„Albanian books“, pa Kadare

Analiza & Komente | Zef Prenka | 27.11.15 | 14:24

Katalog për promovimin e shkrimtarëve jashtë vendit, s’përfshihen Kadare, Kongoli, Blushi

Një katalog dhe një portal online për shkrimtarët shqiptarë. Ministria e Kulturës do të prezantojë së shpejti projektin që synonin t’u vijë në ndihmë shkrimtarëve. Titullohet “Albanian Books” dhe do të përfshijë për së pari 32 autorë shkrimtarë e poetë. Ky katalog mund të shërbejë si një agjenci e munguar letrare dhe të tërheqë vëmendjen e botuesve të huaj kundrejt këtyre autorëve, shumica e të cilëve është botuar pak ose aspak në gjuhë të huaj.

Sipas një njoftimi nga ana e Ministrisë së Kulturës, mësohet se për hartimin e këtij katalogu, të përgatitur nga Drejtoria e Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit, janë mbajtur parasysh disa kritere: së pari, janë përzgjedhur autorë me krijimtari të pasur pas viteve ‘90, vepra e të cilëve është vlerësuar nga kritika, është nderuar me çmime apo është ndjekur nga lexuesi vendas, si Luljeta Lleshanaku, Arian Leka, Agron Tufa, Ardian Kyçyku, Ridvan Dibra, Arben Dedja etj.

Po kështu janë përzgjedhur edhe autorë të afirmuar që para viteve nëntëdhjetë, të cilët janë ende aktivë në fushën e letrave, si: Zija Çela, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj etj. Në këtë katalog do të ofrohen emra shkrimtarësh, tituj librash, biografi të autorëve dhe një tekst, të cilin ata vetë e kanë përzgjedhur për t’u përfaqësuar. Sigurisht këto janë të përkthyera në anglisht.

Në këtë listë prej 32 emrash mungojnë emrat më të njohur të letrave shqipe, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Xhevair Spahiu, Moikom Zeqo, Ben Blushi e të tjerë, të cilët tashmë janë të njohur ndërkombëtarisht, përmes përkthimeve në gjuhë të huaja. Është e tepërt të marrim rastin e Kadaresë, i cili është një nga kandidatët kryesorë për çmimin “Nobel”, i përkthyer në sa e sa gjuhë të botës. Kongoli, gjithashtu ka njohur shumë përkthime, Blushi është fitues i Çmimit të Europës etj.

Përzgjedhja e autorëve të këtij katalogu është bërë pas konsultimeve me njerëz të letrave, studiues, pedagogë e studentë. Pretendohet që ky katalog të jetë i përvitshëm dhe të pasurohet edhe me emra të tjerë, të cilët shihen si autorë me vlerë për t’u promovuar para botuesve të huaj, në panaire libri etj.

“Ka pasur disa përpjekje për antologji të letërsisë shqiptare të pas viteve nëntëdhjetë, por asnjëherë një katalog të plotë në gjuhën angleze të kësaj letërsie që të shërbejë për më tepër si një udhërrëfyes apo pasaportë veprash e autorësh me qëllimin për t’u lehtësuar punën shtëpive botuese të huaja të interesuara në botimin e veprave nga letërsia shqiptare.

Në mungesë të agjencive letrare që mbulojnë këtë veprimtari, Ministria e Kulturës vendosi të hartojë këtë katalog (me të njëjtin titull me faqen e re të internetit kushtuar letërsisë shqipe “Albanian Books”), duke shpresuar që të pasohet nga katalogët e përvitshëm që do të përmbajnë titujt më të mirë të vitit të sugjeruar për përkthimin dhe botimin jashtë vendit”, thonë realizuesit e këtij projekti, sipas të cilëve kësaj liste i mungojnë shkrimtarë si Rudolf Marku e Lindita Arapi, për shkak të pamundësisë së përkthimit në kohë të materialeve të tyre. Një informacion ky, që do të shtohet në katalogët në vijim, me të tjerë emra e tituj.

/Panorama/

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen