Turqia në mes të vlerave civilizuese dhe të atyre ferexheje

Analiza & Komente | Zef Prenka | 05.06.13 | 22:49

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bulent Arinç, kërkoi ndjesë për masat e ashpra të policisë kundër protestuesve. Ai tha se ishte gabim që u përdor forcë e tepruar kundër njerëzve, të cilët nisën protesta për mbrojtjen e mjedisit. Megjithatë, tha ai, qeveria nuk u kërkon falje atyre që shkatërruan prona dhe prekën lirinë e qytetarëve.

Ndërkohë, protestat anti-qeveritare në Turqi vazhduan sot për të pestën ditë me radhë. Policia dhe demonstruesit u përleshën në Stamboll dhe në Ankara. Zyrtarë amerikanë u bënë thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën.

Ashtu si në ditët e mëparshme, policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë grupet e protestuesve në Stamboll, ndërsa demonstruesit përdorën tulla dhe materiale të tjera për të ngritur barrikada në disa rrugë të qytetit.

Duke filluar nga dje, një konfederatë sindikaliste që përfaqëson rreth 250.000 punëtorë po mban një grevë dy-ditëshe për të protestuar kundër atyre që ajo i quan masa të ashpra të policisë kundër demonstruesve.

Ndërkohë, Kryeministri Erodgan tha se protestuesit nuk kanë mbështetje mes shumicës së turqve. “Protestat nuk ishin për sheshet apo për pemët, por disa parti nuk ishin të kënaqura me rezultatet e zgjedhjeve. Situata është shumë më e qetë dhe duket se po mbizotëron arsyeja. Unë mendoj se gjërat do të normalizohen. Demonstratat nuk zhvillohen në të gjithë Turqinë, vetëm në disa qytete të mëdha”, tha zoti Erdogan.

Kryeministri akuzoi demonstruesit se ecin krah-për-krah me terroristët. Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin dhunën dhe shprehu shqetësim për njoftimet se policia ka përdorur forcë të tepruar. “Shtetet e Bashkuara mbështesin lirinë e plotë të shprehjes dhe tubimit, duke përfshirë të drejtën e njerëzve për protestë paqësore, sepse kjo është thelbësore për çdo demokraci. Ne jemi të shqetësuar nga njoftimet për përdorim të tepruar të forcës nga ana e policisë. Ne shpresojmë se këto incidente do të hetohen plotësisht dhe se do të ketë një përmbajtje të plotë nga forcat e policisë në lidhje me këto lloj incidentesh. Ne inkurajojmë të gjithë njerëzit e përfshirë – ata që demonstrojnë dhe shprehin lirinë e fjalës dhe ata në qeveri – për të shmangur çdo provokim dhune”.

Protestat filluan të premten si demonstrim kundër planeve për të prishur një park në qendër të Stambollit dhe për të bërë aty ndërtime të reja. Por një pjesë e demonstruesve thonë se janë mjaft të zemëruar ndaj qeverisë konservatore me orientim islamik të zotit Erdogan dhe ndaj asaj që e shohin si ndërhyrje në jetën e atyre qytetarëve që nuk ndajnë pikëpamjet e tij fetare.

Turqia ne protesta

Masa

Megjithë kritikën nga jashtë dhe nga brenda protestat dhe dhuna në Turqi vazhdojnë. Ekspertët janë të mendimit se nuk duhet përjashtuar as mundësia e shkallëzimit të mëtejshëm. Turqia është përfshirë prej ditësh në protestat më të mëdha në këtë vend kundër Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. E pashembullt është edhe sjellja brutale e policisë në Stamboll, në Ankara, në Izmir dhe në qytetet e tjera. Megjithë gjendjen e tendosur Ergogani të hënën ka nisur vizitën e tij në Marok, Tunezi dhe Algjeri. Të paktën dy të vdekur dhe rreth 2500 të lënduar është bilanci i deritanishëm. Rreth 2000 njerëz janë arrestuar.

Protestat e filluara nga aktivistët për ruajtjen e mjedisit tani janë shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë turke. Qëndrimi i Erdoganit, se fjala është për protesta të “grupeve margjinale” janë bërë shkas edhe për krahasimet e para të tij me depostët arabë në periudhën e “pranverës arabe”. Por Günter Seufert, ekspert për Turqinë nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin, mendon se krahasimi i Erdoganit me despotët arabë nuk është me vend. “Turqia nuk ka një regjim totalitar, sepse në këtë vend ka një radhë të insitucioneve demokratike, që funksionojnë si duhet”, pohon ai.

Kolumnisti turk dhe eksperti për politikë Cengiz Candar pohon se pas më shumë se 10 vitesh në pushtet qeveria e Erdoganit po ndjen një lodhje: “Ai po përpiqet, që këtë lodhje dhe problemet e tjera t’i zgjidhë edhe me dhunë, gaz lotësjellës dhe topa uji, nëse është e domosdoshme. Por nuk e besoj se kjo do t’i ndihmojë, që po i njëjti popull vitin e ardhshëm ta zgjedhë për president”.

Nuk mund të besohet se Erdogani do të kërkojë falje për sjelljet e tij, siç ka kërkuar lideri i opozitës Kemal Kilicdaroglu, pas një bisede të hënën me Presidentin Abdullah Gül. Seufert thotë se këto protesta mund t’i kushtojnë shumë Erdoganit. Ai nuk beson se Erdogan do të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Një opozitë homogjene kundër Erdoganit nuk ekziston. Simpatizantët e Partisë Republikane Socialdemokrate (CHP), nacionalistët, kurdët dhe alevitët, si dhe sunitët janë të përçarë. Ndërkohë që as nga Erdogani nuk pritet ndonjë zgjidhje, e cila do t’u shkonte në favor demonstruesve. Ai tha se nuk do të lëjojë që “disa plaçkitës të vendosin se çfarë projektesh do të ndërtohen në vend”. Sa i përket vendeve fqinje, nga Siria e përfshirë nga lufta qytetare, menjëherë kanë ardhur tone përqeshjeje ndaj Erdoganit. Minsitri i Jashtëm i këtij vendi i ka udhëzuar qytetarët e vet, që të mos udhëtojnë në Turqi, me shpjegimin se atje është rrezik për sigurinë, për shkak të “sjelljes së dhunshme të qeverisë së Erdoganit kundër demonstruesve paqësorë”. Kombet e Bashkuara kanë kumtuar se deri tani nga Siria në Turqi kanë ikur 380.000 refugjatë.

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen