Krishtlindjet në diasporë

Diaspora | Zef Prenka | 28.12.11 | 08:49

„Këtë ngjarje mundohemi ta paraqesim edhe në aspektin e dukshëm, pra duke u dhënë kishave tona një shije të këndshme, porse ajo që spikat është Shpella e Betlehemit, e improvizuar në mënyra të ndryshme artistike, me qëllim që ta paraqesë vendin, ku Jezusi pati lindur para 20 shekujve”, thotë Pater Marijan Lorenci, famullitari i misionit katolik në Stutgart.

Ditët e Krishtlindjeve nga më të dashurat e vitit

Këto ditë janë për pater Marijanin nga më të ngarkuarat, por edhe shumë të dashurat. „Ne festojmë një ngjarje të rëndësishme, që ka ndryshuar rrjedhën e historisë së gjithmbarshme njerëzore, sepse vetë Zoti Hyj hyn në historinë e njerëzimit dhe i jep kahe definitive drejt së vërtetës, drejtësisë, dashurisë dhe paqes”, shprehet ai.

Gjatë gjithë muajit të dhjetorit, muajit të Ardhjes/Aventit, siç është tradita kishtare, ai dhe ndihmësit e tij kanë bërë pergatitjet për pritjen e festës së Krishtlindjeve. Përgatitja nënkupton aspektin shpirtëror përmes një itinerari domethenës e të bukur liturgjik e pastoral. Në programe gërshetohen edhe elementët artistikë dhe folklorikë të interpretuar nga anëtarë të bashkësisë.

“Ndoshta itinerari i përmendur merr trajtën e vet më të dukshme në familjet tona, pasi Krishtlindja konsiderohet si festë e familjes, ku anëtarët e familjes bashkohen për të kremtuar së bashku datëlindjen e Zotit – Jezu Krishtit, sepse Jezusi është bërë anëtar i pashmangshëm i familjeve tona: Ai që i jep kuptim bashkimit dhe unitetit të tyre. Kjo tashmë është një traditë që nga viti në vit merr forma të reja, begatohet e fisnikërohet”, thotë Pater Marijani.

Kisha katolike shqiptare në Stutgart këto ditë është më e frekuentuar se kurrë. Përveç meshave të 24 dhe 25 dhjetorit në famullinë e Stutgartit dom Marijani mban më 26 dhjetor mesha edhe në qytete të tjera të Gjermanisë.

Bashkësia katolike në Gjermani numëron rreth 1200 besimtarë, të shpërndarë në qytete të ndryshme, shpesh në largësi të mëdha. “Megjithatë mundohemi t’i arrijmë të gjithë”, thotë patri. Kuptimin e aktivitetit të tij ai e sheh në të qëndruarit afër popullit në rrugëtimin e tij të fesë, të ndihmojë në ruajtjen e gjuhës, kulturës traditës, edhe pse të gjitha këto marrin karakteristika të ndryshme për dallim nga Kosova.

Dëshira për t’u bërë klerik

“Gjithçka për Atdhe e Fe. Unë në këtë binom shoh personin e çdo prifti katolik: shpallja e Krishtit, ungjillit dhe ruajtja e kombit. Këto të dyja gërshetohen natyrshëm e rriten pashmangshëm në të përditshmen tonë. Njëra pa tjetrën e bën priftin, do të thosha, të pa plotësuar.”, shprehet Pater Marijani, i cili ka lindur në Stubëll të Epërme, një vend piktoresk në vargmalet e Karadakut (Komuna e Vitisë). I rritur në një familje të përshpirtshme katolike, që e formon dhe edukon sipas parimeve ungjillore, te ai mbillet fara e parë e fesë, dhe përcaktimi për t’u bërë prift, person i kushtuar Zotit dhe popullit.

Ai u shugurua prift i rregullit franceskan në vitin 1997, në kishën e Gjakovës. Dhjetë vitet e para shërbeu në Gjakovë, në një kohë shumë të rëndë për Kosovën, që do të shpërthente në luftën e tmerrshme të Kosovës (1998-1999). Duke folur për atë kohë ai shprehet: “Ndjehem i privilegjuar dhe i lumtur që Zoti më bëri pikërisht mua dhe gjithë klerin katolik kosovar bashkëvuajtës të popullit, me të cilin dëshmuam identitetin tonë të lashtë apostolik. Edhe njëherë Kisha pati fatin ta forcojë binomin e saj: gjithçka për Atdhe e Fe.”

Përkujdesja për popullin në diasporë

Qëndra misionare në Stuttgart, që ai drejton, ka një mision: përcjelljen e popullit edhe në diasporë, me qëllim që mos të harrojnë përkatësinë e tyre, identitetin krishtëror e kombëtar, thotë prifti. Po cilat jane përpjekjet e misionit për integrimin?

„Me Kishën gjermane bashkëpunojmë në rrafshin pastoral, e në këtë drejtim duhet të flitet më tepër për një rritje bashkëpunimi se sa integrimi në kuptimin e ngushtë të fjalës, pasi që katolikët shqiptarë nuk dallojnë për asgjë nga ata gjerman, në aspektin kishtar, liturgjik, pastoral dhe teologjik. Ndërsa, për integrimin e shqiptarëve në shoqërinë gjermane ne nuk kemi projekte të veçanta, pasi kjo çështje nuk i përket natyrës specifike të misionit. Porse, në anën tjetër, sa herë që është kërkuar për të dhënë kontributin tonë si bashkësi misionare në integrimin e popullit tonë në shoqërinë gjermane e kemi bërë dhe do ta bëjmë më tërë forcat tona. “

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen