Hermafrodizmi i partisë së Edvinit

OP-ED | admin | 09.10.11 | 23:00

OPINION

Hermafrodizmi i partisë së Edvinit lexohet tek homazhet gjysmë-zyrtare të Gramoz Ruçit

09-10-2011 / Redaksionale
 

 

Për liridashësit e demokracisë, Presidenti i fundit komunist kish vdekur simbolikisht dy dekada më parë. Ndërsa Partia Socialiste humbi themeluesin e saj. Dhe nuk kishte sesi PS-ja të mos nderonte ish-liderin e saj. Numri dy i PS-së shoku Gramoz, ish-ministër i Ramizit, nderoi me përkushtim udhëheqësin dhe ish-shefin e tij dhe përfaqësoi gjithë PS-në denjësisht. Nderimi me homazhe i regjentit nga eksponentë të lartë të PS-së është shenjë dalluese e mos-reformimit të kësaj partie politike. Është dyfytyrësi e pastër e kreut të kësaj Partie, që një ditë hesht dhe shkruan ditiramb për mikun përtej Atlantikut, dhe ditën tjetër komunikon me kode me elektoratin bazë, duke çuar në homazhe Gramoz Ruçin ta nderojë. Më e ndershme ishte Nexhmija që tha se humba një shok, e në të vërtetë për të ishte më shumë se një shok.
Për aq sa mbetet në histori, Alia ishte diktatori i fundit komunist i Shqipërisë, me krime që rendojnë mbi të që nga koha e luftës dhe për më tepër kur mori frenat e Shqipërisë si trashëgimtari i Enver Hoxhës. Sidozot krime komuniste për të cilat nuk vuri kurrë dorën në zemër e të thoshte “na falni”. Pa brejtje ndërgjegje për viktimat nga diktatura komuniste, që përmbledhtazi ishin 6535 persona të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit; të pushkatuar 5548, mes tyre 91 gra; të burgosur 14563, mes tyre 445 gra; të vdekur në burg 987, mes tyre 7 gra; të futur në psikiatri 308, mes tyre 35 gra; të internuar e të dëbuar 21401, mes tyre 9322 gra. u pushkatuan, burgosën dhe vdiqën në burgje: klerikë katolikë 120; klerikë bektashinj 83; klerikë myslimanë 60; klerikë ortodoksë 39. U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare; xhami 740; kisha e manastire ortodokse 608; kisha e manastire katolike 157; teqe e tyrbe 530.
Me një llaf, njeriu që kërkoi të ruante sistemin deri në momentin e fundit, ku ndryshe nga sa u mendua fillimisht për të, nuk arriti kurrë të ishte qoftë edhe një karikaturë e Hrushovit, aq me pak e Gorbaçovit. Megjithëse shteti i tij i kishte falimentuar në dorë, ky vazhdonte të zgjaste agoninë e atij sistemi dhe gjithë shqiptarëve, madje tentoi që të riciklonte kastën e vjetër Bllokiste në kohën që po pasonte sistemin e tij, por nuk ia arriti. Ne, shqiptarët e kemi ca zakon që pas vdekjes, refuzojmë t’ia ngarkojmë shpirtin me më gjynahe seç ka në dosje, por nuk mund të harrohet “ecja e marksizmit në rrugë të pa shkelura”, që ishte fryti i fundit i PPSH dhe diktatorit Alia. Të gjithëve u kishte dalë barku tek shpina nga uria dhe skamja, dhe njerëzit jetonin krizën më të egër në historinë 45 vjeçare të komunizmit dhe ishte ky me byronë patologjike që vazhdonin të shtynin Shqipërinë drejt humnerës derisa i mbeti vetëm shpirti, por shpirti nuk mbahet në diktaturë.
Sidoqoftë ky rast shërben për të gjithë për të parë sesi fijet e Bllokut nuk janë prerë. Përkundrazi ato janë të lidhura fort në Partinë Socialiste, që në ADN e saj mban kromozomin e totalitarizmit, që pret të shfaqet në momentin e parë të rikthimin në pushtet të gjeneratës së dytë të Bllokut. Komunikimi simbolik i Partisë Socialiste me nderimin e një udhëheqësi komunist dëften për hermafrodizmin e kësaj Partie, ku në një anë është “garda e vjetër”, Ruçi, Dokle dhe Pëllumbi dhe në anën tjetër “gjenerata e dytë” e Bllokut e përbërë nga pinjollët e familjeve të rritura në mendësinë shtypëse dhe anti-perëndimore të nomenklaturës komuniste.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen