Kultura:Gjaku dhe politika

Analiza & Komente | Rrezore | 29.03.19 | 20:45

Prend BUZHALA:
KULTURA: GJAKU DHE POLITIKA
(Nga Zbulesat e jetës), 9

Historia e njerëzimit e dëshmon një fakt interesant: se shpesh kultura dhe dhuna kanë ecur dorëpërdore, me histori të njëjtë e me rezultate të ndryshme. Por ekzistojnë shembujt nga ndërtimi i veprave arkitektonike, e mund të jepen edhe nga të gjitha fushat… ku janë përdorë dhuna e tortura ndaj të shtypurve në ngritjen e tyre „të madhështisë“… Madhështi estetike, e ngritur me MARRËZINË E DHUNËS PERANDORAKE, APO DIKTATORIALE APO POLITIKE (nuk ka rëndësi si e ka emrin sistemi politik). Këtë aspekt e ka trajtuar gjerësisht Niçe…

1.
Adhurimi pagan zbret deri te adhurimet moderne, me ritet e sakrifikimit. Sakrifica e një kafshe është kryer sipas udhëzimeve e rregullave strikte. Së pari, kafsha ishte e zbukuruar me lule dhe e çonin në një procesion në shenjtëroren e zotit. Në shenjtërore, pjesëmarrësit I LANIN DUART në ujë dhe spërkatnin disa pika mbi viktimën. Të parët e fesë politeiste recitojnë a DEKLAMOJNË NJË LUTJE duke deklaruar arsyen e sakrificës. Viktima sakrifikuese vritej shpejt duke e prerë qafën me thikë. Gjaku i viktimës shpërndahej mbi ALTARIN në shenjtërore. Pastaj të tjerët e therin kafshën dhe e ndajnë pjesë-pjesë. Kockat e thuprës ishin të mbështjella me yndyrë dhe së bashku me pjesë të vogla të mishit të prerë nga gjymtyrët, vendosej në altar dhe digjej si dhuratë perëndive. Vera derdhej mbi dhuratat (blatat) e djegura. Herë pas here, këto dhurata vendoseshin NË GJUNJ TE një statujë E PERËNDISË PAGANE. Pjesa tjetër e mishit është zier dhe ose hahet në altar ose merret në shtëpi.

2.
Këtu na shfaqet edhe një tematikë tjetër: ajo e KUNDËRTHËNIEVE A KONTRADIKTAVE brenda saj, brenda kulturës, të njëjtat që na shfaqen edhe në fushën e politikës… Pikërisht aspekti i dytë i kulturës (diversiteti, dallimet, kur ato nuk kanë bashkëjetuar) kanë krijuar fenomenet e konflikteve, luftërave etj (si flasin shembujt e Ballkanit). Secila kulturë, fatkeqësisht, ngërthen edhe averzionet dhe etiketimet ndaj një kulture a civilizimi tjetër (nuk dëshiroj këtu të përmend shembuj, se janë shkrua mjaft libra për to… dhe këtë e tha në studimet e tij jo vetëm Hatington…

3.
Por në Evropën Perëndimore, SHBA e gjetiu, përkthehen dhe veprat e Kadaresë, ashtu sikundër përkthehen edhe të shkrimtarëve serbë (madje më shumë përkthehen ata)! Evropa e të tjerët e bëjnë në emër të KULTURËS SË DIVERSITETIT, në emër të vlerave të integruara të BASHKIMIT NË DALLIME…
E pra, një politikë integruese europerëndimore, shfaqet edhe në fushën e kulturës!
Si binjake!

4.
Nëse kanë ecur si „dy binjake“ kultura dhe dhuna, politika dhe kultura, kjo nuk e nënkupton edhe „BASHKËQEVERISJEN“ apo pajtimin e tyre të plotë… Kurse „binjakëzimi“ këtu u mor si metaforë për shpjegimin e fenomeneve; për nga natyra e kundërthënieve të tyre edhe kultura ka qenë shkas luftërash, mbrojtëse e njërës a palës tjetër, mbrojtëse e një ideologjie politike apo tjetër …si bënë otomanët apo serbët në të kaluarën (kurse ata sot kërkojnë TAPINË E TYRE HISTORIKE MBI KËTO TRASHËGIMI KULTURORE, e pra, dhe politika këtu bën punë). Apo „kulturë mbrojtëse“, identitare, si bënë shqiptarët… Ecën dorëpërdore!

5.
Nëse pushtuesit e kanë pasur aleat kulturën e tyre të IDEOLOGJISË SUNDUESE në ngritjen e monumenteve (kishat a xhamitë, tyrbet, kështjellat apo oborret a haremet sulltanore), apo dhe PARADIGMËN TEMATIKE në arte… aty ata (drejtues të POLITIKËS SË TILLË pushtuese a sunduese në nivel kombëtar, perandorak apo republikan), investuan dhunë e gjak, mund e para gjaku. Dhe historia e secilit qytet ka një PRADIGMË TË TILLË DHUNE, në të kaluarën e apo sot i konsiderojmë si VEPRA MADHËSHTORE! Ashtu sikundër MONUMENTI SHQIPTAR I KUTURËS e ka të kundërtën e saj (sakrifikimin për to… kujto urat, kështjellat a baladat për to, sakrificën e Rozafës dhe Rozafatin). Në cilindo rast, VEPRAT KULTURORE brenda vetes kanë GJAKUN, DHUNËN, ose VUAJTJEN DHE SAKRIFICËN. Prandaj është shkoqitur më tej ajo ideja a shpjegimi i Niçes: mbasi secili hap në kulturë është paguar shtrenjtë me vuajtje, gjak, tortura, sakrifica jetësore e dhunë; ashtu sikundër janë ngritur piramidat egjiptase, muri kinez, oborret mbretërore e princore, qytetet mesjetare e deri te koha jonë. E të mos flasim për betejat religjioze në emër të simboleve të tyre fetare; a nuk ecën së bashku gjaku dhe kultura?!
Gjaku i skllevërve e djersa e tyre e pëërgjakur, i të munduarve, në ndërtimin e veprave arkitektonike, qëndron mu në themele!
Paradoksale, apo jo!

6.
Nga ana tjetër, veprat e humanistëve të mëdhenj në Itali (Da Vinçi, Mikelangjello, Dante), sado që krijuan një EPOKË TË RE, MODERNE, dikush ata i përkrahu e i mbështeti: dmth FRYMA HUMANISTE ishte bartur në kulturë nga POLITIKA dhe anasjelltas… si “binjake”! Ecin së bashku në krijim vlerash, por ecin së bashku edhe në konflikte!

7.
Sot gjendemi në të tjera rrethana. sado që POLITIKA E KULTURA (në Shqipëri e Kosovë) kanë „mospajtime“, ato MENDOJNË NJËSOJ në raportet me TË TJERËT (armiqtë tradicionalë, prirjet kulturëformuese apo prirjet integruese në rrjedhat më të reja të saj në nivel botëror…).

8.
E pra, KONTRADIKTA A MOSPAJTIMI tashmë është i ngritur në nivel GLOBAL dhe jo vetëm thjesht në nivel „mëhalle“ apo „katundi“… Dhe NJË POLITIKË GLOBALE E INTEGRIMEVE ( e drejtuar nga politika globale amerikane apo e shteteve të zhvilluara, nga teknologjia e sofistikuar kulturore e politike); shpërfaq KULTURËN GLOBALE të integrimeve, ku CIVILIZIMI synon t’i rrafshojë dallimet, kufijtë, kurse KULTURA vazhdon të jetë “më regresive”: t’i shquajë DALLIMET. Mbase kërkon BASHKIMET NË DALLIME… Dhe ecin “dorëpërdore” me VATRËN E KONTRADIKTAVE brenda pjellës (krijesës) së tyre… Ecin kështu edhe me farën e kontradiktave politike a kulturore brenda një kombi, ashtu sikundër ecin SË BASHKU për të ndërtuar diversitetin, pluralitetin, BASHKIMIN NË DALLIME!

9.
E sot?
A duhet „TA KULTIVOJMË“ DIVERSITETIN KONFLIKTUOZ, APO atë të bashkimit në dallime? A duhet që kultura ta pranojë EDHE TJETRIN qoftë edhe kulturën “e armikut”, apo të shkojë në beteja të reja “epike”? Atë që e bën POLITIKA, e bën edhe KULTURA! ecin së bashku!
Tashmë jemi dëshmitarë lajmesh se si monumentet historike rrënohen çdo ditë nëpërmes minimit apo buldozerëve, fshijnë nga faqja e dheut varret dhe shenjtorët e lashtë, kështjellat historike shkatërrohen, si ka ndodhë në disa shtete aziatike apo në Kinë. Mohohet edhe fotografia, imazhi, filmi… në emër të „lutjes“, por ato shfrytëzohen për propagandë, kur është nevoja… e kështu, me seleksionim, edhe në Kinën komuniste.
Arkeologët modernë nga guri lexojnë të kaluarën, lashtësinë, qytetërimin dikurshëm dhe për secilin eksponat të tillë, bota moderne për ta ndërton një “tempull” të veçantë që quhet Muze, Muze Arkeologjik. Kurse Urat e Gurit ruhen gjithandej si objekte të Kujtesës Historike e të trashëgimisë materiale, ashtu sikundër ruhen kështjellat, kalatë dhe kullat, tempujt e moçëm dhe objektet e lashta. Nëpër hapësirat e artit e të kulturës, ekspozohen gurët e shtrenjtë, unaza me gurët e çmuar smerald dhe karneol…
Guri, pra, ka tempullin e tij, muzeun e tij, historinë e tij, artin e këndimit…

10.
Në fund: kultura synon ta kufizojë egërsinë e njeriut (këtë e bën edhe religjioni me “obligimet fetare” për të mos mëkatuar; synon ta KULTIVOJË NJERIUN (nga fjala KULT-ivim rrjedh edhe fjala KULT-urë…dmth nga derivatet e fjalëve në gjuhën latine) për të bërë një ZOON POLITIKON të ndërgjegjshëm për të mos jetuar si një kafshë jashtë ligjit e drejtësisë.
Thuhet se një politikë, e cila zhvlerëson dhe shkatërron kulturën e kombit të tij, mund të karakterizohet lirisht si politikë kriminale dhe tradhtare ndaj popullit të vet.
Kultura është baza më e rëndësishme dhe krenaria e një kombi, mbasi ajo përfshin fushat që nga trashëgimia materiale e shpirtërore, e deri te ato të arsimit të përgjithshëm, profesional të krijimtarisë artistike dhe të potencialit shkencor…
Suzan Sontag thotë: „Bota është e stërmbushur me institucione të vdekura“ që prodhojnë konsumues pasivë e shpirtërisht të varfër të të mirave kulturore.
Kultura ka potencialin e saj kritik. Ka përgjegjësinë e vet ndaj shoqërisë. Prandaj, edhe qëndrimin e saj kritik, edhe përgjegjësinë, ajo i realizon, duke qenë e pavarur nga politika.
Prandaj kultura thur dhe VIZIONIN E ÇLIRUAR PËR ADHMËRINË, për ta çliruar edhe vetë politikën…

(Ese, 26 mars 2019)

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen