Marrëzi patriotike

OP-ED | Zef Prenka | 21.11.12 | 21:15

Enver Robelli
 
Biçimpërmendorja e Adem Jasharit në Radushë të Maqedonisë është vetëm edhe një shembull i mënyrës qesharake të kujtimit të së kaluarës: pa asnjë kriter artistik dhe me improvizime të llahtarshme. Në këtë katrahurë, për fat të keq, po marrin pjesë jo vetëm politikanët, por edhe vetë anëtarët e familjes Jashari
Njëqind kalorës thuhet se po marshojnë nga Kosova drejt Shqipërisë. Nga Durrësi është nisur drejt Kosovës një përmendore e Isa Boletinit. Katër persona nga Anamorava dhe Lugina e Preshevës po shtegtojnë në këmbë drejt Vlorës. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha së fundi erdhi në Dukagjin, ku me eufori shkumëzuese së pari u shpall qytetar nderi në Deçan, pastaj zbuloi një përmendore të Isa Boletinit në Isniq. Aty afër gjendet varri i Jusuf Gërvallës, por Berisha nuk e pa të arsyeshme ta nderojë këtë intelektual e patriot. Tani është koha e popullizmit, kur puna shkon deri aty sa edhe ndonjë luftëtar i periudhës para një shekulli quhet gjeneral, ndonëse s’ka ditur as shkrim-lexim. Tash me rëndësi është që në grazhdin e madh të popullizmit të hidhet sa më shumë sanë dhe mileti të kënaqet duke këputur ndonjë fije patriotike dhe duke e përtypur me javë të tëra.
Pamja e llahtarshme
Tani për tani loja qesharake me simbole e motive patriotike e arriti kulmin gjatë fundjavës: në fshatin Radushë afër Shkupit politikanë dhe njerëz të tjerë me profesion “shqiptar” valëvitën si në trans disa flamuj me shkabën dykrerëshe (prodhim kryesisht kinez), mbajtën ca fjalime patetike dhe në fund – ekstaza: shpalosja e përmendores së Adem Jasharit, njërit prej nismëtarëve të aksioneve të armatosura kundër forcave serbe në vitet ‘90. Nuk duhet të jesh as skulptor, as piktor, as arkitekt për të pasur mendim negativ për këtë përmendore që u zbulua në Radushë: Adem Jashari i ngarkuar me pushkë e allti dhe duke mbajtur drejtpeshimin si valltar baleti mbi një tank, gryka e të cilët na qenkësh e drejtuar “nga Shkupi” (sipas televizionit publik-poetik RTK).
Një pamje artistikisht e llahtarshme, ku në një grumbull hiçi figura e Adem Jasharit ndërtohet me një kombinim fatal mes egërsisë së realsocializmit, desperadove mendjelehtë meksikanë, Charlie Chaplinit, Super Marios dhe heroit partizan Boshko Buha. Këtu mërzitshëm shkëlqen edhe estetika e pornografisë patriotike: gryka e tankut në formë të fallusit, në prapaskenë dy shtylla prej hekuri në formë të dy këmbëve të ngritura dhe mes tyre – natyrisht një shqiponjë dykrerëshe prej teneqeje! Shikuar nga aspekti i psikanalizës kjo përmendore e shoqëruar edhe me simbolin e fallusit përpiqet të tregojë “gjigantomaninë patriotike”, por rezultati është i mjerueshëm: një komb i tredhur!
Gjuha të tradhton
Në orgjinë patriotike të Radushës foli edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë Ali Ahmeti. Nuk është fare me rëndësi se çfarë ka thënë aty Ahmeti, por është e pafalshme që ai bëhet pjesë e një katrahure kulturoro-patriotike për qëllime të përfitimit politik. Me një telegram të pranishmit i përshëndeti edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Nuk është fare me rëndësi se çfarë ka shkruar ai në atë copë letër, e neveritshme është që Thaçi bëhet sërish pjesë e një “kulture të kujtimit”, e cila s’ka se si të mos duket qesharake përballë botës, por edhe asaj pjese të opinionit shqiptar, i cili nuk sheh asnjë dobi nga ky masturbim patriotik.
Mediumet njoftuan se në Radushë “të pranishmëve iu drejtua edhe nipi i Adem Jasharit, Murat Jashari, i cili (…) u shpreh se dhurata më shtrenjtë për të është shpalosja e shtatores së Adem Jasharit”. Duhet thënë shkurt dhe shqip: në degradimin e personalitetit të Adem Jasharit, në fakt në bërjen qesharake të kësaj figure po merr pjesë edhe vetë familja e tij. Politikanët “e luftës” e kanë bërë këtë për qëllime të përfitimit politik, por përse po e bën familja? Pas luftës shumë “komandantë” për të treguar se janë njohur me Adem Jasharin, kanë bërë me gisht nga alltia në brez dhe kanë thënë: “Këtë revole e kam dhuratë nga komandanti”. Nëse 100 “komandantë” kanë thënë kështu, atëherë Adem Jashari reduktohet në tyxhar armësh.
Gjuha e ka një të mirë: të tradhton! Prej vitesh në mënyrë këmbëngulëse propaganda e çlirimtarëve të rrejshëm e quan Adem Jasharin “komandant legjendar”. Legjenda është gojëdhënë, është “trillim që përhapet për arsye të caktuara për dikë a për diçka; diçka që nuk i ngjan fare së vërtetës, diçka e pabesueshme”. Kështu së paku e shpjegon Fjalori i Gjuhës Shqipe fjalën legjendë. Pse përdoret ky vokabular? Nga padituria dhe injoranca? Apo këta njerëz vërtet mendojnë se qëllimi i arsyeton mjetet. E ky qëllim është: zaptimi simbolik dhe në çdo mënyrë i historisë, me përmendore qesharake, me vepra pseudoshkencore, me studime pa asnjë fakt, me rrëfime absurde agjentësh të Shqipërisë mbi luftën e viteve 1998/99, me emërtime rrugësh pa asnjë kriter, me përralla të mëdha si për shembull kur thuhet se Shaban Jashari, i ati i Adem Jasharit, e paskësh ditur përmendsh “Lahutën e Malcís” të Gjergj Fishtës (15’613 vargje). Në këtë vazhdë duket konsekuencë e mbrapshtë që edhe Aeroporti i Prishtinës mori emrin e Adem Jasharit, me gjithë mungesën e çdo lloj kauzaliteti dhe interaksioni mes subjektit dhe objektit.
Ai nuk është i gjallë!
Por, nuk është vetëm klasa politike fajtore e përgjegjëse për këtë degradim kulturor, ambiental dhe arkitektonik. Është shoqëria ajo që e duron këtë situatë. Një shoqëri e shëndoshë nuk do të lejonte diçka të tillë, madje pas marrëzisë së Radushës do të kërkonte që ajo përmendore të largohet sa më shpejt për të mos u bërë gaz i botës. Duhet tani një nismë qytetare për të hequr këtë njollë në terren. Asgjë më shumë nuk është shtatorja e Adem Jasharit në Radushë. Nëse nuk hiqet tani, vitin tjetër, për 28 nëntor, tankut të Adem Jasharit do t’ia shtojnë një helikopter, pastaj një kalë, sipas nevojës për disa muaj mund ta ulin Adem Jasharin këmbëkryq dhe t’ia vendosin përpara një kuti me duhan dhe një makinë speciale për mbështjelljen e cigareve, pastaj një çibuk dhe një eshkë me uror.
Edhe nëse mbetet e tillë si është kjo përmendore, me siguri së shpejti do të gjejë vend prominent nëpër revista e gazeta humoristike dhe forume përkatëse në internet. Adem Jashari nuk është më në mesin e të gjallëve dhe nuk mund të mbrohet vetë nga keqpërdorimi i figurës së tij. Me sa duket, edhe familjarëve të tij po u duket krejt normale që të durojnë poshtërimin dhe kokulur të zënë vend, për shembull, në bord të aeroportit.
Kjo mënyrë e kujtimit të së kaluarës, siç propagandohet nga regjimi aktual, përqendrohet vetëm te heronjtë – të vërtetë dhe të shpifur. Viktimat nuk kanë vend në kujtesën tonë kolektive, por vetëm private. Andaj pothuaj askush ndër shqiptarë nuk e di si e ka pasur emrin gruaja e Adem Jasharit. Shoqëria maskuline e burrave barkmëdhenj, të cilët tërë ditën e kalojnë nëpër kafehanet e kotësisë, në imazhin e historisë nuk duron viktima – as gra të dhunuara, as fëmijë të therur me bajonetë, as plaka të vdekura në rrugët e ikjes, bile së fundi në një fotografi iu mbulua gjoksi një nëne, e cila po i jepte gji foshnjës në kolonën e mjerimit duke ikur për në Maqedoni. Këtë fotografi e kishte bërë një fotograf kroat dhe në pranverë të vitit 1999 është botuar në ballinën e revistës gjermane “Der Spiegel”. Kjo fotografi nuk është e turpshme. Ajo e simbolizon dhimbjen. E turpshme është të zbulosh këso përmendoresh si në Radushë dhe të tregosh faqe botës krejt marrëzinë e një shoqërie.
robelli@bluewin.ch
kohanet.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen