Debati i drejtë për kulturën e feve

Analiza & Komente | Zef Prenka | 17.04.16 | 15:21

FRANO KULLI

Nuk është se po shpiket rrota, që kumti kryeministror i para pak ditëve: “i takon çdo shteti që t’i hapë rrugë mundësisë, që çdo fëmijë të ushqehet edhe me kulturën e feve”, ka ngjallur kaq shumë debat.

Sado sipërfaqësisht ta njohësh historinë e Shqipërisë, veçmas atë të viteve ’20-’40 dhe specifikisht marrëdhënien e shtetit shqiptar me besimin dhe ndërvarësisht edhe me shkollën, të duket se teza e hedhur nga Kryeministri, Z. Edi Rama, për futjen e një lënde mësimi a edukimi fetar, anashkalon gjithë atë marrëdhënie dinamike mes shtetit e fesë dhe shkollës të 80 a 90 viteve më parë, kohë që përkon edhe me konsolidimin e shkollave shqipe dhe intonimit të tyre me simotrat europiane.

Natyrisht është krejt tjetër e sotmja e gati një shekulli më pas, por as nuk është pra se kjo marrëdhënie është në embrion dhe po lind sot. Statusi i shtetit, edhe asokohe ishte laik, shteti njihte dhe lejonte shkollat fetare, me gjithë ulje-ngritjet e shënuara në këtë marrëdhënie.

Në verën e vitit 1932, siç njoftonte shend e verë “Hylli i Dritës”, revista më autoritare kulturore në vend, “Një urdhën i N.M së Tij, mbretit tonë, lajmoi tash do ditë se tekstet shkollore do të mbarohen mbrenda dy vjetëve”.(H.D, v.8.n.10/ 1932, fq.492). Por as një vit më vonë, pati edhe mbyllje të shkollave private, të cilat, siç dihet, ishin kryesisht krijesa dhe të mbarështuara nga kleri, sipas Dekretit të 22 prillit 1933, në bazë të të cilit mbylleshin të gjitha shkollat private, duke ia akorduar këtë të drejtë shtetit.

Edhe për partizanët e laicizmit skajor, si me thënë, që urdhëruan mbylljen e shkollave fetare (katolike), prapëseprapë edhe kjo nuk zgjati, falë ndërhyrjes energjike të klerikëve energjikë dhe faktorë autoritarë si përfaqë- sues popullorë, në kancelaritë diplomatike… …si rezultat i vendimit të Gjykatës së Hagës në favor të pakicës greke, të cilët edha ata e kishin dërguar çështjen e shkollave në Hagë, dhe vendimi i Këshillit të Lidhjes së Kombeve në favor të Kishës Katolike, si dhe interesi bilateral ekonomik i Zogut me Italinë, bënë që në shtator të vitit 1936, shkollat Katolike të hapen sërish.

Markus Ë.E.Peters, “Përballjet e historisë së Kishës katolike në Shqipëri 1919-1996”, fq.8. Dhe arsye fondamentale ka qenë dobia e pakontestueshme e këtyre shkollave në dobi të iluminimit të popullit dhe njësimit të kombit, e pse jo edhe të shtetit shqiptar. Kurse debati asokohe ka pasë për palë personalitete që kanë bërë Shqipërinë, ka pasë shtetarë si Hilë Mosi, Marash Ivanaj, Medi Frashëri dhe përballë në debat, françeskanët e mëdhenj, prirë nga Fishta, shkollat e themeluara prej të cilëve kanë qenë më cilësoret, në akord me shkollat e mira të Europës Perëndimore.

Madje, linja të debatit kanë qenë edhe përballja ndërmjet pikëpamjeve të tilla si, a do të ruajmë si nostalgji të shkuarën e lindjes (reminishencat e Perandorisë Osmane), apo do të mbajmë drejtimin perëndimor të shkollës. Shteti shqiptar, vetëm në periudhën e tij më të errët, atë të diktaturës komuniste, ndërmori aktin e dhunshëm, unikal në planet, për ndalimin kushtetues të besimit. Dhe masakrën e vet e filloi pikërisht me shkollat e drejtuesit e tyre.

(Kujtojmë që të pushkatuarit e parë në grup prej diktaturës kanë qenë: Rektori i Seminarit jezuit, At Danjel Dajani, dhe dy profesorë të tjerë të atij seminari, At Gjon Shllaku e At Giovanni Fausti, italian. E bashkë me ta një nxënës seminarist, Mark Çuni. Kohët e tjera kanë qenë përgjithësisht mirëkuptuese ndërmjet shtetit e fesë (besimit) dhe shkollave të saj. Së paku juridikisht, por edhe si praktikë.

Marrëdhëniet e shtetit me fenë, sot nuk është se kanë ndonjë krisje, as me shkollat e besimeve, gjithashtu. Në reformën arsimore, të ndërmarrë nga qeveria, ato, nëse nuk gaboj, nuk kanë shënuar gjë për t’u prekur… Madje edhe sipas opinionit publik, ato janë ndër më cilësoret e sistemit arsimor dhe jo vetëm ndër shkollat jopublike. Si të tilla, ato e mëkojnë mirë “ushqimin me kulturën e feve të fëmijëve”.

Ndërsa për t’u aplikuar si një projekt për gjithë sistemin… Gjendja e sotme lënguese e arsimit në Shqipëri, a mund ta mbajë edhe një kurrikul të re, posë të tjerash, edhe delikate?… Gjithsesi, kumti i kryeministrit, më shumë se si një risi, si një gjest, për t’u lehtësuar nga ngërçet e qeverisjes, vlen se hapi një debat të dobishëm.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen