KUSH HAMAMIN JENI JU?

OP-ED | admin | 15.12.11 | 23:00

13 Dhjetor 2011 11:59Nga Berat Buzhala, berat.buzhala@gmail.com

Me të drejtë pyet Vetëvendosje: Kush hamamin janë këta ambasadorë të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve që na përzihen në punët tona? Pse këta ambasadorë të nderuar të hamamit të Hyrës nuk e ndjekin rrugën e urtë dhe miqësore që përballë politikës kosovare e ndjekin kolegët e tyre diplomatë nga Rusia dhe Kina?

Kush hamamin është Fitou? Këtë pyetje kaq akademike dhe politikisht kaq korrekte, Visar Ymeri, njëri prej dy-tre njerëzve kryesorë në Lëvizjen Vetëvendosje, ua shtroi një grusht fshatarësh të një fshati të Malishevës. Dhe, tash njëmend shtrohet po e njëjta pyetje: Në të vërtetë kush hamamin na qenka Fitou, që më kaq lehtësi po i rras duart në punët tona të brendshme?

Madje mund të vazhdojmë të pyesim edhe më tepër rreth relevancës së diplomatëve dhe politikanëve, që në një formë apo në një tjetër e kanë pasur fatin – më shumë mallkimin – që të merren me çështjen e Kosovës në mënyrë abstrakte dhe me ne njerëzit e Kosovës në mënyrë konkrete.

Pra, kur jemi tek hamami, e njëjta pyetje vlen edhe për ambasadorët tjerë të akredituar në Kosovë. Kush hamamin është ambasadori Chris Dell, në fund të fundit, që gjithashtu interferon sikurse kolegu i tij Fitou, sa herë që t’i jepet mundësia. Në mënyrë të paskrupullt ambasadori amerikan madje na ndihmoi që të dilnim prej krizës politike, ku ishim kurthuar pas zgjedhjeve të fundit. Kush i kishte dhënë leje atij të përzihej?

A mos po përzihemi ne në punët e Francës, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë apo Italisë, shtete këto që në Republikën tonë e kanë formuar një trupë parapolitike të quajtur Quint. E gjithë kjo krizë financiare që po ndodh në Bashkimin Europian dhe ne asnjë zë nuk e kemi folur. I kemi lënë që vetë ta zgjidhin krizën? A mendojnë këta ambasadorë që ne nuk kemi pasur ide? Ide të pafundme kemi pasur, por kemi dashur që t’ua respektojmë shtetësinë e tyre.

 

Dhe tash unë do t’i pyesja këta ambasadorë, sikurse Visari i VV, në mënyrë tepër elegante dhe të edukuar: Kush hamamin jeni ju që përziheni tek ne? A mos e keni hasur një trupë të tillë diplomatike në ndonjë prej vendeve të Bashkimit Europian, apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pse këta duhet të na mësojnë ne shqiptarëve se çka është demokracia, apo se çka janë raportet ndërfqinjësore?

Pse këta ambasadorë të nderuar të hamamit nuk e ndjekin rrugën e urtë dhe miqësore që përballë politikës kosovare e ndjekin kolegët e tyre nga Rusia dhe Kina?

A mos rastësisht Dell dhe Fitou po mendojnë që përfaqësuesi kinez dhe ai rus nuk kanë gojë dhe nuk dinë të flasin? Apo se nuk ia duan të mirën Kosovës?

Pra, gjendja është bërë pothuajse e padurueshme, sepse pa një zor as Visari nuk do t’i nxirrte ato fjalë prej gojës.

Fundja, çka ka bërë për ne bashkësia ndërkombëtare, me theks të veçantë Franca dhe SHBA që ne ta meritojmë një përbuzje kaq të madhe?

-Na kanë ndihmuar të çlirohemi, mund të thotë dikush.

Mirë, përveç që na kanë ndihmuar të çlirohemi, çka tjetër kanë bërë këta ambasadorë që ne ta durojmë një nënçmim kaq të madh.

-Kanë dhënë ndihmë në vlerë prej mbi një miliard euro që në Kosovë të ktheheshin mbi një milion banorë që kishin ikur gjatë luftës.

Mirë de, përveç që na kanë ndihmuar të çlirohemi dhe i kanë ndarë mbi një miliard euro, çfarë tjetër kanë bërë për ne këta dy ambasadorë që ne tash ta durojmë kaq shumë arrogancën e tyre?

-Na kanë ndihmuar që të shpallim pavarësinë dhe na kanë njohur brenda 24 orësh.

Mirë de mirë, përveç ndihmës së tyre në çlirim, në donacione në vlerë miliarda euro dhe në shpalljen e pavarësisë, çka tjetër kanë bërë këta njerëz që ne ta durojmë prezencën e tyre?

-Ushtarët e tyre po na ndihmojnë që ta kthejmë nën kontroll pjesën veriore dhe gjithashtu shtetet e tyre po e bllokojnë shtetin serb që të bëhet anëtar në Bashkimin Europian.

E çka tash, do të pyeste Visari dhe Albini me shokë, a duhet që ne për shkak të kësaj ndihme të tyre kaq modeste tërë jetën të kemi aleancë me këto shtete? Kush hamamin janë këto shtete?

Në fund të fundit, këto shtete dhe këta popuj, bashkë me përfaqësuesit e tyre politikë dhe diplomatikë, duhet ta kenë pasur për nder që të na ndihmonin para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës. Të gjitha këto procese ne do të mund t’i përmbyllnim edhe pa ndihmën e askujt, por kemi menduar që ata do të ndiheshin të respektuar kur i dërgonin fëmijët e tyre të vdisnin për vendin tonë dhe kur parat e taksapaguesve të tyre i fusnin në ndërtimin e shtëpive tona. Nëse mendojnë se tash ata do të na zënë kokën neve dhe nëse ata mendojnë se ne do të gjunjëzohemi përpara këshillave të tyre civilizuese, le të shkojnë në hamam të gjithë së bashku. Apo jo Visar?

Mund të gjejmë modele jashtëzakonisht të avancuara se si bashkëpunohet me bashkësinë ndërkombëtare. Duke filluar nga Koreja e Veriut e deri në Iran. Madje të gjithë së bashku mund të provojmë ta kthejmë rendin dhe ligjin edhe në Libi, duke e vendosur prapë në fron familjen e „liderit të dashur“ Gaddafi, i cili u rrëzua prej atje nga çifti i Fitou apo çifti i Dell-it?

Deri në konkretizimin e gjithë këtyre mundësive të pafundme që na i jep armiqësia me Bashkimin Europian dhe SHBA-të do të mund të bënim edhe ndonjë budallaki të radhës. Ide të jashtëzakonshme dhe tepër kreative, kur është fjala për fyerje dhe ofendime ndaj ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve mund të huazojmë prej Partisë Radikale të Vojisllav Sheshelit në Serbi. Ata një ditë në Kuvendin e Serbisë ishin treguar shumë më mendjehollë sesa këta baltazarët e Kosovës. Ishin futur në Kuvend me pankarta ku shkruanin Bloody Mary, duke aluduar në ambasadoren amerikane Mary Burce Warlick. Gjetje e bukur apo jo? Prandaj VV dhe disa media kur ndonjëherë ngelin pa ide për t’i shpotitur ambasadorët perëndimorë, mund të vënë kontakte me drejtorët kreativë pranë Partisë Radikale të Serbisë.

 

Autori është:

Deputet i PDK’së në Kuvendin e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Express.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen