Ndërkoha jonë

OP-ED | Mikel Gojani | 21.12.15 | 17:15

 

REALITETI I SHNDËRRUAR NË MUGËTIRË

MIKEL GOJANI

1.
Të gjithë jemi dëshmitarë të këtij realiteti që po jetojmë. Edhe ky realitet, sikur të mëparshmit janë shndërruar për t’i mbajtur mend. Edhe realiteti i paraluftës, edhe ai i luftës, edhe ai i pas luftës, ngërthejnë shumëçka të veçantë në vete, që përfaqësojnë një korrelacion mes këtyre realitetet e caktuara brenda atyre kornizave nëpër të cilat rrugëtoi individi dhe kolektiviteti ynë.

Të gjitha këto realitete synojnë të hedhin dritë shumëçka çfarë ka pësuar ky individ gjatë këtij rrugëtimi të mungët, me esencat e saja tragjike, me të cilat po përballet (fatkeqësisht), edhe sot pas kaq vitesh të frymës së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

2.
Këtë shpirt të individit dhe kolektivitetit tonë, edhe ashtu të kadandisur më së shumti e pati molisur, kuptohet ai i paraluftës; realiteti i luftës, që pasojë me një golgotë të vërtetë, mirëpo për memento është edhe ai i pasluftës, të cilin në shpinën dhe qenien e vet po e përjeton edhe sot ky popull, prandaj edhe ndaj të cilit nuk duhet të heshtet.

Të gjithë e dimë, që edhe në frymën e lirisë (liria që ishte një ëndërr e shumë brezave tanë), se çfarë realiteti i brutalizuar na u krijua në realitetin të cilin e patëm pritur me shekuj. Po nga ky realitet, që është për memento, humbëm pronat më të çmuara të kombit tonë. Ky shpirt, edhe ashtu i katandisur nga gjithë ajo katrahurë që kishte përjetuar, përjetoi tmerrin e vërtetë; përjetoi realitetin të cilin e kishte pritur, mirëpo ai realitet u kthye në gjendje të një zhgënjim ekstrem deri në atë shkallë që individit tonë t’i përkujtohen shprehjet e eruditit të kombi dhe shkrimtarit të shquar, të Faik Konicës, i cili edhe ai vetë më 1913, kur Shqipëria e pas pavarësisë (kuptohet në ekstremin e zhgënjimit), në një rast shprehet për vitet e mëhershme të atyre mynxyrave, të të gjithë atyre kataklizmave që kishte përjetuar nga robëria: “Përjetova një robëri të lumtur!” Robëria, kuptohet, asnjëherë nuk mund të jetë e lumtur, mirëpo shpresat që ushqejnë qenien e individit që një ditë ai shpirt do ta dal nga ato kthetra, pra do të lirohet nga ai mbërthim i robërisë, e bëjnë atë të lumtur dhe individin dhe kolektivitetin gjithherë e ushqejnë shpresa për kohë më të mira.

3.
Edhe sot, pas gjashtë vjet e gjysmë të frymës së lirisë, individi ynë akoma po sfidohet me një realitet të ashpër jetësor. Shumë faktorë më të cilët po ballafaqohet ky individ po krijojnë këtë realitet të ashpër, çfarë shpirti racional më së paku e ka merituar. Dhe, me krijimin e këtij realiteti, më të drejtë eshtë reflektuar në krijimin e ndjenjës së defitizmit si veti normale e individit. Në këtë rreth të kësaj gjendjeje gjendet pjesa më e madhe e popullatës sonë. Apatia, konfuzioni dhe paperspektiva kanë konsumuar shpresat e optimizmit që ky individ shpejt do të dal nga ky realitet në të cilin është mbërthyer.

4.
Për ta terrorizuar edhe më shumë këtë shpirt, edhe ashtu të brishtë, i cili edhe nuk e ka merituar assesi, është gjendja e tanishme e krijuar. Ky realitet i rëndë politik, me një mungesë të madhe të civilizimit dhe kulturës politike, ka ndikuar dhe po ndikon në thyerjen shpirtërore dhe konsumimin e optimizmit të individit për ditë më të mira dhe diçka më progresive. Është shumë vështirë, apo assesi nuk mund të justifikohet ky realitet i ashpër politik, që është krijuar në jetën tonë politike, që me siguri më së shumti ndikon në rrëshqitjen e shumë proceseve progresive të cilat i kemi pasur përpara nesh, po na ikin dhe po na i shuajnë ëndrrat që na kanë mbajtur peng.

Këtë e dëshmon edhe vendimi i djeshëm i Këshillit të BE-së kur për kosovarët refuzoi procesin e liberalizimit të vizave si shprehje e reaksionit për gjithë këtë gjendje anarkike që politika jonë ka krijuar në Kosovë. Ky vendim i këtij organizmi ishte një ndëshkim që i bëri qytetarëve të Kosovës (jo njerëzve të politikës), sepse ata, që të gjithë përmes mundësive dhe privilegjeve që kanë në këtë drejtim, përmes shfrytëzimit të pasaportave diplomatike, portat për ta janë të hapura për ngado që dëshirojnë të shkojnë. Mirëpo, është populli ai i më së shtrenjti paguan çmimin, gjegjësisht haraçin e kësaj politike të keqe. Sepse ky popull, edhe në këtë kohë, kur popujt tjerë kanë shkuar tepër larg në shumë aspekte të jetës bashkëkohore, populli i Kosovës mbetet i vetmi në Europë i getozuar!

Ajo çka ngjan në Tempullin e Shenjtë të Demokracisë, në Kuvendin e Kosovës, vërtet kudo në botën e qytetëruar ky tempull vërtet është i shenjtë, sepse aty përfaqësuesit e popullit e prezantojnë në mënyrë të dinjitetshme interesat e qytetarë të cilët ju kanë dhënë besimin, mirëpo, ky Kuvend yni i ngjan një ngrehine monstruoze, sepse nga aty prezantohen skenat më drithëruese, më helmuese dhe tmerruese që nuk i i njeh bota demokratike, bota ku mbizotëron shpirti demokratik. “Zgjedhësit e popullit”, prej këtij “Tempulli të shenjtë”, po përçojnë imazhin më të keq cep më cep botës demokratike, duke shkelur mbi sakrificën e shumë shekujve të këtij populli; duke shkelur mbi themelet e këtij tempulli, në themelet e të cilit është murosur gjaku i më të shtrenjtëve të këtij populli-heronjve dhe dëshmorëve të kombit; i duke zhgënjyer dhe trishtuar edhe miqtë tanë më të shtrenjtë nga e gjitha bota demokratike, të cilët patën hise dhe u bën pjesë e çlirimit të këtij vendi pa të cilët edhe nuk ishte arritur kjo ditë, që do të ishte dashur për të qene e dita më bekuar.

Pas gjithë atyre bombave që bota demokratike për t’i sjellë lirinë këtij populli i lëshoi para 16 vjetëve mbi caqet ushtarake dhe policore të okupatorit tonë shekullor – Serbisë, t’i shohësh bombat dhe tymin e zi në Tempullin e Shenjtë të Demokracisë – Parlamentit të Kosovës, që u ngreh mbi themelet e gjakut të kuq të bijve dhe bijave të këtij vendi, është diçka që asnjë logjikë e shëndoshë nuk mund ta justifikojë. Njerëzit që përfaqësojnë popullin në këtë tempull janë njerëz të cilëve në qenien e tyre mundon ndjenja e shpirtit intelektual dhe civilizues; janë njerëz që nuk njohin vlerat dhe kriteret e parimeve të demokracisë autentike, të cilët janë në gjendje që për hir të interesave dhe pasioneve të caktuara personale janë në gjendje të përmbysin çdo vlerë të interesave nacionale.

Këta njerëz me këto veprime po i bëjnë shumë dëm vendit tonë dhe popullit të Kosovës përgjithësisht. Duke sabotuar jetën parlamentare po sabotojnë të ardhmen e këtij vendi, i cili edhe ashtu në raport me faktorin ndërkombëtar është në pozita defensive. Prandaj, ky realitet i krijuar po e vënë në luhatje edhe diskursin politik të vendeve më vendimmarrëse, si të Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Londrës etj., sepse klasa aktuale politike në Kosovë ka krijuar kriza të paparashikuara për interesa të caktuara, por të cilat po e zvetënojnë partneritetin që ka vendi ynë me këto vende që e mbështeten atë në çlirimin dhe shtetndërtimin e tij.

Ky realitet i krijuar nga këta kjo strukturë politike, ka ndikuar dhe akoma më shumë po ndikojnë në tëhollimin e substancës kombëtare. Sot në logjikën e cilitdo individ tonin është e mbëltuar ndjenja e ikjes nga atdheut. Ky fenomen edhe ashtu (në heshtje) më të madhe është duke ndodhur. Atdheu (po ashtu në heshtje), më të madhe po zbrazet. Po ikën pjesa më vitale e saj…

Kështu, edhe sot, pas 16-vjetëve të mbërritjes së frymës së lirisë vetë, pa na penguar askush tjetër, po e vrasim të ardhmen e brezave tanë, të cilët nuk do na e falin kurrë këto mëkate që ne sot po i bëjmë ndaj tyre.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Mikel Gojani

Mikel Gojani

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen