A e ka humbur kripa shijen e vet në kohën tonë?

Analiza & Komente | Rrezore | 26.03.19 | 09:50

Prend BUZHALA:
A E KA HUMBUR KRIPA SHIJEN E VET NË KOHËN TONË
(Nga Zbulesat e jetës), 8

Kripa gjithnjë ndërlidhet me shijen e me ruajtjen e ushqimeve. Ndërlidhet me thelbin e vetë jetës.
James Andrews Beard ishte kuzhinier amerikan, autor i librave të gatimit, personalitet dhe mësuesi televiziv, kampion i kuzhinës amerikane. Ai thotë: „E ku do të ishim sot pa kripë“? Përpos kuptimeve si lëndë nga natyra, kuptimeve kimike apo mjekësore, me këtë fjalë janë ndërtuar edhe shumë shprehje e frazeologjizma, po edhe shumë kuptime figurative (një bisedë tërheqëse dhe e këndshme, që na bën ta pëlqejmë një gjë). Thuhet: fjalë me kripë (me mprehtësi e zgjuarsi). Njeri pa kripë (që nuk na pëlqen ta shohim a ta dëgjojmë). etj. Populli ynë ka dhe thënien për mikpritjen proverbiale shqiptare: „Bukë e krypë e zemër.“

1.
Fishta e thekson kripën te “Lahuta…” e tij. Nëse kripa merret si figurë e krahasimit për shkrirjen, zhdukjen, humbjen, dobësimin, tretjen (nga një sëmundje a hidhërim i madh), por kjo mund të ndodhë edhe me një komb të tërë:

Tash pêsqind e disa vjet:
Prá, at ditë Shkjau, po bâní e u gjet
T‘ dám n‘ mjet vedit, jue Shqyptarve,
E pá zéll per giuhë të t‘ Parvet
Pá dashtní per Atdhé t‘ uej,
Per ket besë, aj do t‘ u shuej,
Porsi shuhet krypa n‘ ujë;

Madje, Fishta rindërton edhe vargje të tëra (sot ky procedim artistik quhet si ndërkomunikim tekstesh a intertekstualitet), i thurur, pra, mbi etno-psikologjinë popullore e të thënieve proverbiale shqiptare:

Per Shqyptarë kund giasë nuk ká,
Mikun shoqit me i a ngá;
Pse falë nieri tatë e vllá,
Falë të sháme e falë te ráme,
Por jo mikun n‘ bukë e n‘ krypë:
S‘ e bân mikun mish per kërraba…

Në “Kanunin e Lekë Dukagjinuit”, thuhet që “E zoja e shpis ka tager: me dhanë a me lypë uha miell, bukë, krypë, djath, e tlyen”; kurse mikpritja proverbial shqiptare, trajtohet me nene të posaçme: “§.608. Mikut do t’i bahet nderë: ‘Bukë e krypë e zemër’. §.609. Buka e krypa e zêmra, zjarmi e trungu e do firi per shtrojë do të gjindet gadi për mik në çdo kohë të natës e të ditës.”

2.
Shoqëria dhe kërkimi e ndërtimi i marrëdhënieve harmonike mes njerëzve, përqasen me kripën. Nuk e thoshte më kot Israelmore Ayivor (një autor i mendimit frymëzues, i pasionuar për transformimin e individëve) me sa vijon: „Ti je kripa e botës. Por mos harro se kripa është e dobishme kur jeni në shoqëri, dhe e padobishme kur gjendesh në izolim. “
„Të mos bëhesh një piper në sytë e njerëzve; përkundrazi, bëhu kripë në gjuhën e tyre dhe bëjeni një ndryshim që ndikon në ndjenjën e tyre të përkatësisë në tokë „.
“ A nuk thuhet se djalli ofron ushqim pa kripë? Kjo është arsyeja pse kripa e dëbon të keqen, por përmes cilësive të saj shëruese dhe dezinfektuese, ajo gjithashtu e largon fatkeqësinë. A nuk e vendosin gjyshet tona kripën në tryezë për prag të Krishtlindjet?”( Philippe Ligron, po ashtu mësues i kuzhinës dhe gatimit).
Kripa ka vlerën simbolike të pastërtisë (ngjyra dhe cilësia e të ruajturit, mosprishjes); simbolizon miqësinë dhe besnikërinë, sepse “sepse, si kripa, ata mund të zhduken… Në Darkën e Fundit, Leonardo da Vinçi portretizon një enë kripe përmbysur nën krahët e Judës”(po aty).
Me kripë bëhej mumifikimi i kufomave.
Në Bibël Sodoma dhe Gomora pastrohen me kripë.
Në letërsi,po ashtu, ka disa vepër që poetët që në titull të tyre, e vënë fjalën kripë. Kurse Jakov Xoxa, ky romansier i madh shqiptar, ka romanin voluminoz “Lulja e kripës” (1978), e ku lëndën e tij romanore e vendos në kriporen e fshatit Naforë (n-bregdet) e ku njerëzit janë fort të lidhur me tokën e me kripën, si burime të mbajtjes gjallë të ekzistencës, me gjithë dramat e saj sociale. Madje, shkrimtari mjeshtërisht i zgjeron kuptimet e kësaj figure letrare (kripës), si vrasëse a tharje e ekzistencës, e ujërave apo e tokës së mbjellë.
Në shoqërinë aristokrate, lulja e kripës përdorej për shërbim në tryezën e mbretit.
Në antikë ajo ishte njëra ndër mallrat kryesore të tregtisë. Madje egjiptasit e këmbenin me ar. Thuhet se në Romën antike ushtarët, në vend të monedhave, si pagë, merrnin kripën. Kripja, në Fjalorin e simboleve (ëndrrave)konsiderohet si shenjë e një mjedisi i kapluar nga mosmarrëveshjet. Porse, kripa gjithashtu është simbol i të shenjtës.

3.
A e ka humbur kripa SHIJEN E VET në kohën tonë, në vendin tonë? Shprehja „ju jeni kripa e botës…“ është shprehje biblike dhe vjen nga Mateu, 5,13. Kripa ka qenë gjithmonë një nga mallrat më të çmuar, thelbësore, si për jetën dhe për ruajtjen e ushqimit. Porse mesazhi është me vlere universale. Kjo do të thotë, se a kemi humbur nga cilësia jetën tonë, duke u zhytur në korruptimin moral, duke u tjetërsuar nga vetja, nga identiteti ynë? Prandaj gjakimi ynë (edhe në trajtën e lutjes), ka të bëjë me kërkesën që ta bëjmë sa më CILËSORE jetën tonë për ta shpëtuar VENDIN, JETËN, BOTËN… nga e keqja, dhe ligësitë, nga kriminaliteti dhe idhujt e rremë (të politikës kriminale)… E pra, ngjet si te ai mesazhi i bariut të mirë, si THIRRJE për dashuri shqiptare dhe universale-njerëzore, si ftesë për vëllazërim e për ruajtje të këtij shpirti, të vlerave njerëzore… Bibla flet për një besëlidhje të kripës, një detyrim i shenjtë dhe i përjetshëm. Në lashtësi, fëmijën e porsalindur e fërkonin me kripë, për ta mbrojtur atë nga forcat e këqija. Tek Jezusi, pra, kripa e tokës ishte një kompliment i madh.

(Ese, 25 mars 2019)

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen