Për moralin kur nuk ka “bindje doktrinariste”…

Analiza & Komente | Rrezore | 24.07.14 | 00:23

Nga Gëzim Tushi

Sidomos në rrjetin social në mënyrë të çuditshme, ndoshta nga që debati midis miqve është virtual dhe jo gjithnjë i identifikuar, janë shtuar diskutimet dhe debatet me sfond doktrinar dhe moralistik për të interpretuar disa dukuri e fenomene të realitetit tonë social.
Duke i parë me vëmendje  substratin e tyre dhe duke dashur të gjejmë ndonjë motiv social që ushqen këtë doktrinarizëm iseoilogjik, social dhe etik, besoj se është e nevojshme të bëjmë një observacion sociologjik të shkaqeve dhe formave të “reja” të rishfaqjes së panevojshme të një lloj doktrinarizmi arkaik që nuk i përshtatet dhe nuk i shkon kohës tonë.
Në se i analizon me kujdes tendencat, prirjet moralistike, ideologjike e doktrinare duket fare qartë se jo vetëm në komunikimet dhe dialogët në face book por dhe në shumë debate reale në qendër të tyre janë probleme të forta morale e sociale me të cilat përballen çdo ditë njerëzit dhe që janë fenomene që po tipizohen në shoqërinë tonë. Sipas mendimit tim, kjo situatë e riideologjizimeve anësore e të pjesshme të diskutimeve dhe debateve publikë përveç arsyeve objektive, është e lidhur me faktin se jeta moderne në Shqipëri po merr vazhdimisht trajtën universale të shoqërisë postmoderne me karakter të qartë jodoktrinar edhe postmetafizik.
Kjo do të thotë se realitetet në të cilat jetojmë, mënyra e të jetuarit, lidhjet dhe marrëdhëniet sociale janë dhe rrjedhin në rrugën e tyre duke qenë gjithnjë e më të pavarura nga dogmat e vjetra morale, filozofitë doktrinariste, besimet e mëdha të ardhura dhe gati të “mbyllura” nga historia e postmodernitetit.
Personalisht mendoj se duhet konsideruar fitore e madhe historike e qytetërimit tonë, fakti që doktrinat e ngurta filozofike dhe etike nën presionin e postmodernitetit kanë filluar të humbasin jo vetëm forcën bindëse mekaniciste por dhe ndikimin e tyre moral dhe social. Shoqëria shqiptare ka filluar të ecë në rrugën e saj përtej ndikimeve të filozofive, ideologjive dhe etikave të mëdha. Nën peshën e këtij ndryshimi të madh ontologjik të jetës së sotme në Shqipëri edhe njerëzit po transformojnë thelbin e tyre duke konsoliduar natyrën e shoqërisë postmoderne jo aq me natyrë doktrinariste por të thjeshtë, lineare, pragmatiste, më të rrafshët nga pikëpamja sociale.
Në këtë kontekst sot është i vështirë organizimi i bazimit të debatit dhe akoma më shumë i vështirë terreni teorik që t’i mbushës mendjen njerëzve tanë për vlerën teorike dhe dobinë jetike të ideologjisë, moralit apo filozofive të vjetra doktrinariste.
Tani që jetojmë në kohën moderne, në një shoqëri të lirë njerëzit janë bërë më mendjehapur, më të kujdesshëm ndaj grackave të vjetra teorikisht dhe moralisht paralizuese, konceptualisht penguese dhe kufizues,e që për fat të keq për një kohë të gjatë e kanë mbajtur këtë popull të gozhduar pas kanuneve të sajuara të doktrinave dhe “parimeve” filozofike, ideologjike e morale që e fosilizuan jetën tonë si popull, duke mbajtur të gozhduar jetën e njerëzve të lidhur me “pranga” pas ideve fikse të ideologjisë së vjetër të marksizmit, koncepteve filozofike dhe etike me të cilat ishte deformuar jeta sociale dhe personaliteti i njerëzve tanë.
Tani shumica e shqiptarëve janë të bindur për budallallëkun e epokës së marrëzisë ideologjike e morale që kaluam, e cila na mbajti besnik deri në çmenduri ndaj disa marrëzive teorike, ideologjike, morale dhe filozofike të kthyera dhunshëm në piketa jetësore të ngjajshme e mekaniciste për të gjithë. Nuk ka dyshim në këtë epokë të jetës moderne shqiptare, shumë kontradikta dhe konflikte sociale si dhe shumë vështirësi të dukshme të interpretimit të dukurive të shoqërisë, janë të lidhura me faktin se sa më moderne bëhet “bota shqiptare”, sa më e ndërlikuar shfaqet jeta moderne e njerëzve tanë, aq më shumë pa vlerë dhe të panevojshme bëhen dogmat e së kaluarës, besimet e mëdha filozofike e morale doktrinariste.
Natyrisht kalimi nga një shoqëri super e ideologjizuar në një shoqëri të hapur, që funksionon pa patur nevojën e “orientimeve të mëdha” nuk është proces i lehtë dhe i kuptueshëm nga të gjithë. Sepse një pjesë jo e vogël e njerëzve tanë, sidomos ata që u “edukuan” përmes makinës gjigande të deformimit ideologjik të realitetit, ende nuk janë të qartë për dëmet kolosale të tyre. Në këtë kontekst, nuk mund të mohohet se një pjesë e njerëzve tanë, janë të shqetësuar, të paorientuar dhe kanë vështirësi të kuptojnë thelbin e shoqërisë së hapur, nga që nuk e kuptojnë dot një shoqëri dhe jetë sociale kaq shumë të individualizuar, kaotike, të lirë nga paradigmat ideo-filozofike dhe morale, nga mungesa e piketave orientative dhe interpretative të botës dhe qytetërimit modern.
Shumë fenomene dhe dukuri të modernitetit duket se janë jashtë standardeve të vjetra të kuptimit dhe interpretimit fenomenologjik të tyre. Kjo do të thotë se idetë, mendimet, bindjet, morali i njerëzve nuk është më doktrinarisht i bazuar dhe ontologjikisht i sigurt, nga që ato as ndërtohen as funksionojnë duke u bazuar në ideologjitë dhe besimet e mëdha ideo-morale, të cilat duket se në etapën postmoderne të zhvillimit të shoqërisë janë duke marrë fund.
Jetojmë në një botë postmoderne e cila është së pari postideologjike dhe postmetafizike. Sociologët dhe analistët e dukurive sociale të jetës së sotme duke u përballur me fenomenet që e shoqërojnë jetën e njeriut dhe të shoqërisë në këtë botë me natyrë post ideologjike dhe post metafizike, shpesh thonë se “doktrinat e mëdha janë duke perënduar”. Në të vërtetë teza e epokës moderne postfilozofike, postetike dhe postmetafizike e botës pa bazament filozofik nuk është tezë e re e ditëve tona.
Këtë realitet social dhe moral të postmodernitetit e parashikuan në mënyrë gjeniale shumë mendimtarë, filozofë dhe sociologë modernë të shekullit të kaluar. Fjala vjen Martin Hajdegeri mbase nuk e ka parashikuar deri në fund realitetin e sotëm moral dhe social të postmodernitetit por sipas meje ka meritën se ka folur për për një shoqëri që do të përjetonte ekzistencën e saj të lidhur me “fundin e metafizikës”. Në të vërtetë ka kohë që në vend të metafizikës dhe të nevojës së sjelljes të bazuar metafizikë morale doktrinariste, shoqëria dhe jeta moderne ka nevojë për një tjetër filozofi dhe etikë që është praktike që shpesh quhet filozofia dhe etika e jetës ose që në jetën e përditshme të njerëzve paraqitet thjesht si “metafizikë jetësore”.
Tani jemi në kohën e duhur kur shoqëria shqiptare, njerëzit tanë janë duke u purifikuar ideologjikisht dhe pothuaj kanë dalë jashtë “kafazëve të vjetër” të ideologjisë dhe etikës së madhe që i mbanin si atome të bindura të vendosura mekanikisht në “turma sociale”. Është postulat i vërtetuar se në erën e globalizmit shoqëria sa më moderne do bëhet aq më pak do ketë dimension ideologjik dhe etik (në kuptimin dogmatik). Ka filozofë që thonë se shoqëritë dhe njerëzit do të bëhen pasmoralistë nga që do jetojnë në një mënyrë të re të bazuar në një kulturë post-etike dhe post-filozofike.
T’i lëmë mënjanë dëshirat subjektive dhe përrallat ideo-etike dhe të pranojmë të vërtetën që epoka në të cilën ka hyrë shoqëria shqiptare shekullin e ri duhet konsideruar si një një “hapje e re”, e panjohur më parë. Ai mendon se fakti që njerëzit pëlqejnë të jetojnë në një shoqëri demokratike dhe tolerante është një arsye për të braktisur modelet e vjetra të etikës dhe metafizikës. Bota postmoderne ka një qëndrim të ri etik dhe filozofik. Sepse është e sigurt që kurrë më shoqëria moderne nuk është më “shoqëri e njësuar” që duhet të ecë sipas ndonjë modeli fiks politik, social, ideologjik apo etik.
Sot ka një larmi përcaktimesh të shoqërisë moderne, të cilat kanë konceptin e tyre të ndryshëm të modernitetit, madje aq të ndryshëm sa që është shumë vështirë të caktosh një “dimension të përbashkët” të postmodernitetit. Sepse me sa duket shoqëria postmoderne ka të përbashkët një “dimension etik të brendshëm emancipues”, e cila sipas filozofit të relativizmit postmodern Gianni Vattimo, mund të interpretohet se, “…sa më shumë shkojmë përpara në drejtimin e historisë aq më tepër jemi pranë përsosmërisë” G Vattimo “Nihilizmi dhe emancipimi”, f. 33-34 . Kjo është optika me të cilin ndoshta është racionale të gjykojmë realitetet sociale e morale që zhvillohen edhe tek ne. Ndryshe…

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen