Kumti i Atjon Zhitit,porosi për sot e mot

OP-ED | Rrezore | 05.09.15 | 22:44

Frano Kulli

Në librin e Atjon Zhitit, djalit rrezëllitës të Poetit Visar Zhiti: “Për atë që dua(m)”, që u shugurua në ditën e parafundit të gushtit që shkoi  kur Atjoni do të mbushte njëzet vjeç, nëse… nuk do të ishte tashmë në botën e qiellit ku është, traktati (eseja) i katërt i tij, titulluar:”Kulla émé nuk asht e vetme”  përfundon kështu: Dhe para se me ba boten përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…”.

Ese-ja e shkruar në gegnishte, nisur si një sprovë, por e shkruar me një korrektesë të lavdërueshme, gati të   përsosur,  rrokë virtyte dhe veset e njeriut shqiptar, antropologjinë e etnologjinë e tij, me të cilin ai shfaq raporte dashurie të paprekëshme, gati sublime.Evokimi i këtyre vlerave, pesha specifike e të cilave ka rënë dukshëm ndër ne, në kohën tonë tranzitive të integrimit në Europë është një kumt plot vlerë e rëndesë për vetëdijen tonë sociale, publike.Por në rend të parë për vetvehten e sejcilit prej nesh.Kjo është risia që  Atjoni, bukuroshi engjëllor, na ka sjellë me këtë kumt.

I njëjti kumt, formuluar në stilet e tyre, na vjen edhe prej Konicës gati nëntëdhjetë vjet më parë , (“Shqipëria si m’u duk” , 1928) edhe prej Fishtës gjithashtu, (“Tash , që asht ba Shqipnia, duhen përbâ shqiptarët”-1930,-Hylli i Dritës- nr.4) , Kadare e ka  theksuar jo veç njëherë në përditëshmërinë tonë, sidomos në nyjet-kriza që shpesh e lidhin  e shtërngojnë gati fatalisht ecjen e kombit tonë drejt prosperitetit.Sipas shembullit të tyre edhe Atjoni e dikon (e zbraz) kumtin e tij që i del prej arsyes së formuar mirë, por më së shumti prej shpirtit të trazuar djaloshar. Njëherësh sfidues me mendësinë e  brezit të vet, prirë me plot arsye  nga moderniteti, ai iu rikthehet vlerave morale.”Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale ka edhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na shqiptarët, jemi shumë ma t’fortë, ishim deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve.Virtutet duen gjindje të virtutshme.”

Shoqëria shqiptare sot është është në kuotat e saj më të diskutueshme të kulturës së vet morale;virtutit i ka kërcyer sipri vesi dhe ngjan vesi si e para vlerë morale (!) Raporti i virtyteve me veset , ngjan se është kthyer me krye poshtë.Turri për të fituar pa djersë e mund është moda e preferuar.Hajdutëria, fyerja, përdhunimi,poshtnimi i tjetrit çmohen përmbi nderëshmërinë, mosprekjen e gjësë së tjetrit, respektin për vetvehten dhe nderimin e tjetrit.

Po kalçifikohet kulti i sundimtarit, duke përbuzë detyrën e shërbyesit amanetqar. Shembulli i zyrtarit të korruptuar të shtetit po kthehet në model.Dhe ky model i shëmtuar  ka lëshuar metastazat në qenien morale të vlerave e ata përparojnë duke e mahisur si mos më keq këtë qenie, drejt rrënimit gati të pandalshëm.Boshlleku e deformimi i vlerave morale  e ka mbushur  vetvehten e njeriut  me dëshpërim.Ndaj njerëzit rendin të ikin e  duan të ikin.Ikin se nuk kanë mjetet elementare të mirëjetesës, ndaj vrapojnë të ikin për një jetë më të mirë, sigurisht për më shumë para , për më shumë mall e gjë e mirëqenie.Për sigurinë e vetvehtes, gjithashtu.Sepse ajo u cënohet përditë.Prej hajdutit ordiner nga i cili nuk e mbron shteti, prej  taksidarit të shtetit, të cilin e stimulon vetë shteti me korrupsionin e kthyer në system, nga fodulli në zyra, nga oligarku që ka zaptuar edhe ajrin…Të gjithë, të gjithë e rjepin atë vetvehten e tij…

Por ikin edhe për më shumë qytetari.Por ikin edhe prej boshllekut moral, për pak më shumë butësi e për më pak egërsi.Mbushë me pezm ikin.

Edhe ata që qëndrojnë pak shpresojnë se mund ta ndryshojnë për mirë . Edhe më pak veprojmë e bëjmë për ta ndryshuar.Ndaj… duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…”.

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen