Rregullat e reja dhe sistemi i vjetër i Eurovisionit

Analiza & Komente | Zef Prenka | 09.05.16 | 19:20

Gara e këngës në Eurovision është një nga emisionet televizive botërore që realizohet për një kohë të gjatë. Ishte 24 maji i vitit 1956 kur Evropa për herë të parë e pa këtë garë. Gjatë gjithë këtyre viteve, Eurovisioni konsiderohet si një nga traditat tipike të kontinentit të vjetër dhe për shumë kënd, një nga emisionet televizive më të pëlqyera.

Këtë vit, nga 10 deri më 14 maj, mbahet edicioni i 61-të i këngës në Eurovision, në Stokholm të Suedisë. Sivjet do të marrin pjesë 42 vende.

Shumica e pjesëmarrësve vijnë nga vendet anëtare të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU). Vitin e kaluar, rreth 200 milionë njerëz e ndoqën finalen e kësaj gare, një shifër shumë më e madhe sesa ajo e 110 milionë shikuesve amerikanë të “Super Bowl”, që konsiderohet si një nga ngjarjet më të shikuara televizive në SHBA.

Gazeta amerikane “New York Times”shkruan se Eurovisioni kishte nisur si një mënyrë për ta bashkuar Evropën e Luftës së Ftohtë përmes muzikës, dhe e quan një lloj “Kupe të Botës” nga fusha e muzikës.

Gazeta thotë se këtë vit janë riorganizuar rregullat, dhe se fituesit do të zgjedhen nga votat e gjyqtarëve profesionistë nga çdo vend, që kombinohen edhe me votat e votuesve.

Para pak ditësh, organizatorët e Eurovisionit dhe Unioni Evropian të Transmetuesve- EBU, ndryshuan rregulloren në lidhje me përdorimin e flamujve në netët finale të Eurosong-ut.

Tani, nuk paraqitet më lista me flamujt e vendeve që u ndalohet pjesëmarrja, por tregohet se cilat vende kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre.

Ndryshimi i rregullores pasoi reagimet e vendeve, në mesin e tyre edhe Kosovës, flamujt e të cilave ishin vënë në një listë të ndaluar për përdorim gjatë netëve finale, bashkë me atë të ashtuquajturit shteti islamik – IS.

Sipas rregullores së re që është publikuar në faqen e internetit të Eurovisionit, përcaktohen rregullat, përkatësisht caktohet se flamujt e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, mund të përdoren sikurse edhe flamujt e shteteve pjesëmarrëse në garën e këngëve të Eurovisionit.

Ndërkaq, ndalohet përdorimi i flamujve apo materialeve propaganduese, diskriminuese dhe atyre fyese mbi baza politike apo religjioze.

Në krye të dokumentit apo rregullores së re shkruan që Eurovisioni mbetet një ngjarje jopolitike.

Por, kjo garë e rëndësishme e këngës në Evropë shpesh herë është kritikuar se ka karakter politik dhe se votimi ndikohet nga marrëdhëniet ndërmjet vendeve.

“A ka lidhje me muzikën sado pak votimi në Eurovision?” Kjo pyetje është ngritur nga e përditshmja britanike, “The Telegraph”, e cila shkruan se vendet e Skandinavisë dhe ato të Ballkanit e votojnë njëra-tjetrën dhe se votat nuk jepen bazuar në kualitetin e këngëve pjesëmarrëse.

Këngëtarja e njohur, Bonnie Tyler, e kishte përshkruar votimin si “të pabesueshëm”, pasi ajo u radhit në vendin e 19-të nga 26 pjesëmarrës në finalen e vitit 2013.

Këtë vit, mënyra e votimit ka ndryshuar dhe fituesi nuk do të dihet deri në fund, kur të votojnë të gjitha vendet e të mblidhen të gjitha votat.

Por, prapë se prapë, shkruan gazeta, sistemi nuk ka ndryshuar.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen