Vendimet e mëdha, politikat e vogla

Analiza & Komente | Zef Prenka | 03.04.17 | 09:05

Lumir Abdixhiku

-1-

Do të duheshin pak ditë, një vizitë a dy, për të kthyer propozimin e presidentit prapa nga ku kishte nisur; në strofullin e dorëzimit e të mosbërjes; siç rëndom ndodh gjithnjë. Një përpjekje unilaterale për bërje të ushtrisë ishte parë gjithnjë nën dioptrinë e përvojës së deritanishme provokuese që presidenti i sotshëm, në të shkuarën e tij, ka përdorur për politikë. Mjeshtër i prodhimit të temave të mëdha, të përcjella me politika të vogla nga ai; pa progres e ndryshim gjithnjë.

Gjithsesi, temat e mëdha mbesin. Dhe, ushtria, mbetet megjithatë temë e madhe – me ose pa tendencën e presidentit për ta bërë material për fletushkën zgjedhore të partisë së tij (“ish” parti nuk bën dallim). Si temë e madhe që është, ushtria kërkon edhe reagim të madh politik. Kjo madhësi reaguese mund të vijë vetëm me bërjen e zërit një të shumicës shqiptare në vend dhe, nga aty, shtrimin e kërkesës për qartësim kohor të durimit që Kosova duhet të ketë. Koha, në të vërtetë, ka qenë dhe kërkesa thelbësore e promovuesit e sponsoruesit kryesor të mbrojtjes sonë – të Qeverisë amerikane.

Të mos harrojmë, transformimi i FSK-së në ushtri ka qenë platformë e deklaruar dhe e shkruar gjatë sesionit dëgjues të sekretarit të Mbrojtjes në SHBA, gjeneralit Mattis. Pra, thënë ndryshe, ka një politikë zyrtare amerikane, të mirëdeklaruar për domosdoshmërinë e transformimit. Mbi të gjitha, ka një presion në rritje në qëndrimet individuale bipartizane në Senatin e Kongresin Amerikan për këtë transformim. Pra, përfundimi është i vizatuar. E pa vizatuar mbetet, megjithatë, rruga që duhet arritur në këtë përfundim.

Kjo rrugë mund të vizatohet mirë, në Kosovë, po pati një lidership të mirë. Kosova, tek presidenti partiak, këtë liderhsip s’mund ta gjejë. Sepse, siç dëshmoi pikërisht ky trajtim i çështjes së ushtrisë, presidenti në rastin më të mirë mund të bëjë vetëm një asist zgjedhor për partinë e tij.

Por vizatimi i mirë duhet të bëhet nga faktori politik shqiptar, mbështetur nga të tjerë apartiakë, në dhënien e zërit si një. Kjo dhënie e zërit do të nisë domosdo një kundërofertë; një pako ofruese të sponsorëve tanë si përgjigje ndaj insistimit tonë të drejtë – që në fund përkon me deklarimin zyrtar amerikan. Kjo pako, madje pati dhe një emërtim që u shpërfaq në vizitën e fundit të zëvendësndihmëssekretarit amerikan Yee, u quajt udhërrëfyes. Pra, ka një rrugë e një rrëfim që duhet ndjekur, e që në thelb ka të bëjë me një periudhë kohore për bisedimin e bindjen e serbëve lokalë. Pasja e kohës nënkupton dhe fundin e insistimit e kalimin eventual në alternativë – në ndryshime ligjore nëse bindja nuk ka sukses. Një marrëveshje e tillë mund t’i japë rrugë bërjes së ushtrisë brenda vitit 2017.

-2-

Ushtria është tema e parë e madhe në vend. E dyta, jo më pak e vogël, gjithsesi më e vjetër, mbetet ajo e liberalizimit. Këtë javë, sa për rikujtim, mbi 10 milionë gjeorgjianë morën lëvizje të lirë nëpër Evropë. Fati i vizave të tyre ishte nisur në një pako me fatin tonë. Gjatë rrugës, politikanët tanë ishin ngërthyer keq në një temë caktim kufiri.

Sot Kosova duket shumë larg marrjes së vizave. Jo sepse ka pengesa shtesë nga evropianët, por sepse janë të frikësuar deri në palcë për konsekuencat e tërheqjes nga pozitat të themeluara mirë tash e dy vjet. Natyrisht se evropianët mbajnë hisen e tyre të fajësisë për trajtimin e padrejtë të kosovarëve me krijimin e kritereve si për asnjë vend tjetër rajonal. Por, në fund të ditës, po qe se rregullat e shtëpisë duhet respektuar nga mysafirët, sado të padrejta të jenë ato, neve, mysafirëve, s’na mbetet tjetër alternativë.

Vazhdimi i përplasjes e i mosvotimit rrezikon, natyrshëm, liberalizmin tonë jo për pak kohë; e rrezikon atë për shumë vjet. Të mos harrojmë, në vitin 2008 Maqedonia ishte në rrugë të mbarë të anëtarësimit për në BE; veç një hap larg NATO-s. Atëherë, çështja e emrit dhe përplasja me Greqinë kishin nisur një betejë të brendshme që s’ishte zgjidhur asnjëherë. Sot kjo betejë duket krejt e pakuptimtë përballë kostos së krijuar që nga atëherë. Pritjet, sikurse tek ne, kishin qenë në dorëzimin e kërkesave evropiane. Ky dorëzim s’kishte ndodhur asnjëherë. Gati dhjetë vjet më pas, Maqedonia përveçse është shumë larg NATO-s e BE-së, është shumë afër diktaturës e autoritarizmit të plotë. Në një situatë të tillë mund të mbesim dhe ne. Rrokullisja nëpër shkallët e degradimit është vetëm një hap prapa nga ne.

Prandaj na duhet një lëvizje e shpejtë. Na duhet një përmbyllje e procesit, përkundër dallimeve që mund t’i kemi sot nëpër parti.

Një marrëveshje gjithëpalëshe shqiptare me vendin fqinj – Malin e Zi – do të mund t’i hapte dy rrugë për një zgjidhje, përfundimin e demarkimit. Rruga e parë, nëpërmjet marrëveshjes me fqinjët për riverifikim të kufirit në bazë të komisioneve të përbashkëta vlerësuese. Rruga e dytë, ndërsa, me vazhdimin e kontestit dhe dërgimin e tij në arbitrazh. Në fund të ditës, Mali i Zi, tashmë vend gati anëtar i NATO-s, është ndër aleatët tanë më të afërt në rajon. Si i tillë, ai, do të ishte i interesuar për më shumë stabilitet në vendet properëndimore, siç është Kosova, për të amortizuar secilën përpjekje ruse e serbe për destabilizim.

-3-

Asociacioni do të jetë tema e tretë e madhe në vend. Presionet për formimin e tij, me siguri si këmbim të lëvizjes së lirë e bërjes së ushtrisë, do të nisin në vazhdimësi. Kosova, për bazë, ka vetëm një interpretim kushtetues të asociacionit, që e bën në parim të vdekur marrëveshjen mbi parimet të nënshkruara më 25 gusht. E bën të vdekur, sepse ky interpretim e heq asociacionin nga kompetencat ekzekutive, e largon nga karakteri i nivelit të mesëm qeverisës, dhe, mbi të gjitha, e mban si jokushtetues në karakterin e tij monoetnik.

Pra, vendimi i Kushtetueses është garanci e mjaftueshme – në teori – për hapin tjetër në vijim. E hapi tjetër në vijim do të ishte ndërtimi i një statuti në vijë me këtë interpretim.

Presione të kërkesat natyrisht se do të jenë të ndryshme. Në praktikë, për dallim nga teoria e garantuar nga Kushtetuesja, klasa jonë politike mund të bëjë dhe lëshime të tjera përkundër interpretimit kushtetues. Në fakt, të njëjtët kishin bërë lëshime drastike, në 23 pika, të marrëveshjes së parë. Do ta bëjnë sërish për motive të mosdijes e këmbimit të pushtetit me kompromis.

Prandaj, edhe këtu, do të ishte e udhës formimi i një komisioni gjithëpartiak, që do të hartonte strukturën e statutin e asociacionit; tipik me një statut të një trupi joekzekutiv e plotësisht kushtetues, siç kishte vendosur kjo kushtetuese. Më pas, ky statut, do të duhej të dërgohej për riverifikim në Kushtetuese. Po të kishte pak vullnet politik pushteti, draftimin e këtij statutit, konform interpretimit të Kushtetueses, do tua linte në dorë ekspertëve të zgjedhur nga opozita.

Përfundimi i këtij procesi do t’i jepte fund trajtimit të temave të mëdha e të pazgjidhshme, që papërgjegjësia e klasës sonë politike në vazhdimësi u ka dhënë jetë. Fundi i këtyre temave do ta bënte Kosovën me ushtri, qytetarët e saj me lëvizje të lirë, e pakicat kombëtare me një organizatë joqeveritare, siç definohet dhe në Kushtetutën e kësaj Republike. Do të ishim përfundimisht më të lirë.

abdixhiku@facebook.com

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen