Fjala ka peshë

OP-ED | Engjëll I. Berisha | 03.06.15 | 09:49

Engjëll I. Berisha

Peshën e fjalës nuk e matë ndërgjegja politike. Ndërgjegja politike do të duhej ta strukturojë e ta edukojë masën e njerëzve edhe në leksikun e fjalëve. Njeriu aq sa jeton prej bukës, po aq edukohet dhe jeton prej fjalës. Prej fjalës së mirë. Leksiku i pastër, është zhvillim i gjuhës, zhvillim edukimi dhe i një populli. Me këtë strukturë, mendësisht po ushqehemi keq.

Dy kategori e prishin masën, – ata që s’dijnë e flasin dhe ata që dijnë e nuk flasin. Në mes fjalës e heshtjes, është një dimension që nuk bën punë gjithmonë guximi, por e rregullon logjika, se kur duhet të flasësh. Thonë se fjala shëron plagë. Fjala e bën gjakun. Fjala e mban njeriun.

A e dini çka është devalvuar? Fjala. A e dini se edhe çka është në shëpërfillje? Të besuarit. Dy faktorë që e bëjnë apo e zh’bëjnë moralin njerëzor.
Tani, fjalët më të përhapura, bile dhe publikisht në media, janë fjalët: kriminel, tradhëtar, hajn.

Po ti thoje dikur dikujt tradhëtar, apo, po ta shkruaje medialisht këtë fjalë, ishte dënimi më i rëndë që i ipej personit në fjalë. Dhe, po ti atribohej dikujt, – tradhëtar i kombit, ishte vrasje, dhe i etiketuari, ecte sikur i vdekur në mes të gjallëve. Fjala që më së paku është përmendur dikur, ishte fjala kriminel. Dhe, krimineli shihej në fytyrat e atyre që i binin në qafë popullatës, duke vrarë. As fjala hajn, e që sot quhet edhe korrupsion, apo, mashtrues, nuk përbihej lehtë. Një moral ky që e kultivonte dhe e konsumonte masa e gjerë, ndoshta, jashtë pushtetit, por një trashëgimi që e ruajtëm dhe e mbajti gjallë familjen shqiptare, dhe ky moral e mbijetojë prej katrahurave konceptin komb.

Dhe sot, fjala kriminel, tradhëtarë, hajn e shumë terme tjera, janë bërë përditshmeri dhe përbihen sikur makiatot verandave duke soditur turmat që kalojnë pranë. Është shumë e çuditshme, se si kaq lehtë i nxjerin nga goja. Shumë prej tyre thonë, se, po i shohim kriminelët e tradhëtarët, si me shumicë, andaj, edhe na i qet goja shpesh. Këtë nuk mund ta honepsi kaq lehtë, sepse, jemi bërë paragjykues dhe nuk edukohet masa në këtë mënyrë. Shkrimet elektronike, ku mund ta fshehish emrin, mundësojnë ta etiketosh kënd të duash kriminel dhe tradhëtar i kombit. Duke mos e marrë në mbrojtje askënd, sepse, në mesin tonë ka çka mos. Tani kushdo bën lista tradhëtarësh, i lanson ato dhe me këtë i bëjnë shërbim atyre që vërtetë e zhvatin këtë popull, ngase, ky sllogan devalvohet e mendimi bëhet një me fjalën. Që do të thotë, barazohen ata që bëjnë me ata që janë etiketuar. Ikë mendimi, aq shpejtë sa ikë fjala.

Diversitetet tek ne, krijojnë laryshi mendimesh. Përbërja me shumësi fetare, me disa kombësi e ideologji që krijojnë divergjenca, shto këtu dhe ato partiake, jemi bërë populli shumë paragjykues. Sa për ta marrë një shëmbull, ka sa të duash shkrime që e etiketojnë Nënë Tererzën me lloj-lloj fjalësh. Të paktën ajo ishte humaniste pa asnjë dozë politike dhe vdiq në mesin e të varfërve pa e ndryshuar destinacionin. Pra, humaniteti i saj nuk kontestohet, por përkatësia e saj konfesionale për dikënd bëhet e pa pranueshme. Po ashtu rasti i disa liderëve, që u bënë gati shpirtërorë në kohë të ndryshme, ngase plotësuan boshllëkun tek masa, gjë që e kishim të nevojshëm, dhe në fund morën për e tiketë fjalët nga më të pistat. Nga kush i morën se? Nga një grup pra. Kush është grupi? Kushdo qofshin ata, janë njerëz, shqiptarë, nga rrethi ynë. A kishin të drejtë apo jo kjo është çështja.

Fjala kriminel, nuk e di kujt nuk i është mveshur nga ata që e udhëheqin masën. Shikoni shtypin, çdo njeri që ka marrë një post me rëndësi, nga dikush është quajtur kriminel, apo tradhëtar i kombit.

Tradhëtarë, aty këtu në ndonjë medium quhen dhe që luftuan për çlirimin e vendit. Gjendet dikush tu thotë, ose luftëtarëve ose komandantëve. Etiketohen edhe ata persona që iu nënshtruan sakrificës. Derisa po bënim përkujtimin e të masakruarve në rastin Meja, masakra më e madhe, 376 shqiptarë të vrarë për pakëz orë, në një vend, dikush erdhi në mesin e familjarëve dhe na pëshpëriti se pse i kujtoni këta “tradhëtarë”.

Këtyre shembujve, sa për ta shtjelluar temën, po ia shtojë edhe kohën e pasluftës, kur, të jesh pjestar i një subjekti politik, nga dikush merrje epitetin tradhëtar. Bile, kishte rreziqe edhe më të mëdha. Dikush në Gjakovë, në pragë të zgjedhjeve të fundit komunale bëri disa lista dhe i lansoi nëpër shtylla të qytetit, me disa emra, më shumë konfesional, duke i quajtur “tradhëtarë” të kombit. Sipas, atyre përpiluesve të listave, të etiketuarit, nuk duhej të punonin fare, e mbase, as të ekzistonin. Bile, kjo faqe ruhet edhe sot në një faqe interneti.

Kush bën lista? Kush u beson! A ka dikush që i kontrollon këto lista?
Thashë, dikur i kontrollonte morali njerëzor. E tani, ky moral është shpërfillur, nga rrjetet virtuale. A ka mundësi që edhe armiqët tanë, të lansojnë këso lista, dhe ne duhet tu besojmë. Kur them, armiqt, sikur po i rehabilitojë ata shqiptarë, që merren vetëm me këto lista. Me këtë në një mënyrë shpëtojnë edhe kriminelët e vërtetë, edhe ata që janë përpilues, e që, s’bëjnë tjetër veq një lloj krimi psiqik mbi masën.

Fjala është kujt ti besojmë? Une them juridikisonit të shtetit. Po ky juridikison sa është i besueshëm? Këtë thuane ju, veq mos thuani, aspakë

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen