Ese nga Kadrush Radogoshi

Analiza & Komente | Rrezore | 29.12.20 | 19:50

KADRUSH RADOGOSHI: Ese
KOHERENCA E SË MIRËS PËRBALLË HOMOGJENIZIMIT TË SË KEQES

(Huazuar nga Fb.)

Historia është mësuese e jetës, thoshin romakët e vjetër, të cilët më parë kishin thënë edhe se armiku i armikut tim është miku im. Këta dy aforizma, varësisht nga këndi i vështrimit, mund të vendosen në raporte sinonimie (ngjashmërie apo koherence e pranimi) dhe antinomie (kundërshtie apo përjashtimi). Kush nuk mëson nga dështimet historike ato i përsëriten, prandaj të ndershmit e mençur mësojnë nga historia. Tema e kësaj eseje është gjendja e rëndë politike, ekonomike, arsimore, morale, psikologjike e Kosovës, të cilën në këtë moment e shpreh simbolika e aforizmit të dytë romak dhe dukja e rrezeve të diellit të shpresës, i cili po lind në horizontin e Kosovës e që në këtë kontekst e shpreh aforizmi i dytë se historia është mësuese e jetës.
Në vitin 1989 e keqja (politika shoviniste dhe ekspansioniste serbomadhe) kundër interesit ekzistencial të Kosovës u homogjenizua dhe brenda saj ishte edhe elementi shqipfolës i tipit Isa Mustafa dhe ky homogjenizim i së keqes e shpejtoi krijimin e koherencës së Lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim. Prej kur hapësira shqiptare në ish Jugosllavi u pushtua dhe iu nënshtrua një politike shfarosëse apo gjenocidale lëvizja kombëtare shqiptare për çlirim nuk u shua, pa marrë parasysh rëniet dhe ngritjet e saj, por pjekurinë e saj e arriti në vitin 1990 me Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve. Kjo lëvizje jo vetëm që i pajtoi familjet e gjakësuara duke i falë gjaqet dhe ngatërresat, por tërthorazi i pajtoi edhe shtresat e popullsisë, të cilat regjimi pushtues i kishte armiqësuar. Ish të burgosurit dhe ish të përndjekurit politikë ua falën mëkatet ish përndjekësve të tyre shqiptarë. Ky pajtim i përgjithshëm kombëtar krijoi koherencën e shoqërisë shqiptare për t’iu kundërvënë politikës serbe të aparteidit. Në këto rrethana u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës brenda së cilës u inkuadrua pothuajse e tërë lëvizja kombëtare shqiptare, e cila ishte rivitalizuar pas vitit 1981. Në vitet e para të saj, kur LDK ishte më shumë lëvizje popullore për çlirim se sa parti politike në kuptimin e ngushtë të fjalës, arriti ta afirmojë çështjen e Kosovës në përmasa ndërkombëtare si çështje e pazgjidhur kombëtare në ish Jugosllavi dhe ta organizojë refuzimin e pushtetit okupator serb. Pas Marrëveshjes së Dejtonit, kur zgjidhja e çështjes së Kosovës u anashkalua, kjo parti politike nuk arriti, që rezistencën paqësore ta shndërronte në rezistencë të armatosur dhe ta udhëhiqte atë. Duke mos e ndërmarrë këtë veprim të domosdoshëm në ato rrethana, LDK-ja krijoi rrethanat, që UÇK-ja të krijohet shkëputurazi nga ajo. Kjo gjë krijoi përçarje jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas luftës duke u shndërruar në një rivalitetet politik jo konstruktiv. Ky rivalitet i ashpër politik shkonte gjer në armiqësi të hapur, megjithatë lakmia për pushtet e pasurim të paligjshëm arriti t’i shndërronte në bashkëpunëtorë në qeverisjen e keqe dhe tërësisht destruktive, por asnjëherë nuk arriti ta zhdukte armiqësinë në mes tyre. Ky bashkëpunim në qeverisjen e keqe dhe bisedimet kapitullante me Serbinë e degradoi seriozisht pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Me këtë politikë ekstremisht destruktive nuk u pajtua një pjesë e rinisë studentore, e cila filloi ta kundërshtonte me forma të ndryshme të protestave dhe demonstratave. Kjo lëvizje gradualisht u zgjerua dhe u shndërrua në opozitën e vërtetë dhe të vetme në Kosovë. Më vonë u shndërrua në subjekt politik me emrin “Lëvizja Vetvendosje” dhe mori pjesë në zgjedhje. Kjo lëvizje arriti të hynte në parlament që me pjesëmarrjen e saj të parë në zgjedhje. Në çdo palë zgjedhje, ky subjekt politik, u rrit në përfaqësim dhe u fuqizua në të bërit politikë deri në dy palë zgjedhjet e fundit, kur doli subjekti politik më i votuar në Parlamentin e Kosovës. Dalja e Vetvendosjes nga dy palë zgjedhjet e fundit subjekt i parë politik i mobilizoi partitë politike me raporte armiqësore ndër veti, por edhe me raporte bashkëpunimi në ndarjen e kulaçit të madh të politikës destruktive të bëhen “miq” pikërisht si në aforizmin e romakëve të vjetër “Armiku i armikut tim është miku im”. Në kontekstin e këtij aforizmi LVV duke qenë “armik” i LDK-së së Isa Mustafës, i PDK-së së Hashim Thaçit e Kadri Veselit, i AAK-së së Ramush Haradinajt dhe Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt u bë armik i tyre i përbashkët duke i shndërruar ata nga armiq në miq të njëri tjetrit. Në këtë kontekst konkretizimi aktualizues i aforizmit latin është: “Ne, nga armiq të përbetuar po shndërrohemi në miq sepse e kemi një armik të përbashkët, i cili quhet Albin Kurti dhe Vetvendosje”. Kjo miqësi mbi parimin e së keqes, së ultës, destruktives, së shëmtuarës dhe pseudo kombëtares e pseudo historikes është parë sidomos pas zgjedhjes së Albin Kurtit kryeministër i Kosovës dhe grusht shtetit të 25 Marsit të vitit 2020. Armiqtë e shndërruar në miq nga armiku i përbashkët (Albin Kurti, Vjosa Osmani) me rastin e grusht shtetit jo vetëm fëmija i tragjedisë së Shekspirit, por i tërë populli e pa se qenia e tyre e shëmtuar politike ishte zhveshur cipridon-cullak. Qëndrimet dhe veprimet parimore e vizionare të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit aforizmit latin ia dhanë edhe versionin tjetër “miku i mikut tim është edhe miku im”. Çdo aleancë apo koalicion zgjedhor i krijuar mbi këtë parim dhe i udhëhequr nga këta dy liderë do të nënkuptojë koalicionin e koherencës në të gjitha aspektet. Ky do të jetë mësimi më i mirë nga historia jonë si mësuese e jetës.
Populli shqiptar gjithmonë është brengosur nga përçarja e madhe brenda trungut kombëtar, e cila në radhë të parë nënkupton përçarjen politike, të shkaktuar nga koalicionet joparimore apo destruktive. Por në këtë kontekst, bashkimi apo koherenca shoqërore krijohet vetëm nga koherenca politike e ndërtuar mbi parimin e së drejtës dhe interesit strategjik kombëtar. Vjosa Osmani e kundërshtoi zgjedhjen e Hashim Thaçit për president, duke mos u pajtuar me marrëveshjen joparimore të Isa Mustafës për t’ia dhënë votat e partisë së tij. Në atë rast ajo dëshmoi se deputeti apo deputetja në radhë të parë është përfaqësuese e popullit e tek pastaj e partisë politike. Ajo në mes të interesit popullor dhe atij partiak zgjodhi të parin. Politikanët e mirë nuk guxojnë të gabojnë në radhorin e prioriteteve, prandaj Vjosa e dëshmoi këtë. Qëndrimi parimor dhe i palëkundshëm i Vjosa Osmanit kundër grushtit të shtetit të organizuar nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe trabantët e tij alla Agim Veliu, Avdullah Hoti etj., të përkrahur nga e kuazi diplomati Grenell, e motivoi Isa Mustafën ta përjashtojë atë nga pozicioni i nënkryetares së LDK-së. Të gjitha këto veprime ishin kulmi i politikës destruktive në Kosovë. Politikania më e votuar në Kosovë u përjashtua dhe u satanizua. Të gjitha këto veprime të kryetarit të partisë më të vjetër në Kosovë, i cili me pafytyrësi tjetërsoi vullnetin popullor të shprehur në zgjedhjet e vitit të kaluar e zgjuan pakënaqësinë e pjesës më të ndershme dhe më të vetëdijshme të anëtarësisë së LDK-së, e cila me të madhe po i bashkëngjitet Listës zgjedhore të Vjosa Osmanit në ditët e fundit (Ferizaj, Mitrovica etj.). Reformimi i LDK-së po fillon me shpejtësi dhe boshti i këtij reformimi është Vjosa Osmani. Reformimi i partisë më të vjetër (LDK) dhe bashkëpunimi parimor me LVV do ta ndryshojë pozitivisht gjendjen në Kosovë pas zgjedhjeve që do të mbahen së shpejti.
Duke përfunduar mund të themi se parimi i bashkimeve destruktive politike të shprehur nga aforizmi latin se armiku i armikut tim është miku im do të komprometohet përfundimisht dhe do të zëvendësohet me parimin e versionit të dytë të aforizmit latin se miku i mikut tim është miku im. Mikja e Albin Kurtit (LVV) është Vjosa Osmani (Lista e saj zgjedhore) apo anasjelltas. Duke qenë të tillë ata janë miqtë tanë dhe së ardhmes së Kosovës së vendosur në rrugën e mbarë të ecjes drejtë koherencës shoqërore dhe progresit.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen