Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, atë Karl Serreqi

Histori & Fakte | Rrezore | 08.04.14 | 23:24

Atë Karl Serreqi (Shkodër, 02. 02. 1911 – Burrel, 05. 04. 1954), frati, që nuk pranoi të kallëzojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel, më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Karl Serreqi

Atë Karl Serreqi

Martiri i sekretit të rrëfimit
(Sipas atë Daniel Gjeçajt)

“Në krahinen ku shërbente si famullitar Atë Karli, ishte plagosë për dekë një malsor, në ndeshje me forcat e ndjekjes. Familja ngau te frati e i kërkoi t’i epte të varruemit sakramendet e mbrame. Atë Karli e kreu me shpejtësi detyrën: e rrëfeu, e kungoi e e vojoi të plagosunin. Në ketë kohë Dukagjini ishte nën kontrollin e rreptë të komunistave. Ishte kohë zjarmi, gjaku, kobi. Malet shqiptare vijojshin me iu kundërvû diktaturës e nuk dorëzoheshin. Kontrollet komuniste e akuzuen fratin e ambël, të butë, të thjeshtë, që s’njihte politikë tjetër veç Kryqit të Krishtit, se kishte vojue një diversant, se ishte në dijeni të sekreteve të rrezikshme për partinë e pushtetin, të cilat i plagosuni i kishte marrë me veti në vorr. E ndërsá shpirti i malsorit të dekun fluturonte në dritën e amshimit, frati torturohej mizorisht në terrin e birucës, që i përngjiste shumë bimsave, ku i pat mbyllë dikur turku dy axhat e tij meshtarë martirë. Që dolën nga shtëpia shëndosh e mirë, e mbeten pa krena. Gjithsesi veziri turk e pat aq mëshirë, sa ta lejonte familjen me qitë vajin e me e vorrosë njenin prej martirëve në vorrin e familjes.
Atë Karlin e kërcnuen. E lanë në gjak. Kërkojshin me çdo kusht të mshehten e kallëxueme me një fije zâni në fíll të mordes, kur njeriu flet me meshtarin, si të flitëte me vetë Zotin, në sa pregatitet me dalë para një gjyqi, ku e drejta e e shtrembta peshohen më një kandár që nuk gabon kurr. Thue mundet me tradhtue Zoti? Prandej frati qëndroi, e s’do të ishte as i pari as i fundit…
Familja e merrte vesht se çka po ndodhte aty mbrendë, kur i kthehej mbrapsht ushqimi a kur i dorëzoheshin ndërresat e ngrime në gjak e qelb, të cilat i lante, me lot në sy, e kunata e divoçme, Luçia, bijë e derës së fisme të Kakarriqëve. Njëheresh me të kunatin, ajo kjante edhe të vëllanë, avokatin e njohun, Ndrekë Kakarriqi, që pësonte të njejtin fat. E përziheshin lot e gjak e qelb, simbol i ditëve të reja në jetën e Shkodrës.
Më 18 janar 1947 gjyqi ushtarak lexoi dënimin e tij me dekë. Tri javë Atë Karli priti ditë-natë ekzekutimin. Mbas tri javësh dënimi iu kthye në burgim të përjetshem. Vetëm sepsè nuk pranoi me u bâ spijun i komunistave! Pse s’pranoi me shkelë premtimin e dhanun në elter…
7 vjet kaloi nepër burgje. Me 19 korrik 1947 u dërgue për të vazhdue dënimin në Maliq të Korçës. Adresa e tij e re, siç dishmojnë letrat e ruejtuna prej familjarëve, ishte „Kampi i armiqve të popullit“, Maliq , Korçë.
Me 3 shtatuer u transferue në Vlashuk të Urës Vajgurore – Berat e pak ma vonë, në burgun famkeq të Burrelit. Endè s’i kishte mbushë 43 vjetët, kur familja mori nga Atë Donat Kurti telegramin „Pater Karloja ndërroi jetë me 4 prill 1954 nga nji dekë e papritun prej zemret“.
Qeveria komuniste nuk u tregue aq e mëshirshme sa Veziri turk. Nuk ia ktheu trupin e dekun të vetëve. Frati u vorros diku në vorrezën e burgut. E familja nuk guxoi as me qitë vajin, si pat bâ me trupin pa krye të një biri tjetër, martir. Familja e kjau Atë Karlin në heshtje, e kjau me lot të mshehtë gjaku…”.1
Asokohe, me një ngushëllim të vetëm, të madh: i kishte falur Kishës shqiptare Martirin e sekretit të rrëfimit. Sot, me pritjen e lume për ta parë të lartuar në nderimet e elterit.
1. Sipas veprës së Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012

Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen