Kosova në mes të referendumit serb dhe fusnotave të BE-së

OP-ED | admin | 22.02.12 | 11:18

Sa po rrezikohet ardhmëria e Kosovës, nga dhuratat e imponuara- një ditë para dhe një pas 4 vjetorit të Pavarësisë ?!

rrezore.com

 Me rastin e 4 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shtetit, në prag të të cilit u mbajt referendumi i Serbisë në Veri të Kosovës,dhe pranimi për heqjen e Republikës,për ta zëvendësuar atë me fusnota- pushtetarët e vendit kanë humbur çdo legjitimitet për të qeverisur edhe më tej me Kosovën, sikurse Zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët definitivisht kanë humbur çdo të drejtë që ti shtrydhin edhe më tej shqiptarët, qoftë edhe përmes kërkesës me shprehje të zbrazëta për të ashtuquajturin-Dialog „teknik“ me Serbinë.
 Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, sikur mos ta dinte se me çfarë pushtetarësh ka të bëjë ky vend, të cilët korrupsionin dhe pasurimin e tyre në kurriz të shtetit dhe popullit të Kosovës, e kanë kthyer në Parim të sundimit dhe moto bashkëkohore të jetesës së tyre të veçantë, me para dhe pasuri përrallore, mu nga ta kërkon që të fokusohen në sendërtimin e rendit dhe të ligjit, madje ta luftojnë edhe korrupsionin (e instaluar nga ata vet) , për të vazhduar rrugën drejt integrimeve euroatlantike,siç thuhet në porosinë e tij.
 
Madje z. Burns sikur nuk e di se, si pushtetarët vendor ashtu edhe ata të BE-së në Kosovë, tash e katër vite me radhë nuk arritën të bënin pothuajse asgjë, në luftë kundër Korrupsionit, Krimit të organizuar dhe zhbërjes së Strukturave Kriminale të Serbisë , në Kosovë të cilat pas dështimit të BE-s dhe pushtetit vendor për zhbërjen e tyre,me kalimin e kohës-sa vinë e trashen. Ato jo vetëm se tash e 12 vite në mënyrë të hapur, kanë uzurpuar një pjesë të territorit të vendit tonë por së fundi me mbajtjen e referendumit në atë pjesë,arritën të bëhen edhe forcat e vetme VENDIMMARRËSE për veriun e Kosovës.
 Kështu që strukturat e shtetit të Serbisë,duke shfrytëzuar dobësitë shumëvjeçare të dy segmenteve të lartcekura, janë akomoduar aq mirë në Kosovë, sa që veprojnë pa asnjë penge, bile janë kthyer në sundimtare megaloman,si në asnjë vend tjetër përreth. Një gjendje si kjo nuk do të lejohej askund në botë, që para hundëve të pushtetit vendor dhe gjithë atyre forcave ndërkombëtare,strukturat e MUP-it serb,të veprojnë si në Kosovë, ku ata tash e sa vite, luajnë „mbretin“ e kësaj toke.
 Mendoj se me të drejtë u tha edhe në reagimin e Shqipërisë se edhe referendumi i serbëve,(nuk është aq i thjesht siç dëshirohet të paraqitet nga dikush),por i orkestruar dhe që ka për qëllim skenarin e rrezikshëm për ndryshimin e kufijve ekzistues, sipas linjave të pastra etnike në rajonin tonë”.
 Madje,as të ashtuquajturat marrëveshje të „arritura“ pas rënies së territ mediatik dhe nën mjegullën e mbrëmjeve të Brukselit “ me Serbinë, të ndërmjetësuara nga BE,në legjislacionin e të cilit përfshihet edhe i ashtuquajturi „Menaxhimi i Integruar i Kufijve“,mjerisht nuk ndryshuan gjendjen e mëparshme në Kosovë.
 Ndaj siç edhe dihet nga të gjithë,ekzekutimi i tyre edhe sot vetëm pjesërisht realizohet,për të mos thënë fare,dhe tanimë pranohet se ky ndërmjetësim shqiptarët deri më tani nuk i ndihmoi me asgjë, përkundër asaj se marrëveshjet u arritën, me ndërmjetësimin e BE-s e cila së fundi,për kënaqjen e kërkesave të Serbisë, kërkon edhe heqjen e Republikës dhe vënien e FUSNOTAVE shtetit të Kosovës.
 
Xhejms Huper: Nëse Kosova pajtohet me ndryshimin e emrit do ngujohet
 
Pasi që BE, më tepër është kthyer në mekanizëm për plotësimin e fontanave të dëshirave të Serbisë,ajo pas katër vitesh të shpalljes së Pavarësisë,kërkon që Kosovës ti hiqet edhe Republika, dhe pas këtij „mëkati të madh“ katërvjeçar, që daton nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova edhe para botës të „shfajësohet“ me FUSNOTA, për ç`gjë jo vetëm se u dëshpëruan të gjithë shqiptarët,por ne ishim dëshmitar të shprehjes së mendimeve pesimiste edhe nga personalitete të njohura ndërkombëtare.
Lidhur me dëmin e madh që do ti shkaktonin vendit, këto „fusnota“ të famshme,të cilat parashihen ti vihen mbi krye Kosovës, përkundër asaj se ato vetëm pak kohë më parë,i favorizonte edhe zonja me „Kamelie të kuqe“, foli edhe ish diplomati i njohur amerikan,zoti Xhejms Huper.
Ai u shpreh hapur dhe pa ekuivoke se fusnotat nuk janë në interesin e Kosovës, dhe nëse Kosova pajtohet me lojën e ndryshimit të emrit, ashtu siç e propozojnë disa diplomatët dhe negociatorë evropianë, ajo do të ngujohet përgjithmonë me to dhe shndërrohet në një ”shtet asterisk”,siç është ngujuar ish republika jugosllave e Maqedonisë me emrin FYROM nga gëzhoja e të cilit tash e njëzet vite, ajo assesi të dalë!
Mjerisht,Kosova nuk mund të bëjë kurrfarë përparimi as për inkuadrim në BE, derisa mbetet e kapluar nga kjo shkallë korrupsioni,kundër të cilit pothuajse kot fare, vite me radhë formohen ,Agjenci Antikorrupsion, Task-Forca Antikorrupsion, dhe së fundi edhe Këshilli Antikorrupsion, të cilat kush e di se me çka do të pasohen më vonë,për të përfunduar në histori si pararendëset e tyre të famshme.
 Mungesa e veprimeve ligjore dhe mosështrirja e shtetësisë në gjithë territorin e saj,e determinojnë Kosovën ndër vendet që nuk ka bërë asnjë nga hapat e mëdhenj në rrugëtimin e nevojshëm drejt BE-së. Madje, ajo në vend të veprimeve të lartcekura, “Dialogon“ dhe „arrin““marrëveshje“ me Serbinë, edhe pse ekzekutimi i tyre kryhet vetëm nga Kosova, dhe pothuajse fare nuk gjen zbatim nga ana e Serbisë.
 Madje Serbia,e cila nuk lejon ekzekutimin e marrëveshjeve as me ndërmjetësimin e BE-s, ajo edhe nën këto kushte, organizon si në „tokë të babës“ zgjedhje dhe referendume në territorin e Kosovës, e pa penguar nga Kosova e as nga ata të cilët Kosovës i diktojnë “Dialog“pas dialogu me Serbinë,dhe këtë pa ndonjë premtim qoftë ai edhe formal se pas këtyre marrëveshjeve do të pasonte njohja e Kosovës edhe nga 5 shtetet tjera të BE-s dhe pjesëmarrje të barabartë në konferencat rajonale.
 Për fat të keq, jo vetëm nga BE, por as nga OKB,le që nuk i kërkohet Serbisë që ta njohë Shtetin e Kosovës, por asaj i lejohet edhe mbajtja e strukturave të saj policore dhe shtetërore në Kosovë, duke mos kërkuar nga ajo,as të shfuqizoj dhe hedhë poshtë me Vendim Shtetëror apo Deklaratë Zyrtare,referendumin e pa ligjshëm serb të mbajtur në veriun e Kosovës,mbajtjen e të cilit, ajo bëri „sikur e kundërshtoi“, para se ai të mbahej, i cili tanimë pritet me siguri të 100% që të shndërrohet në mjet që do të imponojë „Dialogun“ edhe për statusin e veriut të vendit.
 
Ndaj besoj se pas lejimit aq të lehtë të vendosjes së barrikadave dhe mbajtjes së referendumit nga MUP-i serb në veri të Kosovës,zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë humbur çdo të drejtë qoftë edhe formale,që edhe nën këto kushte,tu bëjnë thirrje shqiptarëve,për „dialog“ me Serbinë,derisa BE-ja,tash e katër vjet nuk bëri asgjë tjetër përpos që realizoi edhe në terren ndarjen e Kosovës, njëjtë siç ndau Rusia Gjeorgjinë.
 
Për të qenë tragjedia edhe më e madhe,mu kjo BE, e cila jo fort larg në kohë, për një decenie me radhë shihte vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin millosheviqian, si diçka të zakonshme, dhe siç pati heshtur atë botë për mbylljen e të gjitha shkollave në gjuhën shqipe, përjashtimin e të gjithë punëtorëve fizik dhe administrativ shqiptarë nga puna, përzënien e tyre nga shtëpitë, banesat dhe pasuritë personale dhe shoqërore,mbylljen e të gjitha mediave elektronike dhe të shkruara të shqiptarëve,ajo tani zgjodhi prapë ta viktimizoj Kosovën duke shkel dhe përdhosë ardhmërinë e saj, për arritjen e integrimit të Serbisë në BE!
 Kurse si shpërblim për dialogun që zhvillojnë politikanët e shantazhuar të Kosovës me Serbinë, shqiptarët,përveç ndarjes së trojeve tjera të ndara që mase një shekull, këtë vit duhet ta vajtojnë edhe ndarjen më të re „zyrtare“ që po i bëhet Kosovës me referendumin e papenguar serb në veri, i cili zyrtarisht mbetet i pa shfuqizuar nga asnjë rezolutë apo vendim zyrtar me të cilin,si Serbia, ashtu edhe BE dhe OKB,do ta hidhnin poshtë si të pa vlefshëm.
Ndaj, sa mund tu ketë mbetur shqiptarëve dëshirë të festojnë nën këto kushte edhe pas mbajtjes së referendumit serb në veriun e vendit tonë,i cili u „miratua“ me heshtjen e BE-s dhe OKB-s, dhe mbytjes së Republikës me FUSNOTA kur Pavarësia e shtetit të Kosovës,tanimë nuk dihet ku fillon as ku mbaron!?.
Kur referendumi serb i cili përfundoj vetëm një dit para përvjetorit të katërt të Pavarësisë dhe vetëm një ditë pas këtij përvjetori, ai po fuqizohet edhe me Fusnota të BE-së, të cilat do t`i heqin Kosovës „Republikën“! mendoj se këto janë dëshmi të mjaftueshme si para faktorit ndërkombëtar ashtu edhe para shqiptarëve se Kosova ,asnjë herë nuk paska qenë njëmend shtet,dhe dora e cila do ti nënshkruaj këto Fusnota, do të jetë Dora-vrastare e këtij vendi të shumë vuajtur,nga e cila Kosova do ta ketë të vështirë ringritjen e sërishme të saj.
Ndaj, jo vetëm nga referendumi serb por edhe nga politikanët e shantazhuar të Kosovës, po humbin shqiptarët dhe përfiton Serbia,e cila duke mos e vënë fare në tryezë bisedimesh, çështjen e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës,gjë që zyrtarisht,deri më tani as që i është kërkuar Serbisë,nga cilado palë relevante,duke e heshtur edhe luftën e zhvilluar atje,ajo me miratimin e heshtur së pari të vet shqiptarëve,do ti mbaj ato,pa asnjë fjalë të këmbyer,as edhe për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të cilat u mungojnë vëllezërve tanë në trojet e tyre etnike të mbetura nën sundimin serb,dhe kam frikë se për një kohë të shkurtër, mund të shkëpus edhe veriun e vendit, me arsyetimin e të mos- qenurit të Kosovës shtet i njëmendët, gjë të cilën përmes futjes së fusnotave,me nënshkrimet e tyre, dashje e pa dashje-duan ta vërtetojnë edhe politikanët e „ndershëm“ modern shqiptar.
 
Gani Qarri               Cyrih 18 shkurt 2012

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen