Vendorigjina e Kastriotëve është qytetërimi Arbëror

Histori & Fakte | Rrezore | 12.02.19 | 19:58

Nga Gjok Pepa

Kërkojeni pra Gjergjin sëpari ndër Gjergj-a, të nderuar studiues me grada, dhe më pas,“Jepini Çezarit çfarë i takon Çezarit”.

Viteve të fundit është bërë një debat i ashpër rreth kinse nevojës së çmitizimit të figures legjendare të Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Përralla të neveritshme e teori konspirative u hodhën në tregun mediatik nga lloj-lloj studiuesish e jazexhinjsh deri në denigrim të skajshëm të emrit të tij të madh.

 Njeriu me një kulture mesatare sot do duhet të dijë sëpaku, që mjaft kombe të qytetëruara, kanë ngritur në përmasa të tilla hyjnizimi edhe figura që për nga veprimtaria, suksesi dhe fama në kohë, nuk mund të krahasohen me kryeheroin tone, ndaj dhe mitizimi i tij i derimësotëm në kohë, besoj se është më se i justifikueshëm dhe njerëzor. Sipas meje, i vetmi çmitizim real që i duhet bërë kësaj figure, si më madhorja e historisë sonë, është përcaktimi i saktë i vendorigjinës, gjë që do mund ta kthente atë përfundimisht me këmbë në tokën që e lindi, si çdo njeri të zakonshëm me emër të përvetshëm, pa tituj e grada, pavarësisht nga rrjedha që i mori jeta më pas, për ta shdërruar atë në legjendarin e sotëm, falë shumë arsyesh e rrethanash historike dhe gjenetike.

Kemi dëgjuar e lexuar gjithëfarëllojë hipotezash dhe legjendash edhe për vendorigjinen e kryeheroit tonë, sa, nga vorbulla mediatike e krijuar rreth kësaj figure, shpesh, duket se nuk synohet thjeshtë tek një çmitizim i tij, por në thelb, denigrimi i rracës sonë arbërore.

Herë flasin për origjinën sllave a greke të babait, e here për rrënjët sllave të së ëmës. Nuk mungojnë dhe të tjerë, që duke i dalë për zot “shqiptarizmës”, thonë e shkruajnë se është nga fshati im, e për të mos mbetur prapa, të tjerë që ngrenë “ahengun”e dasmes tek miku i tij në Kaninë, e më pas, ata që presin për “celebrim” në Ardenicë. Atishqiptarët duket se kanë hedhur sherrin midis nesh, tek sa grindemi mes veti për përcaktimin e një katundi nga i rridhnin të parët, si për të vërtetuar praktikisht teorinë e tyre të stërvjetëruar, se shqiptarët janë disa fise endacakësh, që nuk kanë patur kurrë qytetërim, e për pasojë, nuk kanë krijuar e as krijojnë dot shtetin e tyre. Me një kryeneçësi tipike fshatare, vazhdojmë të shkelin mbi çdo traditë a trashëgimi tonën, aq sa shëmbëllejmë me mjeranë, që kërkojnë medoemos t’u japim të drejtë atyre.

Bëhet dasëm në shtëpinë e mikut dhe nuk dimë ku ndodhet dera që bën dasmën e vërtetë e që do presë nusen tonë, e ku ajo do duhet të kalojë natën e pare larg familjes për tu bërë pjesë e një familje të re. E kjo shfaqje e shëmtuar gati sa nuk kumton përtallshëm, se ”Eshtë nga fshati i gruas”. Gjergjit si dhëndërr i vënë kurorë në manastirin ortodoks dhe jo në kishën katolike, sipas ritit tradicional, që si  detyrim, rrjedh nga besimi fetar i trashëguar apo i zgjedhur prej tij ,e si moral në kohë, shëmbëllen me një karshillëk të hapur kundrejt Papës, gabim të cilin  ky strateg i madh, vizionar e politikan i përmasave europiane e botërore,  nuk do ta bënte kurrë, jo thjesht në respekt të traditës a besimit ,por të arritjes së synimit të tij më madhor, shpartallimit të perandorisë otomane, nëpërmjet marrdhënies me të, si kryekomandant i një kryqëzate të cilën e ëndërronte.

Edhe nëpër shkrimet e gazetave për të, vihet re një tendencë e çuditshme për ta përmendur vetëm si Skënder, pa harruar gjithnjë të shtojnë edhe titullin Bej dhe mjaft rrallë flitet për të si Gjergj, hera herës, vetëm nga detyrimi për të përmendur llagapin, kur në fakt, çdo emër i dytë apo titull i ka shërbyer në kohë vetëm mitizimit të tij.Kjo tendencë gati sa nuk bëhet e neveritshme kur shohim se edhe rrënjët e origjinës së tij vazhdojnë të kërkohen jo vetëm fshatrave por dhe ndër ato vise ku nuk ka asnjë të krishterë prej shekujsh. Kërkohen pra ndër ata që e braktisën të parët krenarinë e rracës sonë, qëndresën dhe besimin,e jo aty ku ato u ruajtën me shumë mund e sakrifica njerzore sa dhe Kadareja ynë i madh i vlerëson ndërgjegjshëm si urën e vetme lidhëse me perendimin. Dhe nëse ne jemi sadopak koherentë me debatet e sotme rreth figurës së Kryeheroit tonë, akuzat e kundërakuzat për terror mbi myslimanët gjatë konsolidimit të shtetit të tij edhe në drejtim të një besimi, atë të krishterë, ne do duhet të pranojmë minimalisht një të vërtetë të madhe e të pamohueshm që tashmë lexohet mjaft qartë, Gjergji ynë, i shpallur nga Papa si “Atlet i Krishterimit”,ishte restauruesi i parë dhe i vetëm i kësaj ure, që sot duhet konsideruar së paku si një rrënojë e gjallë historike nga duhet të fillojë çdo kërkim shkencor për rrënjët apo embrionin e fisit të tij.

E në këtë mjerim marrin pjesë me shumicë, historianë e studiues, të djeshëm dhe të sotëm, të vjetër e të rinj.Nuk kanë lënë fshat pa aluduar për origjinën e fisit legjendar të Kastriotëve, duke filluar me Hasin, Matin, e deri në Dibër, a thua se Gjergji zëmadh i arbërve, ishte një kaçak malesh e jo nga derë fisnikësh e princ i shtetit të tyre. E vazhdojnë çdo ditë të sitin krunde, për të na servirur simite. Ndonjë prej tyre shkruan se nuk ka rëndësi se në ndonjë dokument na dalin me prona diku, pasi kjo nuk përjashton mundësinë e origjinës diku tjetër, pra prej katundit që pretendon e mbron ai si vendorigjinë të tyre.

Duke qënë se disa nga këta të nderuar mbajnë dhe grada shkencore, do duhet së paku të na argumentojnë nga logjika e fakteve historike, se si një personalitet me përmasa të tilla europiane e botërore të mos ketë dale së pari nga një qytetërim para apo bashkëkohor? Si mundet që ai, të mos jetë pjesë e një fare a fisi që trashëgon e rrezaton natyrshëm  kulturë, zgjuarsi, trimëri e cilësi fizike, të cilat i gjejmë të shpalosura  ndër shekuj a periudha historike? Të na e bëjnë me dije këta zotërinj, se ç’zhvillim e qytetërim patën në kohën e gjyshit Palë, babait Gjon, a të Gjergjit vetë, këto katunde që shoshisin? A munden të na e gjejnë dot ndonjë bashkëpuntor të përmendur nga këto katunde, që u shqua përkrah tij  në diplomaci a luftë?

Nuk e kam kuptuar e as se kuptoj dot edhe sot, se si mundet të anashkalohet pa një arsyetim logjik e analizë historike, lavdia e pashoqe që ai i la si trashëgim qytetit të lashtë të Lezhës.

Në Lezhë, mblodhi princat arbërorë dhe kërkoi besën e tyre.Po aty, si për të legjitimuar famën e ardhshme të saj, vendosi të mblidhte dhe beslidhjen e dytë, e vetëm ethet që e ndanë nga jeta, ndërprenë realizimin e saj.” Kisha gotike e Vaut të Dejës,e vetmja e këtij stili në Shqipëri,ishte kisha në të cilën u martua Heroi kombëtar katolik Gjergj Kastrioti Skënderbeu”-thotë historiani gjerman Markus Ë, Peters.Ky pohim vlen më shumë se një gojdhënë Ardenicase jo vetëm si një e thënë historiani,por edhe pse kjo kishë ndodhet aty, në rrethinat e qytetit të Lezhës, e vetmja e këtij stili, e denjë për një princ katolik europian, që do të ishte dhe Kryqtari i fundit, siç e quan me të drejtë dhe studiuesi Virgjil Kule, tek libri i tij. Sipas dëshmive historike dhe varrimi iu bë po në këtë qytet.

Pse ngulmoi kaq shumë Gjergji ynë legjendar ti linte një emër kaq të bekuar pikërisht këtij qyteti, kur ky ndodhej dhe nën pushtimin e Venedikut, që së shumti, nuk qe dashamirës me të?! Pse nuk zgjodhi Krujën?!A nuk ishte ky qytet zotërim e trashëgim i tij, simbol qëndrese dhe kryeqendër e shtetit që ndërtoi dhe njohu botërisht?!Nuk e meritonte Kruja këtë vlerë të shtuar në histori para çdo qyteti tjetër?! Ç’mister fsheh dyzimi i tij? Vetëm miklimin e Venedikut? Pragmatizëm? Mos vallë i mendonte të përjetshëm venedikasit në këtë qytet?!

Si lexues i apasionuar i letërsisë artistike, me kohë, mosha si duket më ç’veshi disi nga një romantizëm i tepruar, duke më shtyrë më shumë drejt leximit të librave historikë,pa harruar dhe fatin e të qënit dhe drejtues i muzeut historik të Mirditës prej disa vitesh. Falë këtij pasioni dhe funksioni, kam komunikuar shpesh me intelektualë e studiues mirditorë, rreth temave të ndryshme historike,e ndërmjet tyre dhe me Preng C. Lleshin, mësues, poet, studiues skrupuloz e polemist i thekur. Duke qënë se dhe ai, me dëshmi dhe fakte historike të bollshme mbron një variant të tillë, por të një katundi tjetër, shpesh kam debatuar me të, në emër të një origjine qytetare të Kastriotëve.Do ishte pikërisht ky njeri i mire, që për të më bidur për origjinën e tyre nga fshati që ai pretendon,më vuri në dispozicion literature të bollshme. Kështu, nëpëmjet leximit të saj arrita të qartësoj veten, se, pikërisht katundi për të cilin ai sjell një mori faktesh e pohimesh jetonte akoma dhe sot mbi rrënoja të lashta qytetërimi, që për turpin tonë janë lënë në harresë dhe emërtohen jo vetëm fshat por dhe i humbur.

Duke besuar se e keni lexuar dhe studiuar veprën e historianit kroat, Milan Shuflaj,e duke menduar se përsëritja është më shumë nëna e dijes se babai i mërzisë,po u rikujtoj një fragment nga libri i tij, “Serbët dhe shqiptarët”,ku ai shkruan edhe për Lezhën.“Qytetet e vjetra, që qëndruan në periudhën e rëndë të seleksionit,në kohën e mesme pësuan ndryshime me rëndësi në strukturat e veta. Lezha në kohën e mesme u zmadhua dyfish,si qyteti i epërm,akropoli mbi mal edhe varoshi i forcuar mbi Drin. Me zhdukjen e sundimit të bizantit në shekullin e 13,u shkretua qyteti i epërm. Varoshi mbi Drin u quajt “CASTRUM  DE LEEXIO”. Në kohën kur Dukagjinët ua dorëzuan këtë qytet venedikasve më 1393, akropoli mbeti vetëm rrënojë, ndërsa muret ishin ruajtur mjaft mire.Venedikasit deshën ta rindërtonin qytetin e epërm më 1398.Por këtë synim e realizuan turqit në kohën e Selimit të pare-1512-1520.Këtë gjë e bënë, sepse venedikasit patën rrënuar fortesën e Varoshit mbi Drin, kur në vitin 1501 ishin shtërnguar më në fund të lëshonin Lezhën.Sot akropoli, që në vitin 1614 u quajt “CASTEL NOVO “,është i shkretuar”.

Mjafton vetëm kjo pike uji nga oazi i kësaj  vepre, që një historian a studiues serioz,të mund të ngrinte dallgë të mjaftueshme nga lumi Drin që përshkon këtë qytet, për të shpëlarë pluhurin e shekujve hedhur mbi rrënojat e tij historike .

Pra Lezha si qytet,jo vetëm i kishte shpëtuar periudhës së rëndë të seleksionit por dhe kishte arritur të zmadhohej  dyfish në dy lagje,qytetin e epërm dhe varoshin mbi Drin, gjë që tregon se kemi  të bëjmë me një qytetërim solid. Po ky historian i madh dhe serioz, nuk harron të përmendë dhe emërtimin e lagjeve të qytetit sipas periudhave të zhvillimit të tij. Pas zhdukjes së bizantit, në shek.13-të, qyteti i epërm u shkretua, ndërsa varoshi mbi Drin, thotë se mori emrin “CASTRUM DE LEEXIO “,duke shtuar, se pas restaurimit, akropoli i qytetit të epërm u quajt CASTEL NOVO.

Një njeri me kulture mesatare sot, besoj se dhe emëtimet latinisht që na sjell historiani për to arrin ti deshifrojë kuptueshëm në shqip pa ndonjë vështirësi. CASTRUM DE LEEXIO-sëpari Kastra ose Kastri i Lezhës por dhe më shqip  si Fortesa e Lezhës, pasi CASTRUM besoj se duhet ti thuhet në latinisht fortesës së rrënuar  në varoshin mbi Drin nga e cila mori emërtimin e ri si lagje pas zhdukjes së bizantit.CASTEL NOVO- Kështjella apo kalaja e re. Pra këto dy lagje, njëra pas tjetrës provuan rrënimin,por Varoshi mbi Drin,CASTRUM DE LEEXIO,pas rrënimit të fortesës së saj nga venedikasit, në shenjë hakmarrjeje nga imponimi i largimit përfunditar nga ky qytet më 1501, nuk përmendet më askund, si vazhdim jete e as si restaurim,duke mbetur kështu në vëmëndje vetëm qyteti i epërm me akropolin e rrënuar, që logjikisht historianët, ndoshta me të drejtë, e njësojnë me Lezhën e sotme si qytet, si fakt i vazhdimësisë së jetës qytetase në të.Por tashmë jo në pozitën e një lexuesi të zakonshëm më duhet të analizoj dhe atë që lexohet mes rrjeshtave të këtyre rrëfimeve.Shufjaj shkruan se pas zhdukjes së bizantit qyteti i epërm u shkretua ndërsa varoshi mbi Drin mori emrin CASTRUM DEE LEXIO-dhe kur Dukagjinët ua dorëzuan qytetin venedikasve më 1393 akropoli ishte i rrënuar ndësa muret ishin ruajtur mirë,duke shtuar,se venedikasit deshën ta ndërtonin qytetin e epërm por këtë e bënë turqit më 1512-1520.Po nga ku e administruan gjatë viteve 1393-1501 venedikasit qytetin e Lezhës kur qyteti i epërm kishte mbetur i pa ndërtuar?!Siç thotë populli “Nuk do mend as kalem” se ky vend s’ka ku të jetë tjetë veçse në CASTRUM DE LEEXIO, pra në Kastër.

Nuk e di për historianë e studiues, por mua si lexues, Kastra apo Kastri i Lezhës mbart një enigmë të madhe në fatin e vet, aq më tepër, kur pranë qytetit të sotëm të Lezhës, ekziston një fshat me emër të tillë, dhe jo vetëm se nuk ka fshat tjetër brenda kufijëve shqiptar të quhet kështu, por edhe pse ndodhet pikërisht aty, afër këtij qyteti, dhe ku gjenden akoma rrënoja që përkojnë pikërisht me të dhënat që përcjell historiani Shuflaj.

Po në të njëjtin libër, ky historian, kur shkruan për ngjizjen e fiseve shqiptare, duket se na e rikujton tërthorazi atë qytetërim të rrënuar nga venedikasit kur lëshonin qytetin, më 1501. Shuflaj thotë se:”Edhe fillimi i fiseve të sotme shqiptare është prej shek.15-të, por dhe shek. 14-të. KASTRATET,embrioni i të cilëve ishte afër rrënimeve të”taborit” romak pranë rrënojave të Kastrës, që në vitin 1559 banonin mbi Shkodër-Orosh”.

Nga kronologjia e këtyre rrëfimeve,duke nisur me periudhën e seleksionit kohën e mesme,fuqizimin e qytetit të Lezhës deri në dyfishim të tij në qytetin e epërm dhe Varoshin mbi Drin, periudhën pas bizantine me rrënimin e qytetit të epërm dhe emërtimit CASTRUM DE LEEXIO të varoshit mbi Drin,rrënimin e saj nga venedikasit,dhe përmendja sërisht e këtyre rrënojave, gjatë shpjegimit të ngjizjes së një prej fiseve shqiptare,atë të Kastratëve,na sjell në konkluzionin,se kemi të bëjmë me të njëjtin vend, si emërtim e qytetërim, tashmë të rrënuar.Pra CASTRUM DE LEEXIO,Kastra apo Kastri i Lezhës, përkon plotësisht me Kastrin e sotëm, që si fshat, gjeneron akoma jetë mbi rrënojat e një qytetërimi të lashtë.

E për të ndërtuar të plotë e logjikisht tablonë historike,na vjen në ndihmë, një nga më të mëdhenjtë shqiptarë të kësaj fushe: akademiku Aleks Buda. Ai ka pohuar se:”Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut më 1420.Tokat që i përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin në perendim, në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, domethënë, përfshinin trevën në jug të lumit Drin,Mirditën dhe Lumën”.

Nisur nga pohimet e këtyre e dy historianëve me peshë dalim në konkluzion se qytetin e epërm me akrpolin e kishin në zotërim Dukagjinët  pasi  ishin ata që ua lëshuan venedikasve-sipas Shuflajt ,ndërsa akademiku ynë siç duket me këtë lagje konsideron qytetin, ndërsa  lagjen  Kastri i Lezhës e nënkupton si rrethinë, e kështu zotërim të Kastriotëve.  Legjitimiteti që ai i jep vetëm pjesës së dukagjinasve si qytet, duket sikur bie ndesh me të dhënat e Shuflajt, që i sjell ato si pjesë të së njëjtës bashkësi, pavarsisht emrave përkatës.Kjo mund të ketë sjellë me të drejtë  një konkluzion të gabuar tek A. Buda, pasi emërtimin qytet e ka vetëm njëra lagje,duke nënkuptuar atë dukagjinase,ndërsa tjetra quhet Kastri, por i Lezhës, pra i asaj që ai quan qytet,por nuk duhet harruar se dhe vetë emërtimi i plotë, Qytet i Epërm, le të nënkuptojmë, se kemi dhe një pjesë tjetër të tij diku, poshtë apo në thellësi.

Gjithsesi, ky zotërim i Kastriotëve , në qytet a rrethinë të tij,tregon për  fuqinë e tyre të kosiderueshme në kohë, gjë që u ka dhënë mundësinë të shtrinin influencën e tyre përgjatë gjithë territoreve që tashmë njihen si zotërime të tyre, për tu ngjitur në rang prijësash e për tu bërë ata që njohim sot.

Pra Lezha zotërohej prej dy fiseve legjendare të historisë sone të mesjetës, Dukagjinët dhe Kastriotët. Këto dy fise mjaft të fuqishme në kohë, në bazë të të dhënave  historike, i shtrinin zotërimet e tyre nga qyteti i Lezhës në bregdet, në thellësi mbi gjithë teritorin e Mirditës, e hera herës dhe më gjërë se kaq, duke mos e shuar asnjëherë rivalitetin midis tyre, dhe pse në mënyrë të heshtur,pa luftë frontale mes njëri-tjetrit, e gjithnjë në pamundësi të vinin kufij mbi këto territore.

Eshtë intrigues fakti se si Gjon Kastrioti u bë zot i Krujës.Historiografia shqiptare nuk na jep asnjë të dhënë përveçse na e sjell atë si zot të saj.Por duke shfletuar Zhan Klod Faverialin, tek libri,”Historia e Shqipërisë”,më e vjetra histori sipas tij,gjejmë një fakt tepër domethënës rreth territorit të saj. “Mirditorët- shkruan ai- për të cilët do flasim përsëri, jetonin në malet përreth të quajtura Kunavia.Fshatrat e tyre të shpërndara në luginën e Matit, zinin një hapësirë prej 24 legash,që nga grykderdhja e këtij lumi e deri në burimet e tij,ndërsa kryeqyteti i tyre,i vendosur 16 lega prej Alisias, quhet Orosh”,duke shtuar se-“Kruja,e cila është kthyer senjori prej kontëve napoletanë,gjendet në trevat shqiptare që marrin emrin nga lumi Mat”.                                                                                            

Faveriali thotë se mirditorët jetonin në territoret që merrnin emër nga lumi Mat por sëpari përmend se jetonin në malet Kunavia.  Ku ndodhen?Nga e marrin emrin ato dhe kryeqyteti i tyre Orosh?!Dhe fatmirësisht, na vjen në ndihmë për detaje,përsëri historiani Shuflaj; “Shkrimtari grek Gjergj Akropoliti-pohon ai- në shek.13,përmend ndërmjet Durrësit e rrjedhës së sipërme të lumit Mat krahinën Hunavia.Shumë kohë më parë në shek.9,përmendet peshkopi i kësaj krahine nën mitropolitin e Durrësit.Më vonë dekretet e Papës e njohin këtë krahinë…por ia prishin nganjëherë emrin duke e quajtur CANAVIA,CANOVIA,CIMANIA,dhe e ngatërrojnë me krahinën hungareze KUMANIA….megjithatë,emri Hunavija është shumë i vjetër e kurrsesi nga burim indoeuropian.Ai ka lidhje me Strabonin,me CANDAVII MONTES,(malet e Kandavisë).Baza e këtij emri është shumë e vjetër,paraeuropiane:aziatike,kanda-“mal”,”lartësi”.Këtë bazë e gjejmë në topomastikën e vjetë të Azisë së vogël e të Ballkanit. Ajo është ruajtur si fjalë në dialektet romene të Alpeve Qendrore e Lindore duke u shtyrë thellë në vendin e vjetër të Venedikut.Në verilindje të Hunavisë zgjerohet krahina Debrane (Dibrane).”

Pra arrijmë në përfundimin se malet Kunavia,sipas Faverialit apo Hunavia,sipas Shuflajt, që ndodheshin mes rrjedhë së sipërme të lumit Mat dhe Durrësit janë të njëjtat territore dhe asokohe banoheshin nga mirditorët.Sipas  këtij përfundimi logjik vihet re qartësisht se kemi të bëjmë me malet e sotme që shtrihen nga Ura e Matit deri në Krujë.Ndërsa Oroshin, që Faveriali e përcakton si kryeqytet të tyre,Shuflaj e sjell si emërtim rumun,pasi sipas tij,fiset rumune të sulmuara nga turqit në Maqedoni e Tesali u shpërndanë dhe coptuan.Ai pohon se:-“Në vitin 1610,vendi Molocussi afër Krujës tregonte se gjendeshin tepricat e Malakashëve të jugut.Ndërtimet në manastirin benediktin të Shën Lleshit mbi Malin e Shenjtë të Mirditës morën emrin Orosh; këtë emër ia dhanë padyshim të arratisurit rumunë (rumanisht oroshi d.m.th. varosh).”

Nëse ne nuk kemi harruar emërtimin e lagjes varoshi mbi Drin,që më pas mori emrin CASTRUM DE LEXIO në qytetin e Lezhës dhe rrënimin e saj nga venedikasit më 1501, ndoshta duhet të biem dakort me këtë variant të Shuflajt, por me që fjala “Oroshi”, rumanisht do të thotë “varosh”, atëherë logjika sëpari na e imponon që të konkludojmë se Oroshi nuk është tjetër veçse ngulmim i ri i të shpërngulurve nga varoshi mbi Drin-CASTRUM DE LEXIO- ashtu si dhe Kastratët mbi Shkodër-Orosh ,sepse logjikisht,kjo lagje mbart këto emërtime që nga shekulli i 13-të,periudha pasbizantine,po sipas tij e po në këtë libër,ndaj dhe nuk përkon në kohë me shpartallimin e fiseve rumune nga turqit dhe përhapjen e tyre, që shpjegon më pas,ose në të kundërt duhet të pranojmë se ishin fise rumune edhe themeluesit e këtij qytetërimi që u rrënua nga venedikasit më 1501,gjë që duket e pamundur, kështu besoj dhe të qënët e tyre themelues të kryeqytetit mirditor.Në këtë linjë ai bëhet dhe më i pabesueshëm kur njëson Mollkuqin (Malacassin),fshat në kodrat e Ishmit të sotëm,përkufi me Durrësin,me mbeturina të fisit rumun të Malakashëve të jugut kur ne tashmë dimë se një emërtim i tillë është shqip dhe fshat me emër të tillë gjejmë edhe sot në Mirditë përkufi me Pukën përpos dhe tjetërkund trojeve shqiptare.

Gjithsesi, për të mos shkëputur linjën e mendimit,Gjon Kastrioti nuk na del se ishte zot i Krujës si pushtues a uzurpator, por si derë princërore e Mirditës, pasi territoret nga grykderdhja e Matit e deri në burim të tij, që merrnin emër nga ky lumë, ashtu si dhe malet Kunavia apo Hunavia, jo vetëm që banoheshin nga mirditorët por përfshinin  edhe këtë qytet e zbrisnin poshtë deri në bregdet përkufi me Durrësin. Kështu ne skicojmë qartë kufijtë e zotërimeve të tij që fillojnë, në bregdet, rrethinave të Lezhës, vazhdojnë rrjedhës së Drinit,ana jugore e tij,deri në Prizren,Lumë,Dibër të poshtme, zbresin në Krujë, dhe përfundojnësërisht në bregdet.

Këta kufij,që përfshinin një territor të konsiderueshëm të trojeve arbërore,në mos gjithë territorin që më parë përfshihej në shtetin e Arbërit, duhet ta kenë bërë Gjon Kastriotin një nga princat më të fuqishëm e më të njohur të kohës së tij.Nga këto pozita,thyerja e qëndresës së tij antiosmane dhe pranimi i të qënit vasal i sulltanit, bën të justifikueshëm dhe represionin turk mbi të,  nëpërmjet marrjes peng të  katër djemve,veprim që nuk dimë të ketë ndodhur me princa të tjerë.

Ekzistenca e dy dyerve princërore për Mirditën,Dukagjinë e Kastriotë dhe rivaliteti i përhershëm ndërmjet tyre për fronin e saj, na nxit të konkludojmë se edhe balanca e pushtetit mbi të, duhej të anonte gjithnjë nga ana e më të fuqishmit në kohë, dhe kështu, me kthimin e Gjon Kastriotit në vasal të turqve ,dera e Dukagjinit, duke u ndjerë pasardhëse e fronit princëror të mirditasve,ka shtrirë zotërimet dhe pushtetin ndoshta deri në Mat,kufij që me gjasë përcaktoheshin nga një fshat në ato troje, që dhe sot mbart emrin e tyre, Dukagjin, dhe besoj se ka shërbyer si një sinor natyral i tyre ashtu siç  duhet të ketë ndodhur dhe me fshatin Kastriot në Dibër si kufi më skajor i zotërimit të Kastriotëve duke qënë se asnjëri prej këtyre fshatrave nuk njihen si të ardhur në ato troje pas shpërnguljes nga diku.Me rikthimin e Gjergj Kastriotit në atdhe,e njëkohësisht dhe në trojet e tij si trashëgimtar legjitim, natyrshëm, këta kufij dukagjinas, duhet të kenë rënë medoemos.

Për të ilustruar këtë konluzion logjik na vjen në ndihmë dhe akademiku Mark Tirta, me gojedhëna mbi Gjergj Kastriotin të mbledhura në Mirditë dhe të botuara që në vitin 1968. Në këto gojdhëna,si askund tjetër ndër trojet shqiptare, flitet për vendosje kufiri midis zotërimeve të dy fiseve legjendare,Dukagjinëve dhe Kastriotëve, ku bien në sy, jo vetëm mënyrat e ndarjes,hilet e Lek Dukagjinit dhe drejtësia e Gjergj Kastriotit, por askund nuk vihet në dyshim se bëhet fjalë për trojet e tyre mirditore,e njëkohësisht, lënë për të nënkuptuar se ai kufi nuk u vendos kurrë përfundimisht.

Akademiku Tirta thekson se-“Legjendat popullore jo vetëm që nuk bien në kundërshtim me faktet historike,por përkundrazi,shpesh i përforcojnë ato,siç ndodh edhe me këto dy legjenda se kujt i përkiste Mirdita,Dukagjinit apo Krujës”,që nënkupton Kastriotët.Për këtë ai na sjellë një fakt historik:”Më 3 Prill 1407, senati i Venetisë vendosi të bëjë ca përçapje pranë papës pas një letre të Gjon Kastriotit.Peshkopi i Leshit deshte të zaptonte 12 kishë të peshkopatës së Arbënisë. Gjon Kastrioti proteston kundër kësaj gjaje, nga shkaku se ato ishin të peshkopit të Arbënisë që prej 800 vjetësh, dhe shton se rrëmbimi i tyne do sillte ngatërrime të mëdha. Peshkopata e Arbënisë përmblidhte krahinat e Matit,Mirditës, dhe Tiranës. Nga kjo merret vesh se këto territore ishin pjesë e principatës së Gjon Kastriotit ose sëpaku nën influencën e tij që më 1401”.

Duke i njohur tashmë zotërimet dhe peshën historike të këtyre dy fiseve të mesjetës shqiptare, logjika ta do,që kërkimi i rrënjëve të  tyre të nisi pikërisht nga embrioni,siç vepron dhe Shuflaj në shpjegimin e ngjizjes së fiseve shqiptare.

Në këtë linjë logjike ndoshta duhet të ketë ecur dhe akademiku Buda me kufijtë e zotërimeve të Kastriotëve, duke i nisur ato në bregdet dhe rrethinave të Lezhës, kur fare lehtë mund të fillonte nga Hasi,Mati,Dibra apo Kruja për të përfunduar në bregdet.Por ai e fillon natyrshëm aty kufirin e tyre, pasi nënkupton  se me fuqizimin e këtij fisi në atë vend është  mundësuar shtrirja e tyre në thellësi në gjithë ato territore që arritën të zotëronin dhe jo e kundërta,sepse që të ndodhi kjo,sipas logjikës historike, duhet të jesh një perandori e tërë dhe jo thjesht një fis,sado i fuqishëm që të jesh.Logjika ta do që ky fis i ngjizur shumë herët ndër ato territore fillestare, duke u fuqizuar, ka shtrirë influencën e tij natyrshëm mbi gjithë territoret që njohim tashmë si zotërim të tyre.

Kastratët, sipas Shuflajt, e kishin embrionin nga rrënimet e një “tabori”romak  pranë rrënojave të Kastrës.Nga ky pohim,nisur dhe nga emërtimi i fisit,na mbetet të nënkuptojmë se ata nuk janë tjetër veçse kastras të shpërngulur gjatë rrënimit që i bënë venedikasit këtij qytetërimi më 1501.Vetë pas gjysëm shekulli,më 1559,ata shfaqen si një fis në trojet të reja mbi Shkodër-Orosh.

Sot Kastratët i njohim si predendues të origjinës së Gjergj Kastriotit por logjika më e thjeshtë, ndërtuar mbi këto fakte historike që sjell Milan Shuflaj,ky pretendim duket absurd,pasi fisi i Kastriotëve përmendet rreth një shekull përpara rrënimit të Kastrës nga venedikasit më 1501, së paku që më 3 Prill 1407 me letrën e Gjonit drejtuar venedisë për kishat e peshkopatës së Arbënit,apo marrveshjes së Dubrovnikut më 1420 që pohon akademiku Aleks Buda dhe gati një shekull e gjysmë para shfaqjes së Kastratëve si fis mbi Shkodër-Orosh.

Edhe Fan S. Noli si një erudit i madh vëren se, është shumë e rëndë që etimologjikisht të dalë një llagap si Katrioti nga Kastrat,duke mos përjashtuar rrjedhën e tij ndoshta nga një emërtim i tillë, diku tjetër.

Gjatë këtij parashtrimi, mbështetur mbi pohime dhe logjikë historike,tashmë duket se kemi përjashtuar natyrshëm nga të qënit vendorigjinë e Gjergj Katriotit dy nga pretenduesit e sotëm kryesorë të saj,Matin dhe Hasin, sepse Mati aso kohe banohej nga mirditorët dhe Gjon Kastriotin e kishin princ të tyre ndërsa Kastratët, pas shpërnguljes nga Kastra, dalin si fis më vete më shumë se një shekull pas fisit Kastriotëve.Ky konkluzion besoj se bën të besueshëm dhe pohimin e Barletit kur përcakton Matin si vendorigjinë të këtij fisi legjendar ashtu si njëkohësisht sqaron edhe “lajthitjet” e disa historianëve të tjerë që e vendosin kishën e Shën-Llezhdrit  ashtu si dhe abatin e mbrojtjes të Sfetigradit nga fisi i Perlatit po nga ky vend kur tashmë dimë se ato i përkasin Mirditës së sotme.

Gjithë parashtrimi i mësipërm besoj se është i mjaftueshëm për të mos marrë më në konsideratë vend apo katund tjetë pretendues që nuk ndodhet dhe natyrshëm brenda zotërimeve të këtij fisi legjendar por vetëm si pasojë e përfitimit të tyre gjatë konjukturave të kohës në zgjerim të tyre dhe njëkohësisht, vjen si një ndihmë modeste në mbështetje të tezës së studiuesit Preng C.Lleshi mbi origjinën mirditore të tyre, pikërish nga ai fshat fatlumë që ai përcakton, e që dhe sot gjeneron jetë mbi gërmadhat e një qytetërimi të lashtë.

“Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe/ të ndodhte ndryshe s’kish se si…”

Më mjaftojnë vetëm këto dy vargje të Kadaresë për të përmbledhur këtë parashtrim disi të gjatë. Por s’kish se si të ndodhte ndryshe e Gjergj Kastrioti me përmasat e gjenialitetit të tij të mos i përkiste pashmangshëm vetëm një qytetërimi.Sepse jo rastësisht i përket një fisi mbi trojet e të cilit lulëzoi shteti i parë shqiptar,Shteti i Arbërit.Jo rastësisht përkon dhe llagapi i tij me emrin e rrënojave të një qytetërimi të lashtë si CASTRUM DE LEEXIO,Kastri i Lezhës që dhe gjuhësisht qëndron mjaft korrekt.Sepse jo rastësisht nga këto troje pati dhe bashkpuntorët më të shumtë në diplomaci e luftë.Jo edhe jo rastësisht ishin këto troje e këta banorë që me mundë e sakrifica të jashtëzakonshme njerzore i ruajtën krenarinë,qëndresën,besimin dhe flamurin e tij dhe njëkohësisht mbajtën zi për të si askush ndër shqiptarë.Besoj pafundësisht se jo vetëm rastësisht dhe emri i tij u trashëgua aq shumë ndër breza e deri më sot po në këto troje.

Kërkojeni pra Gjergjin sëpari ndër Gjergj-a, të nderuar studiues me grada, dhe më pas,“Jepini Çezarit çfarë i takon Çezarit”.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen