ZGJEDHJET E DHJETORIT – MIDIS SË VJETRËS SË HARXHUAR DHE TË RESË SË PAFORMUAR

Analiza & Komente | Zef Prenka | 04.12.16 | 09:28

Xhelal Zejneli

Pas 11 dhjetorit të vitit 2016, mandatin për ta formuar qeverinë do ta marrë njëra prej dy partive sllavo-maqedonase – VMRO-ja ose LSDM-ja. Në hapësirën politike shqiptare ndërkaq, fitoren e BDI-së, pothuajse askush nuk e vë në dyshim. Por, ka shumë që thonë se BDI-ja nuk do ta marrë atë numër votash që e mori në zgjedhjet paraprake. Nuk dihet saktë se cila parti sllavo-maqedonase do ta formojë qeverinë. Mund të ndodhë që VMRO-ja të marrë më shumë se vota se LSDM-ja, por të mos mundë ta formojë qeverinë. Arritja e shumicës parlamentare do të varet prej faktorit politik shqiptar.
Ka kohë që flitet se faktori ndërkombëtar është kundër formimit të qeverisë nga VMRO-ja e pareformuar dhe nacionaliste. Thuhet po ashtu se qendrat politike ndërkombëtare t; vendosjes janë kundër Nikolla Gruevskit. Ndërkombëtarët parapëlqejnë që shkelësit e parimeve të demokracisë të përballen me Prokurorinë speciale. Një prej tyre është edhe ish-kryeministri Gruevski. Një i tillë, edhe po t’i fitojë zgjedhjet, s’ka sesi e formon qeverinë.
Po qe se ndodh që LSDM-ja të marrë më pak vota se oponenti i saj, e megjithatë ta formojë qeverinë, atëherë VMRO-ja do të reagonte duke organizuar protesta nacionaliste dhe populiste, si në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Maqedonia do të vazhdonte të bashkëjetojë me krizën.
Po qe se ndodh që qeverinë ta formojë VMRO-ja, atëherë do të reagonte LSDM-ja, duke e kontestuar fitoren e oponentit të vet. Në vendet ballkanike gjithmonë gjenden arsye për t’i kontestuar zgjedhjet. Pas kësaj, kriza në Maqedoni do të vazhdonte dhe do të thellohej.
Uashingtoni dhe Brukseli nuk janë për një Maqedoni “stabile”, nën ombrellën e VMRO-së. Me një fjalë, ndërkombëtarët do të parapëlqenin një qeveri pa VMRO-në.
Një qeveri eventuale me VMRO-në, do t’i kthente prapa proceset demokratike në Maqedoni dhe do t’i acaronte marrëdhëniet ndëretnike. Atëherë do të rezultonte se veprimet e paligjshme dhe aktet e tjera korruptive, të zbuluara nga përgjimet, nuk paskan rëndësi për qytetarët e Maqedonisë.
Edhe këtë herë, VMRO-ja synon të fitojë me një platformë dhe me një retorikë nacionaliste dhe antishqiptare. Fitorja në saje të antishqiptarizmit, dëshmon se sllavo-maqedonasit qenkan antishqiptarë.
Nga sa më sipër del se Maqedonia, edhe pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, nuk ka gjasa të dalë nga kriza politike, ekonomike dhe sociale.
* * *
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk do të ndryshojë fare, as pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, madje për shumë arsye:
– pala sllavo-maqedonase, e udhëhequr nga VMRO-ja, ndodhet në pozicione nacionaliste dhe antishqiptare;
– LSDM-ja, nën ndikimin e VMRO-së, kur është fjala për zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve, ndjek vijën e oponentit të vet; ndryshe, rrezikon t’i humbë zgjedhjet;
– politika nacionaliste dhe antishqiptare e VMRO-së, krijon në Maqedoni frymë dhe klimë antishqiptare; rrjedhimisht, faktori politik shqiptar ballafaqohet me një frymë apo klimë antishqiptare;
– politika antishqiptare e VMRO-së shpie pashmangshëm në homogjenizimin e faktorit sllavo-maqedonas, përballë kërkesave politike, historikisht të justifikueshme, të faktorit politik shqiptar;
– antishqiptarizmi në Maqedoni është politikë e shtetit;
– antishqiptarizmi në Maqedoni ka qenë politikë e qeverisë, pjesë e së cilës, që nga vitit 1991 deri më sot, kanë qenë PPD-ja, PDSH-ja dhe BDI-ja;
– faktori politik shqiptar, tanimë nuk ballafaqohet me VMRO-në apo me LSDM-në, por me faktorin politik sllavo-maqedonas;
– faktori politik shqiptar, duke qenë se ballafaqohet me faktorin politik sllavo-maqedonas, duhet të paraqitet përballë tij, i bashkuar dhe unik, me një platformë politike të përbashkët e cila do të përmbante kërkesat kombëtare të shqiptarëve.
Duke qenë se faktori politik shqiptar në këto zgjedhje nuk del i bashkuar, atëherë rezulton se çështja shqiptare në Maqedoni, edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit, do të mbetet ku është.
Faktori politik shqiptar, i pabashkuar dhe i përçarë, nuk ka kapacitet dhe kredibilitet politik për të qenë në krye të detyrës historike.
* * *
Cilado parti shqiptare që do të krijonte koalicion qeverisës me VMRO-në, paraprakisht duhet të dijë se çështja shqiptare për këtë subjekt sllavo-maqedonas, nuk është veçse ndërtim i ndonjë salle fizkulture në ndonjë shkollë fshati. Këtë më së miri e di BDI-ja, e cila, duke qenë në koalicion me VMRO-në që nga viti 2008 deri më sot, çështjen shqiptare, jo vetëm që nuk e lëvizi para, përkundrazi e ktheu pas. Sot, çështja shqiptare në Maqedoni ndodhet në shtratin e Prokrustit. Është absurde që BDI-ja të thotë nëpër fushata se në qeverisjen e radhës do ta bëjë për shqiptarët atë që s’e bëri brenda 12 vitesh qeverisjeje. Është e turpshme që në tubim të BDI-së të kërkohet brohoritja “UÇK, UÇK…” kur dihet mirëfilli se gjatë 12 vitesh qeverisjeje, kjo parti nuk ia doli ta zgjidhë statusin e dëshmorëve të luftës së 2001-shit apo statusin e invalidëve të luftës.
Pretendimi i VMRO-së për të nxjerrë 63 deputetë, është akt antishqiptar, populist dhe jodemokratik. Këtë e synonte edhe në zgjedhjet parlamentare të kaluara. Për ta parandaluar ardhjen në pushtet të VMRO-së, faktori politik shqiptar, këtë strukturë anakronike, retrograde dhe antihistorike, duhet ta injorojë, ta shpërfillë dhe ta anashkalojë.
* * *
Po qe se BDI-së i vjen rasti të krijojë bashkëqeverisje me LSDM-n, s’ka dyshim se do t’ia paraqiste asaj edhe kërkesat e programit politik të vet. Por, ky subjekt sllavo-maqedonas, nën premisën që të kishte hapësirë manovrimi, përnjëherë do ta refuzonte, do ta shpërfillte dhe do ta injoronte. BDI-ja për të, do të kishte qenë një parti pa kapacitet politik dhe pa kredibilitet moral.
LSDM-ja do t’i thoshte BDI-së: “Ju këto kërkesa a ia keni parashtruar partnerit tuaj të koalicionit me të cilin keni bashkëqeverisur tetë vjet? Po qe se keni hyrë në qeverinë e VMRO-së me program politik, përse atëherë nuk e realizuat atë gjatë bashkëqeverisjes tetëvjeçare? Po qe se VMRO-ja i ka refuzuar kërkesat tuaja politike, atëherë përse nuk dolët nga qeveria dhe nuk shkaktuat krizë qeveritare? Tani, ç‘kërkoni nga ne?!”.
* * *
Për ta ruajtur kredibilitetin politik para faktorit politik sllavo-maqedonas, në kohën e krijimit të koalicionit me VMRO-në, BDI-ja duhej:
– t’ia impononte asaj programin e vet politik;
– në rast mosrealizimi të programit politik, ta prishte koalicionin dhe të dilte nga qeveria.
Rrjedhimisht, do të shkaktohej krizë politike. Një BDI e tillë, para faktorit politik sllavo-maqedonas, si para VMRO-së, ashtu edhe para LSDM-së, tani do të kishte kredibilitet politik dhe moral më të madh. Arsyetimet se gjoja ndërkombëtarët kërkojnë një Maqedoni stabile për të parandaluar destabilizimin e rajonit, janë të pabaza. Ka kohë që Maqedonia ndodhet në krizë, rajoni ndërkaq nuk u destabilizua. Stabiliteti i këtij rajoni është në duart e Uashingtonit.
Nuk mund të jesh vite me radhë në qeveri, të mos i plotësosh kërkesat primordiale të shqiptarëve dhe përsëri të mbetesh parti politike nacionaliste.
BDI-ja kërkon fitore “për të realizuar barazinë e plotë të shqiptarëve”. Kjo tregon se shqiptarët në Maqedoni, gjatë qeverisjes shumëvjeçare të këtij subjekti, nuk paskan qenë plotësisht të barabartë, paskan qenë të diskriminuar dhe të shfrytëzuar. BDI-ja, më parë se të kërkojë fitore, duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve për pozitën e pabarabartë, për diskriminimin dhe për shfrytëzimin e tyre. Çdo shoqëri e ndërgjegjshme dhe politikisht e formuar, kërkesën e BDI-së edhe për një fitore, do ta refuzonte. Një subjekt politik i përgjegjshëm, para se të kërkojë edhe një mandate qeverisjeje, duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin politik gjatë periudhës së viteve 2008-2016.
BDI-ja, i fiton zgjedhjet për dy arsye:
– e para, shoqëria shqiptare në Maqedoni ballafaqohet me probleme ekonomiko-shoqërore të theksuara; dhe
– e dyta, mungesa totale e opozitës politike.
Shqiptarit të papunë, të ballafaquar me probleme sociale, më parë se dimensioni politik i çështjes shqiptare, i intereson punësimi, ekzistenca dhe mbijetesa. Një të tillë, nuk është vështirë ta bësh për vete.
Një subjekt politik që ekziston në saje të problemeve sociale të individëve apo të bashkëkombësve të vet, pushon të jetë faktor politik, pushon të ketë vlera politike. Ai shndërrohet në parti sociale. Një parti sociale kurrë nuk ka mundur ta zgjidhë një kauzë kombëtare, në dimensionin politik të saj. BDI-ja vazhdimisht i ka mundur shqiptarët, por jo edhe faktorin politik sllavo-maqedonas. Politika kombëtare nuk bëhet me mediokër dhe pa idealizëm.
* * *
Opozita politike shqiptare e deritashme – PDSH-ja, para faktorit sllavo-maqedonas konsiderohet e konsumuar. Sikur në bisedimet për formimin e qeverisë të përfshiheshin dy subjektet politike të reja – Lëvizja BESA (Rilindja me Besë) dhe LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët), ato do të trajtoheshin nga pala sllavo-maqedonase si fragmente dhe si segmente jo fort të rëndësishme, me ndikim të kufizuar në skenës politike shqiptare.
Dy partitë e vjetra – historike, të hapësirë politike shqiptare – BDI-ja dhe PDSH-ja, janë konsumuar, për të mos thënë janë diskredituar. Ndërkaq grupet e reja politike – Lëvizja Besa (Rilindja me Besë) dhe LR-PDSH-ja (Aleanca për Shqiptarët), kanë kredibilitet të kufizuar, janë pa ndikim të theksuar dhe nuk mund të ngrihen në shkallën e përgjegjësisë historike.
E mbetur midis të vjetrës së harxhuar dhe të resë së paformuar, çështja shqiptare në Maqedoni përplaset ndërmjet Scilës dhe Haribdës.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen