagon poetikisht, në mënyrën e thënies mentoriane… E pra, poeti, kudo që të jetojë e të shkojë, Atdheun e ka me vete. Atdheu i tij është gjuha, malli i pashuar, kujtesa e amshueshme e truallit, ato fije antike me të vetët.

1. Nga rrënja te trungu

Assesi poeti të shqitet nga ky trung arbëror, trung rrënjësh dardane :

Dardani
Ti emër i hershëm

Ose :

Eu, po na e la i pari, babai i Shën Dardanit
tevona, Jeronim e Kostantin, n´trashëgim
Bogdan dhe i Madhi Ibrahim
në Traditën tonë shekujve n´kalim
Nderuar kjofsh Hyji im, që na japë Bekim

Dikur, para sa vjetësh, më 2010, për trungun mentorian, te një poezi e tij, pata shkruar: “Po e lexojmë Trungun si simbol etnik, porse te kjo peozi vlera universale-simbolike e trungut është edhe universale (mund të jetë trung I huaj…)…Kurse këtu lexojmë edhe një identifikim me qenien tonë të kulturës materiale e shpirtërore nëpër mileniume e kohë: rrënjët janë lashtësia jonë, autoktonia jonë, shpirti ynë ilir-arbëror-shqiptar (europerëndimor e jo aziatik apo i aziatizuar).

Prandaj s’është habi pse nën ndikimin e pushtuesve të ndryshëm që na mbollën mënyra të tjera të jetesës, mendësi të tjera, kode, kanune e kulturë atdhemohuese orientale, na shartuan degë të tjera, të huaja, na ngritën mure me të kaluarën tonë e me vlerat e përbashkëta evropiane… dhe këto mure as sot nuk po mund t’i shembim e t’i kapërcejmë…

Kopshtari dikur është TJETËRSUAR : ai
tashmë ka qenë i ndërgjegjshëm se nga cila rrënjë, nga cilat burime e degë bëhen shartime… Janë inkurajuese e urtake dy vargjet e fundit („t´bëhesh kush nuk je, veten e
gënjen,/ shumë rëndë do gabohesh, o qenie e shkretë!“) – e pra, le te themi se
gjithçka ishte një aventurë çorientuese, një aksident historik (si do të shprehej Kadare), sepse ti mbetesh AI QË JE… Rrënja nuk ka hequr dorë prej teje… nuk të lëshon të shkëputesh…se do të thahesh (ne vlerat e identitetit tënd kombëtar e njerëzor).”

Shih pra, poeti nuk e do tharjen. As çrrënjëzimin.
Sa shpesh e lexojmë thirrmën metaforike “Eu”për të shpreh vrullin e ndjesisë, një brohoritje a një ndjesi ngazëllimi, një përnderim të thellë a një psherëtimë të prekshme plagomash kombëtare.

Te trungu jo vetëm simbolikisht, po edhe tematikisht, shënjohet burimi i përbashkët shqiptar, rrënja familjare; shënjohen prejardhja, lidhjet e gjakut, fisi, trupi i atdheut. Nuk është e habitshme përse familja poetike fjalëve shgaqet pikërisht edhe me emërtimet e mësipërme.

Veçse kësaj radhe, Mentor Thaqi na shfaq edhe një vlerë tashmë të përpunuar artistikisht. Vlerën e gnomave shqiptare, fjalë-urtave tona të lashta, formulave shqipe të urtisë, përvojës, jetës, bashkëligjërimit, bashkëkuvendimit, gjithnjë me vlerë shënjuese. Tipi i tillë i thënies dhe i këndimit, e ka bukurinë e vet të papërsëritshme estetike dhe përjetuese, dhe, gjithsesi, edhe energjinë e një mesazhi trashëgimor a porosie tipike shqiptare e qeniesore:

Fjala e babës
Në frymën e fundit
„Biro, rri n´kamë tua
edhe kur t´zezat dalin maje kreje
meno për ata mas teje“ ,…)

Mua më mbet fryma e tij

Ose:

Katragjysh Xheqi bëri shtëpi jetese
Në themel vuri „hatlla“ verri
„Të preme me hanë, pa i pa syni i keq“

Është, pra tip i shqiptuar thëniesh, që vjen me një ritëm të gdhendur melodik, brenda frazës, që i jep vesk tekstit.
Këto janë anët „e jashtme“ – poetika. Ndërkaq, brendia – tematika, lënda; po ashtu e ka të papërsëritshme edhe goditjen e gjetur të mesazhit… prandaj poezia, sado që shkruhet në standardin e sotëm të shqipes, me gjithat ajo i ruan burimet e thënies; ndryshe, po u rrëfye, po u „përkthye“ në gjuhën letrare, humb nga bukuria e vet burimore…

2. Nën shenjën e Hyjit

Lënda e pasur këndimore herë vjen si rikujtim i një urdhri etik, të brendshëm, për ta arritur shkallën urtake të shëmbëllimit të vetvetes, shëmbëlltyrës… herë si satirë thumbuese, me humor të kadifenjtë kundruall politkollurbës sonë, me parodizime therëse, me ironi përtallëse e herë si invektivë lirike, që shpërthen me energji të reja krijuese, lirikë që lexohet me hijeshinë e shakasë thumbuese, sepse
tryeza e kuvendimit të Mentorit është e mbushur me shakaxhinj, me karaktere që shënjojnë deformitete të ndryshme të shoqërisë sonë… herë si qëndisma satirike-humoristike, e që e begaton thesarin e karaktereve tona… herë si sinteza të pëlqyeshme lirike për historibërjen e liribërjen tonë, me vargje që shënjojnë trimërinë, mendjen dhe arsyen… herë si lirikë e tributit poetik për personalitete e të mendjes formatit tonë klasik, që dhuron bukuri përjetimesh.

Ah
Thuaj krejt çka të duash
O jo edhe të vërtetën
Tha hilja tek kunorëzohej në Mbretëreshë

Eu bre, po shumë e lemza
Në vend të keq po na e ngjet
„Fjalë birave të gardhit“
Të fshehura mbetën

Çka u ndie, e çka u pa
Mos daltë gojë me kallzue
Se kjameti nryshe s´bëhet

Jo pak poezi vijnë në trajtën e portretizimeve lirike, të të cilat poeti i thur, me një kuvendim të këndshëm lirik… me tone të lartësuara heroike-elegjiake, e që e fisnikërojnë (në ringjallje) memorien tonë.
Poeti e afishon hapur bindjen e tij, credo-n e tij të kohës, për të dalë nga gëzhojat e ndjesisë „apolitike“… Le të na lejohet te themi, se, megjithatë poetët janë një racë e epërme karshi njerëzve të rëndomtë… pikërisht për faktin se kanë një thellësi më të madhe emocioni e meditimi, humanizmi e botëndërtimi … Prandaj ata nuk mund të taborrizohen sipas përkatësisë së DHUNËS a sipas asaj partiako-politike… ata qëndrojnë mbi këtë interes të ngushtë. Për ta është e ngushte këmisha e tillë „politike“ që taborrizohet në fronte krimi, keqbërjeje a dhune…
Secili krijim shfaqet si poezi më vete, si thelb estetik i së bukures, kur iu këndon URIME Idealeve Kombëtare, arritjeve të gëzuara e të përbashkëta si komb, ecjes përpara në realizimin e këtyre synimeve të përbashkëta… Sa shumë bedskime, urime, fjalë të perëndishme, ka në poezinë e Mentorit. Në shenjë të këtij bekimi është krijuar poezia “Darka e lamës”

Eu, sa shumë darka shtruam e sa shumë, gufoi bereqeti
sa motmote bekuam e lum s´bamë sall për veti
të nderuam TY o Hyji im, e TI neve, na dhe bekim (…)

sa motmote bekuam e lum s´bamë sall për vet

diku tjetër një ritem melodik, me fonostilemat (fjalët me rimat e përsëritura: -inë/ -arë) ngjajnë në vajtimet e këngëve shqiptare… Një vajtim i përmallshëm, gjakndezes, shpirtplagour, që thurin tragjedinë tonë të copëtimit të trojeve; ëndrrash e legjendash që këndojnë lavdinë…
dhe, po ashtu, frekuentohet fjala hyjni, perëndim shenjtëri…

Si dikuri me nanëloke
Kur e shtronte sininë
Mes votre, hijeshi sofre
Po aq hyjnishëm shtëpinë

Ose kur këndon për qenësinë e identitetit e trashëgimisë:

Ashtu si Tomorri, Hyjnor i Dodonës
A patët një më të Madh, që ndriti si Diell

Apo:

o Hyji im, po shtroj darkë sublime
për familjarë mbarë

E pra, NËN SHENJËN E HYJIT, të gjithë, pa dallim, flasin NJË GJUHË, Gjuhën e Përgëzimit, të Urimit dhe Lutjes, Mbarësisë… Herën tjetër, na ndodh jo thjesht, gjysma, po tepria: t’i kemi dy identitete, gjysmash të ndryshme… që nuk e bëjnë qenien e plotë. Poeti është në kërkim të qenies së plotë, në kërkim të tërësive, në kërkim të realizimit të kësaj qenieje: në dije, në arsimim, në besim, në hapësirat e etnisë shqiptare. Së këndejmi, rrjedh edhe një porosi edhe një ofshamë për identitetin kaq të copëzuar:

Dy dynym (dylym) nën pus mbi Dri
Dhe dy dynym mbi pus nën Dri
Midis tyre ndrydhur unë me Ty
Oj e mjera ime, e plagosura Shqipni

Vjen nëpërmes lirikës së Mentorit, lashtësia me kalatë, me tingujt e magjishëm të këngëve, me baladat e legjendat e besës shqiptare, me emrat emblematikë dhe me hijen e hirshme të historisë, urtisë e lavdisë.
Si i ndez përfytyrimet poetike një poet shqiptar nga Kosova? I ndez me dritat metaforike përmes kujtese së vjetër urbane (një thesar memorial
Te kënga e rapsodit, dikur e sot, i bashkonim gjakimet tona atdhetare e liridashëse. Por edhe erotike, dashurore:

Ia kish marrë këngës njai Bardh Dukagjini
N’atë Rrasë të Çelisë me shikim kah Rrafshi
Në këngë të vet,k ish humbë krejt trimi
Duke i kënduar Tanushës, prej malli e afshi

Diku tjetër Poetizimi i mikpritjes shqiptare dhe i virtyteve kombëtare, këndohen me ndjeshmëri të sinqertë narrative-lirike.
Është lirika e etnisë që na vjen me imazhet epike dhe hyjnore brenda një strukture poetike… Lufta zgjon daullet e ndërgjegjes për t’u kthyer andej „kah duhet“, kah drejtimi i përjetshëm. Të pashtershme vijnë këto burime të këngëtimit të Mentorit për etninë… sepse vetë ky univers i shpirt etnik ilir-arbëror-shqiptar, e ka të pafund paradigmën e vet të këtyre burimeve sa hyjnore, aq edhe shpirtkrijuese…

Korrik 2018

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen