Vizita: Sheshi “Nënë Tereza” ngjante dje me sheshin “Shën Pjetër”, në Vatikan, një oaz i madh pritjeje

Histori & Fakte, Reportazhe | Zef Prenka | 22.09.14 | 22:37

“Ardhja e Papa Françeskut, ngjarje që historia s’do ta harrojë”

Bekimi – Fëmijë të lumtur, të mbështjellë me flamujt shqiptarë e ata të Vatikanit, tetë prej të cilëve, përfshirë edhe vogëlushin e Kryeministrit, u bekuan nga duart e vetë Atit të Shenjtë
Shembulli – Kiara, quhet një nga vajzat që Papa Françesku mori në krahë gjatë kalimit të tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, fryt i dashurisë së dy prindërve, mysliman e ortodoks
Besimtarja – “Kjo është një ditë e madhe për të gjithë të krishterët, por edhe për Shqipërinë. Mezi pres të ndjek meshën dhe të lutem për shëndetin e fëmijëve”
Atmosfera – Mijëra besimtarë e pelegrinë e kthyen sheshin “Nënë Tereza” në një oaz të madh pritjeje, si një fotografi e ngjashme me meshat e së dielës në “Shën Pjetër” në Vatikan
Pritja – E veçanta e udhëtimit nga Rinasi drejt sheshit “Nënë Tereza”, ishin duartrokitjet e shumta të besimtarëve, që e shoqëruan Atin e Thjeshtë gjatë gjithë rrugës

Shpresa Mezini

Maria nuk do ta harrojë asnjëherë këtë të diel. Gruaja nga Rragami, një fshat në verilindje të Shkodrës, ka udhëtuar gjatë gjithë natës me të shoqin e katër fëmijët, për të mbërritur pa zbardhur dita në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Shaminë e zezë që ka vendosur në kokë, nuk e ka vënë më parë në asnjë meshë. E ka blerë posaçërisht për këtë të diel, që për Marian është një ditë e madhe lumturie. Ajo nuk gjen fjalët e duhura për ta shprehur gëzimin, por thotë se është në Tiranë për të gjithë familjen e saj të madhe, që për vite me radhë e ushqyen besimin me dyer të mbyllura në shtëpi. “Kjo është një ditë e madhe për të gjithë të krishterët, por edhe për Shqipërinë. Mezi pres të ndjek Meshën dhe të lutem për shëndetin e fëmijëve”, tregoi zonja e emocionuar, si të ishte duke pritur fëmijën e saj të parë. Kjo grua, që i ka kaluar të 50-at, nuk ishte e vetmja që priste plot emocion mbërritjen e Papa Françeskut, dje, para orës 10:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Shqipëria mbarë e ka gdhirë zgjuar mbrëmjen e 20 shtatorit, ditën që i parapriu vizitës së Papa Françeskut. Qytetarë të besimeve të ndryshme, të njohur e të panjohur me njëri-tjetrin, që pas vitesh të tëra iu rikthyen xhiros në sheshin “Nënë Tereza”, mes miqsh, shokësh, familjarësh, të emocionuar si rrallë në jetët e tyre, qëndronin bashkë për të pritur Atin e të Thjeshtëve. Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme që u regjistrua që në orët e mbrëmjes së 20 shtatorit, për të kulmuar dje, me të zbardhur dita. Ora 09:00 e 21 shtatorit të vitit 2014, kur Ati i Shenjtë shkeli tokën shqiptare, me të zbritur në Aeroportin e Rinasit, do të mbetet e paharruar në zemrat dhe kujtesën e çdo shqiptari, që përjetoi nga afër këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Një përjetim drithërues për çdo qytetar shqiptar nga Jugu në Veri, që u përulën dje për të marrë bekimin e Papa Françeskut për një jetë më të mirë, në dashuri e paqe. Fëmijë të lumtur, të mbështjellë me flamujt shqiptarë e ata të Vatikanit, tetë prej të cilëve, përfshirë edhe vogëlushin e Kryeministrit, u bekuan nga duart e vetë Atit të Shenjtë. Mijëra besimtarë, pelegrinë të ardhur dhe nga vendet e tjera fqinje, e kthyen sheshin “Nënë Tereza” në një oaz të madh pritjeje dhe gëzimi, si një fotografi e ngjashme me meshat e së dielës në “Shën Pjetër” në Vatikan. Padurimi për mbërritjen e Atit të Shenjtë, shihej në fytyrat e besimtarëve, të cilët e mbajtën vështrimin lart sheshit, deri sa eskorta e tij u shfaq pranë monumentit të Skënderbeut. Një çast i papërshkrueshëm, të cilën historia nuk do ta harrojë, teksa gëzimi përzihej me lotët e të pranishmëve. Më shumë sesa fjalët, besimtarëve u fliste fytyra, ku shihej padurimi për nisjen e Meshës. As shiu që herë pas here trazoi mëngjesin e djeshëm, nuk e prishi emocionin e kësaj dite të shenjtë. Papa Françesku e zhvilloi takimin e parë kokë më kokë me Kryeministrin Edi Rama, në dhomën VIP të rikonstruktuar posaçërisht për mbërritjen e tij në Shqipëri, në aeroportin “Nënë Tereza”, për t’i shprehur drejtpërdrejt falënderimet që pranoi ftesën personale të tij për të vizituar Shqipërinë. Pas një bisede private kokë më kokë, Kryeministri i vendit i dhuroi Papës një kupë dheu prej tokës së shqiptarëve. Në zbatim të përpiktë të axhendës, eskorta e Atit të Shenjtë dhe delegacioni shoqërues u nisën drejt Tiranës, për të arritur rreth orës 10:00 në ceremoninë zyrtare pritëse në Presidencën shqiptare. E veçanta e udhëtimit prej disa minutash nga Rinasi drejt sheshit “Nënë Tereza”, ishin duartrokitjet e shumta të besimtarëve, që kishin dalë përgjatë këtij aksi, të cilat e shoqëruan Atin e Thjeshtë pothuajse gjatë gjithë rrugës. Nga rrethrrotullimi i Doganës, Rruga e Durrësit, qendra e Tiranës dhe deri në sheshin “Nënë Tereza”, qytetarë të shumtë të vendosur në anë të rrugës pritën me duartrokitje Papa Françeskun, ndërsa eskorta e tij i drejtohej Presidencës. Vetë Ati i Shenjtë iu përgjigj duke hapur xhamin e makinës, duke përshëndetur kështu mijëra besimtarët e ndodhur në Tiranë. Gjatë kohës që Papa përshëndeste besimtarët në shesh, truprojat që e shoqëronin i kanë afruar disa vogëlushë për t’u dhënë atyre bekimin. Pas takimit me Presidentin Bujar Nishani, Ati i Shenjtë ka nënshkruar një mesazh për popullin shqiptar në librin e artë të Presidencës: “Popullit fisnik shqiptar, me respektin dhe admirimin tim për dëshminë e tij dhe vëllazërinë në çuarjen para të vendit”, ndërsa ka vendosur edhe firmën e tij, Françesko. Me të përfunduar takimi, Ati i Thjeshtë bëri një shëtitje me makinën kabriolet tip “Mercedes Benz”, ngjyrë e bardhë, mes bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nga lart i buzëqeshur dhe i emocionuar nga pritja madhështore që i bënë shqiptarët, përshëndeste me dorë, besimtarët që duartrokisnin pambarimisht, duke krijuar një melodi të mrekullueshme, që dukej sikur ndryshonte njësoj si shpejtësia e lëvizjes së makinës, që herë lëvizte me shpejtësi e herë ecte me ngadalë. Me të zbritur nga automjeti i tij, Papa Françesku u takua me kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili shoqërohej nga bashkëshortja e tij, e cila i dhuroi papës Çelësin e Tiranës, mes disa fjalëve të shkëmbyera bashkërisht. Rreth orës 11:00, Papa Françesku mbajti Meshën e Shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”, së bashku me dy kardinalë, 18 ipeshkvij, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe katër diakonë përpara mijëra besimtarëve, të krishterë e myslimanë, shqiptarë e pelegrinë nga Kosova, Maqedonia, Bullgaria, Italia, Serbia, Gjermania, Kroacia e të tjera shtete të botës. Në orën 13:30, sipas axhendës, Papa Françesku u takua dhe drekoi me ipeshkvijtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike, në mjediset e të cilit u takua edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe me një grup bashkëpunëtorësh të këtij institucioni. Pas kësaj, vizita e tij u përqendrua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku Ati i Shenjtë u takua me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Siç edhe ishte parashikuar, në orën 17:00, Ati i të Thjeshtëve mbërriti në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, ku kremtoi lutjen e mbrëmësores, përpara rreth 800 meshtarëve, motrave, rregulltarëve e rregulltareve, si dhe përfaqësuesve të lëvizjeve laike në Shqipëri. E ndërsa Ati i Shenjtë respektonte pikë për pikë oraret e planifikuara nga Vatikani, për vizitën e tij në Shqipëri, qytetarët shqiptarë, por edhe bota mbarë, ndiqnin çdo lëvizje të tij, nëpërmjet ekraneve televizive, që kanë raportuar e komentuar minutë pas minute mbi zhvillimet e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Ndalesa e fundit e Papa Françeskut, ishte fshati Bubq në Fushë-Krujë, ku u takua e bekoi fëmijët jetimë të qendrës “Betania”, ndërsa orëve të tij në tokën shqiptare po u vinte fundi, eskorta mbërriti në Aeroportin e Rinasit, ku mori pjesë në ceremoninë prej 15 minutash, të organizuar për largimin e tij, nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ka qenë pikërisht ora 19:49, kur avioni i Papa Françeskut ka lënë tokën shqiptare, duke u lënë shqiptarëve shijen më të ëmbël që mund të kenë provuar ndonjëherë, atë të dashurisë për njëri-tjetrin./ Shqip online/

image

image

image

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen