A janë Shqipëria dhe Kosova- nënë e bijë?!

OP-ED | Mikel Gojani | 27.03.18 | 12:53

Mikel Gojani

ZEMËRIMI (I KOSOVARËVE) NDAJ NËNËS!

Shqiptarët e Kosovës, sikur të të gjitha hapësirave etnike, Shtetin Amë – Shqipërinë gjithherë e kanë konsideruar si shtetin e tyre amë. Këtë ndjenjë e kanë edhe sot shqiptarët kudo që gjenden.

Hapja e kufirit, pra mundësia e lëvizjes së lirë, që deri dje ishte e pamundësuar dhe instaluar padrejtësisht nga ideologjia e atëhershme ekstreme, realiteti i ri hapi perspektiva të reja dhe mundësoi horizonte dritëdhënëse të komunikimit, bashkëpunimit dhe të integrimit ndërshqiptar. Me këtë realitet të ri, të frymës së re, u realizua një një ëndërr e kamotshme e shumë brezave tanë. Shqiptarëve, të cilëve deri dje ju mohonte kalimin “andej” apo “këndej” kufirit, ndërsa sot nuk kanë atë pengesë. Realiteti i ri solli në frymë të re dhe sot shqiptarët mund të lëvizin lirshëm në të dy anët e kufirit, i cili sot më tepër ka rolin e një vije administrative, që kërkojnë kriteret europiane.

Edhe përkundër këij realiteti të hapjes së portave ndërshtetërore, Shqipëria po krijon barrier të ndryshme në aspektin e lëvizjes së lirë, sidomos të mallit, çka kosovarët po ndëshkohen në shumë aspekte.

Edhe gjesti i fundit i vënien së taksës me një çmim të lartë për standardin e një popullatë më të varfër në Europë, është shprehje se politika aktuale shqiptare ka një ndjenjë antikosovarizmi, ndërsa retorika e qeveritarëve për një politikë prokosovarizmi, janë hedhje hi në sytë e mbyllur.
Taksa në Rrugën e Kombit ka zgjuar zemërim tek shqiptarët e Kosovës dhe sipas tyre ky gjest i politikës shqiptare përbën ndëshkim për kosovarët, çka e vlerësojnë si një vendim të dëmshëm dhe me pasoja.

Sikur të ishte caktuar një çmim modest, që për kasën e Shqipërisë do të bënte boll, kur dihet fakti se vetëm gjatë stinës së verës milionë shqiptarë frekuentojnë në bregdetin e Shqipërisë dhe vendet tjera të saj. Prandaj, çmimi simbolik do të kishte qenë i justifikueshëm dhe i mjaftueshëm, për arkën e shtetit amë, por edhe i papërthyeshëm për qytetarët e varfër kosovarë.

Këtë gjest të politikës shqiptare kosovarët e patriotët e vërtetë nuk e përkrahin dhe e gjykojnë, sepse me këtë veprim të kësaj politike e konsiderojnë si një ndëshkim ndaj tyre dhe se këtë ndëshkim nuk e kanë merituar nga ndjenja e dashurisë së madhe që kosovarët kanë për shtetin e tyre amë – Shqipërinë.

Përpos qytetarëve që po ndëshkohen me këtë politikë të shtetit shqiptar, një ndëshkim do ta pësojnë edhe bizneset e Kosovës, kur dihet që Shqipëria është vendi më joshës për zhvillim të biznesit dhe të ekonomisë.

Ky është një ndëshkim drastik i politikës shqiptare, që përkundër standardit tepër të ulët të qytetarit kosovar, qytetarët e këtij vendi shpenzojnë gjithë ato para në Shqipëri. Dhe këtë e bëjnë më tepër se për hir të dashurisë që kanë ndaj shtetit amë dhe idealizmit të tyre.

Këtë veprim të politikës shqiptare nuk e justifikon asnjë provë, sepse edhe rruga të cilën e shfrytëzojnë qytetarët e Kosovës nuk është një rrugë e standardeve europiane, vende-vende me plot pengesa dhe e dëmtuar.

Meqenëse gabojmë po të përgjithësohen çështjet, ky nuk është rasti i vetëm që politika shqiptare dhe shqiptarët vëllezër të Shqipërisë në forma të ndryshme shprehin një ndjenjë antikosovarizmi ndaj vëllezërve të tyre “këndej” kufiri, një ndjejë e tillë çka nuk ekziston tek pala kosovare. Sepse shqiptarë të Kosovës vëllezërit e tyre “andej” kufiri gjithherë i kanë konsideruar vëllezër të vërtetë, njëjtë i konsiderojnë edhe sot.

Prandaj, zemërimi i kosovarëve është i justifikueshëm dhe me plot vend.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen